Zaev: Ligji për gjuhët, nevojë e qytetarëve
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev thotë se është pafytyrësi të thuhet se i gënjejmë shqiptarët me ligjin e gjuhës dhe se ai pas zgjedhjeve do të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese.
Në një intervistë në emisionin “360 Gradë” Zaev ka theksuar se ” çdo gjë që është në ligj është kushtetuese, dhe beson se ligji do të miratohet dhe përfundimisht në Maqedoni ky debat që nga pavarësimi i shtetit, për nevojat e bashkësive më të vogla etnike, do të mbyllet, për të hapur çështje më të rëndësishme”.
“Qëllimi ynë është i sinqertë, ne dolëm haptazi në fushatë mbi këto çështje, dhe para tentimit për likuidimin tonë, duke i mbrojtur këto vlera në të cilat besojmë. Ne besojmë se përdorimi i gjuhëve të komuniteteve pakicë me kushtetutë është i lejuar, deri aty ku lejon Kushtetuta, dhe që është nevojë reale e qytetarëve, duhet ta mundësojmë.
Sigurisht, ka gjithmonë mundësi për kritika, por unë, së bashku me partnerët në koalicionin qeverisës kemi rënë dakord, që nuk nevojitet të miratojmë diçka si një ligj, nëse paraprakisht e dimë se do të bjerë në Gjykatën Kushtetuese, pse do ta bënim këtë? Pra, çdo gjë që është në ligj është kushtetuese, dhe besoj se ligji do të miratohet dhe përfundimisht në Maqedoni ky debat që nga pavarësimi i shtetit, për nevojat e bashkësive më të vogla etnike, do të mbyllet, për të hapur çështje më të rëndësishme”. deklaroi Zoran Zaev.