Albert Z. ZHOLI: Mjeshtri i papërsëritshëm Reshat Arbana
Pjesë nga monografia Reshat Arbana
Ardhja në jetë
Ishte fundi i luftës Italo-Greke. I ati Reshatit, (Hamiti) e kishte çuar nënën e tij që ishte shtatzënë (me Reshatin) tek i vëllai Vahidi, në fshatin Bulticë, 10 minuta larg fshatit Arbana, për ta ruajtur nga ndonjë abort i mundshëm. Dhe më 13 nëntor 1940, (data e saktë) doli në jetë Reshati. Theksohet data e saktë, pasi në dokumente, njihet 15 shtator 1940. Lindja e Reshatit ishte një ditë e zakonshme në familje. Ishte luftë dhe njerëzit s’kishin mend për t’u gëzuar. Tirana ishte e pushtuar nga fashistët dhe çizmja e këmishëzinjve të Duçes ia kishin fashitur nurin e gëzimit, familjeve autoktone.
Ka qenë e tmerrshme të jetoje atë kohë. Jeta zhvillohej mes bombave, kufomave e predhave. Familjet e asaj kohe jetonin brenda tragjedisë, sepse mund të përcillje të afërmit dhe ato mund të ktheheshin të vdekur në shtëpi ose të gjymtuar. Në rrugë dëgjoheshin ulërima, të qara dhe vinte era gjak. Nuk kishte shumë për të ngrënë dhe familjarët sajonin një kaçamak sa për të shuar urinë. Uria nuk ka flamur, ngjyrë, uniformë. Ajo trondit shpirtin e njerëzve dhe është një luftë që s’mund ta kuptosh. Frikë nga vdekja, frikë për të afërmit e tu, frikë nga uria dhe pasiguri që trondit shpirtin si zgërbonjë. Kush jetonte në fshat ishte më me fat sepse mund të siguronte diçka për të ngrënë. Ndërsa në qytet ekzistonte tregu i zi ku ushqimet bliheshin me çmime të larta. Para nuk kishte dhe njerëzit vuanin rëndom nga uria. Nuk hidhej asnjë thërrime bukë. Dhe mbeturinat e ushqimit ricikloheshin.
Asokohe nuk shihje persona të shëndoshë. Të gjithë ishin të thatë nga mungesa e ushqimit. Buka ishte e zezë dhe bërë me krunde. Aq sa ishte e vështirë të haje. Ishte e fortë si gur. Nuk kishte kafe por një përbërje rrënjësh që ta shpifte. Imagjinoni që ndonjëherë piqnin elb, i cili bluhej për të bërë kafe. Ndoshta ishte absurde por në atë kohë mbi copën e bukës vendosej pak sheqer me pak ujë dhe shtyhej në stomak. Lufta është një absurd dhe tiranasit, njerëz me shpirt të butë zvarriteshin këtij absurdi me pak shpresë. Bota jetonte tmerrin e kapriçiove të Musolinit që më pas do zëvendësohej me absurdin e Hitlerit. Hanin si mundnin, visheshin me andrra dhe jetonin në dhimbje që vërehej rëndom në çehren e njerëzve që ecnin shpejt rrugëve për t’u mbyllur në shtëpitë prej qerpiçi. Të mëdhenjtë ushqeheshin sa të mbanin frymën gjallë dhe çdo gjë e kursenin për fëmijët e tyre. Fëmijët e asaj kohe ishin të zbehtë, me kokalla ku numëroheshin brinjët dhe të veshur keq me rroba të zbërdhylta. Sëmundjet bënin kërdinë dhe nuk kishte ilaçe. Krizë materiale, pasiguri dhe makth në fytyrat e njerëzve. Në Tiranë lëvrinin celulat e para komuniste dhe traktet e shpërndarë nën portat prej lisi i shtynin burrat e djemtë e rinj të ëndërronin të derdhnin gjakun e vyer për vatanin dhe të ndryshonin të ardhmen e tyre. Kudo pëshpëritej nën zë, rezistenca popullore që do rilindte ndaj pushtuesve. Komunizmi si një ideologji novatore kishte mahnitur tërë Europën me idealizmin dhe barazinë shoqërore. Tirana kundërmonte era barut dhe njerëzit strukeshin nëpër ngrehinat e tyre prej qerpiçi, ku jeta ndiqte ritualin e saj. Të rinjtë mblesëroheshin e martoheshin në heshtje. Të vdekurit përcilleshin me kuje në varreza. Gratë mbarseshin si për ironi të kohës. Jeta rilindte mbi rrënoja, mbi kanosje me vdekje, mbi histori të përzhitura heronjsh e kujtime antike të kohërave të lavdishme shqiptare. Ishte koha e revoltës proletare.
Koha e vlimit. Mbas traumës së kobshme të pushtimit, populli nisi të gjallëronte genin skënderbegian, edhe pse në fillesë me një grusht intelektualësh ilegalë. Shqiptari e adhuron lirinë si ajri që thith. E ka të formësuar në gen. E ka të pleksur në adrenalinë. Lindja e një djali përbën një gëzim hiperbolik për të. Ndrin një far shprese për kombin në furtunë. Lavdinë shqiptare ndër shekuj e kanë skalitur burra legjendarë e heronj antikë e modernë. Modele që kanë frymëzuar kombin me pathosin dhe atdhedashurinë e tyre. Përjetësisht, sa ka mbijetuar ky popull me trashëgimi të artë ilire, ka ëndërruar paqen, e ka asgjësuar çdo ditë armiqtë me mendjen e tij, sepse gjithnjë ka qenë i lakmuar si perëndi dhe kurrë pushtues. Liria ka qenë një dritë vezulluese në fund të tunelit të vetëmohimit e përrenjve të gjakut të bruztë derdhur për atdhe e flamur. Ndaj një djalë ishte një trim më shumë për kombin. Në mentalitetin gegë, një djalë është bekim sepse është përcjellës i mbiemrit dhe trashëgimtar i oxhakut të shtëpisë. Ka më shumë të drejta se detyrime nga seksi femër. Ndaj dhe përbën një ogur fatsjellës për familjen. Sot njerëzit luftojnë me sindromat dhe streset moderne. Asokohe gjërat ishin të thjeshta dhe stoike. Në atë atmosferë konfuze, lindja e një fëmije nuk festohej me takëmet e sotme. Është normale që sot mund të jesh i pranishëm në ardhjen e fëmijës tënd në jetë. Asokohe konsiderohej turp dhe paradigmë. Sot u dhurohen vogëlushëve lule dhe veshje firmato. Asokohe gatuhej një bukëvale që u servirej familjarëve. Ishte koha e piskamës shpirtërore. Koha e askundit.
Një popull rebel është si deti me dallgë. Qetohet i paanë si një engjëll dhe në heshtje mbars furtunën. Dhe ajo po ngjizej fshehurazi në lagjen më shik të kryeqytetit shqiptar. Ardhja në jetë e artistit Reshat Arbana nuk u festua me krisma, pampame, e fanfara. Në fshatin e dajës ku lehona kishte shkuar të lindte për arsye sigurie, veç një lebetitje e fortë jete u dëgjua. Mamia, u lumturua që priti një fëmijë të shëndetshëm dhe në prerjen e kordonit kërthizor pëshpëriti lavde ndaj shenjtit dhe mbarësi për fëmijën. E ëma që përjetonte mrekullinë e sjelljes në jetë të një fëmije, nuk e imagjinonte dot se kish sjellë në jetë një artist, që do formonte karakterin më të veçantë, më domethënës, me jetësor në artin shqiptar. Aq fizionomik i skalitur, plastik, me çehre dhe talent, interpretuesin e famshëm të dhjetëra karaktereve. Aktorin tipik. Heroin vigan dhe armikun e shpifur. Martirin e luftës dhe spiunin djallëzor. Fshatarin e thjeshtë dhe intelektualin nopran. Vagabondin ordiner dhe sekserin hileqar. Ishte një lindje e zakonshme, pa ceremoni, pa bujë dhe pse kishte lindur një margaritar i teatrit dhe kinemasë sonë kombëtare. Një artist që do gdhendte piedestalin e pavdekësisë me veprën dhe qenësinë e tij antikonformiste.