Merkeli e Gjermanisë mbetet shtylla e stabilitetit për SHBA
Analistët: Forcimi i partisë populiste të djathtë AfD dhe erozioni i votave të CDU dhe SPD në Gjermani mund ta kenë tronditur fort pejzazhin partiak në vend, por në raportet me SHBA-në do të ketë kontinuitet.
Analistët e politikës së jashtme në SHBA nxjerrin një mesazh nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Gjermani: kontinuitet. Kjo theksohet pavarësisht ndryshimit historik me futjen si forca e tretë politike në parlament të partisë populiste të djathtë AfD dhe humbjeve të dukshme që kanë pësuar dy partitë e mëdha popullore, SPD dhe CDU/CSU.
Garancia për vazhdimësinë e rolit ndërkombëtar të Gjermanisë në përgjithësi, e në marrëdhëniet trans-Atlantike në veçanti, lidhet me emrin e Angela Merkelit, e cila ndonëse pësoi humbje të madhe elektorati, do të vazhdojë të mbetet kancelare edhe për një mandat të katërt.
Gjermania sërish kërkon debatin
“Opinioni im është, që Merkeli është shtylla e stabilitetit në marrëdhëniet trans-Atlantike dhe rizgjedhja e saj është një sinjal i rëndësishëm që kjo do të vazhdojë të mbetet kështu”, tha Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO nën presidentin Barack Obama dhe që tani drejtues i Chicago Council on Global Affairs.
Asnjë ndryshim dramatik në politikën e jashtme
“Ndonëse ne ende nuk e dimë kompleksitetin e koalicionit që do të drejtojë, unë nuk pres ndonjë ndryshim dramatik në politikën e jashtme të Gjermanisë”, tha Charles Kupchan, i cili ka qenë këshilltari i Obamës për Europën dhe tani është ekspert pranë Council on Foreign Relations.
“Unë nuk mendoj, se ky rezultat do të ketë ndonjë impakt në marrëdhëniet Gjermani-SHBA”, u shpreh James Carafano, nënpresident në fondacionin Heritage, i cili ka këshilluar Donald Trumpin për politikën e jashtme gjatë fushatës elektorale.
Ndërkohë që rezultati historik i AfD-së, e para parti populiste e djathtë në parlamentin gjerman, është shqetësues dhe duhet vlerësuar me seriozitet, sepse kjo reflekton një dukuri të përhapur ndërkombëtare, theksojnë analistët amerikanë. “Ju mund ta shihni këtë si një zhvillim historik në Gjermani që tani ka një parti të ekstremit të djathtë në legjislaturën e re, ose si një përforcim të një tendence të përhapur tashmë në Europë”, thotë Jeff Rathke, nëndrejtor i qendrës “Center for Strategic and International Studies Europe Program”.
Shtytje djathtas
Ndonëse të gjitha partitë parlamentare në Gjermani kanë refuzuar të bashkëpunojnë apo të hyjnë në koalicion me AfD-në, kjo parti pritet të luajë një rol të mëvetësishëm në Bundestag. Sidoqoftë AfD ka “potencialin që t’i nxisë partitë e linjës së përgjithshme, e veçanërisht CDU-në dhe CSU-në e Demokratët e Lirë, FDP, që të spostohen më djathtas, thekson Rathke.
Një potencial i tillë i spostimit djathtas, shton ai, i bashkuar edhe me koalicionin e mundshëm prej tri partishë, CDU/CSU, FDP dhe Të Gjelbërit mund ta bëjë më të vështirë qeverisjen për Merkelin si brenda dhe jashtë vendit.
Pavarësisht këtyre tezave, thotë Rathke, zgjedhjet në Gjermani të çojnë në një koalicion që do të stabilizojë një marrëdhënie mirëfunksionuese me Uashingtonin për aq sa kjo është e mundur nën presidentin, që vazhdimisht godet kundër Gjermanisë dhe Merkelit sa i përket çështjeve të tregtisë dhe migracionit.
Ndërsa procesi i qeverisjes në Berlin do të bëhet më kompleks, nën drejtimin e Merkelit politika e jashtme nuk do të dallojë në mënyrë të dukshme nga ajo e deritanishmja, veçanërisht sa u përket raporteve bilterale me SHBA-në.
Lidere e botës së lirë pa rënë në sy
“Unë mendoj, se pak a shumë Merkel do të mbetet ashtu siç e cilësojnë disa: një lidere e botës së lirë pa rënë në sy”, thotë Charles Kupchan. “Edhe pse ajo është dobësuar nga këto rezultate, në sfondin e politikës së jashtme të paparashikueshme që ndjek presidenti Trump dhe të faktit të largimit të Britanisë së Madhe nga BE-ja, askush tjetër veç Merkelit nuk është në gjendje të japë drejtimin”.
“Ndoshta mund të ketë tema që me koalicionin qeverisës mund t’i ndërlikojnë marrëdhëniet me SHBA-në”, thotë Daalder, duke shtuar, se shumica e ndërlikimeve në raportet Gjermani-SHBA vijnë më shumë prej “SHBA-së se nga prej Gjermanisë”./DW