Albspirit

Media/News/Publishing

Ç’më je zhgarravitur kështu…nga Magi’s Tips

Dhe nuk e kam fjalën për tualetin (fjali që dëgjoja nga babi sa herë dilja) por për tatuazhet…

Futem te njerëzit që i adhuroj tatuazhet. Unë  për vete kam tre, njëri mund të quhet goxha i madh.

Para shumë vitesh ,mbase 8 vjet, i kërkova prindërve të bëja një tatoo meqë më pëlqenin shumë.  Mund ti quaj prindër modernë, edhe pse ju dridh pak zëri kur më dhanë leje. E bëra. Një gjë pa lidhje. E justifikoj veten sepse isha e vogël dhe e dashuruar…hahahha. Bëra një skelet peshku bashkë me të dashurin. Kur u ktheva në shtëpi prindërit u habitën. Çfarë është ky moj çupë? Dhe unë gjithë siklet fillova shpjegimet që peshku është fat, të sjell lekë, e shumë brockulla të tjera. Sot, atë skelet nuk e kam më, është mbuluar me një lule orkide, në mënyre mjeshtërore. Mund të mendoni që mbas ca vitesh do mërzitem prap dhe do dua ta ndryshoj… nuk shqetësohem fare, sa kohë ka artistë tatuazhier të talentuar dhe laser për ti hequr, mund të bëj ç’të dua.

Dëgjoj shumë vajza që i pëlqejnë shumë, duan të bëjnë po stepen nga madhësia, nga transformini nga gocë në grua dhe më e keqja nga mospranimi i prindërve ose të dashurit (që hiqet si burrë me namuz).

Më thonë: Sa i bukur? Ku e ke bërë? Të është mërzitur?

Te vajzat më pëlqejnë shumë tatoo në parakrahë, pasi i tregon shumë femërore. Edhe një fustan të thjeshtë të veshësh, kompletohet me tatoo. Gjithashtu, tatuazhet e vogla, me simbole, janë shumë të preferuara për  vajzat.

Kur iki me pushime jashtë jashtë shtetit habitem se si është rinia andej. Nuk mendojnë për paragjykimet ? Nuk shqetësohen se kur të plaken do ti varet mishi dhe bashkë me të edhe tatuazhi ?

Shumë aktore, këngëtare dhe vajza të thjeshta kanë guxuar. Më duken shumë tip, interesante, të vecanta. Mund të përmend  Jonida Maliqin, nga e cila gjithkush mund ta presi, pasi është veshur dhe ka pasur stil atëherë kur blogu nuk kishte lindur. Numri, jashtë territorit të Shqipërise, është enorm por më vjen mire që edhe këtu po shtohet.

Tatuazhieri im (Toni Golden Hands) më tha një ditë:- në Gjermani kam një doktor që nuk ka më vend në trup dhe kërkon akoma. Pse këtu te ne mendojnë se po ke tatoo nuk je i aftë, nuk mund të punosh në zyrë shteti dhe përjashtohesh. Shyqyr, për momentin, kemi një lider shumë stil (nuk dua të merrem aspak me anën politike) që na dryshoi pak pamjen kur hapim televizorin dhe na kënaq syrin sa herë e shohim.

Për të gjithë ata që duan të “zhgarraviten” jam shumë dakort, mos u shqetësoni fare. Do jeni një gocë speciale, një mama e veçantë dhe një gjyshe për tu mburrur.  Nuk është një thirrje për të bërë tatoo por një ngritje zëri për të qënë vetvetja. Be happy. Be yourself.

Magalina Saqellari

Please follow and like us: