Ministrja daneze poston në Facebook karikaturën e Profetit Muhamed
Ministrja për Imigrim dhe Integrim e Danimarkës e ka postuar sot në rrjetin social Facebook një fotografi të sfondit të iPadit të vet që shfaq vizatimin e Profetit Muhamed, që është njëra prej karikaturave satirike të cilat shkaktuan zemërim në mesin e myslimanëve nëpër botë për më shumë se një dekadë.
“Është vendimi i muzeut dhe ata kanë plotësisht të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, por mendoj se është turp”, ka shkruar ministrja Inger Stojberg, në statusin e saj në Facebook. Postimit në Facebook ajo ia ka bashkangjitur një fotografi të sfondit të ekranit të iPadit, e cila shfaq karikaturën e një burri me mjekër dhe me bombë në çallmën e tij. Ajo ka thënë se e përdor karikaturën si sfond në ekranin e iPadit të vet sepse i rikujton se Danimarka është një vend ku liria e shprehjes mbizotëron, e që përfshin të drejtën për t’i kritikuar fetë. “Sinqerisht, mendoj se duhet të jemi krenarë me karikaturat e Mohammadit”, ka shtuar ajo. Tri ambasada daneze u sulmuan dhe të paktën 50 njerëz u vranë në trazira në vitin 2006 në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Azi, pasi vizatimet e Profetit Muhamed, fotografi që shumë myslimanë i konsiderojnë blasfemi, u publikuan në gazetën danezes Jyllands-Posten. Fotografia e postuar dje nga ministrja ishte njëra prej atyre karikaturave.