Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Vajza që e do poezinë

Ajo lindi në ditën kur s’duhej
Qyteti kundërmonte aromë të keqe
E zogjtë kishin ra përdhuni ne qetësi.
Era e luleve mbytej nga duhma e shurrës.

Vetëm zhurma e aeroplanëve ndigjohej
Dhe shushurima e korit të kohës
Ku vend kanë zanë politikanët me xhepat plot parulla.

Koha ikë.
Mespërmes nesh kryelartë rrin jeta jote
E andrrume çdo natë.
E ne: t’ hutuem shikojmë sytë e saj,
Si i pikturohen prej vjetesh.
Ato kujtime të shpërndame si flokët e shprishuna.
Pastaj shtrojmë pyetje të shumta,
Pyetje që u mungojnë përgjigjet.
Ditëve kur shfaqen njerëz me shikime të mjegullta
Dhe duer të ngrituna nga qielli që kërkojnë mëshirë.

O Zot,
Në qytetin e saj ka shumë bërllok
Ajo e do poezinë, por s’i lexon përrallat patriotike
Ajo i pi kafet e zeza, por me një gotë raki
Ajo i ka e fustanin e zi, por mendjen bardhë si bora.

O Zot, ç ‘predikime dëgjon ajo me veshët e bukur
E sytë e stuhisë që i shohin përtej mureve rreth saj?

Ajo ban plane për t’nesërmen
E fustani i mbërthehet në një gozhdë.

Pastaj qetësisht kërkon fundin e gjanave pa e kuptue rrugën e daljes,
Ashtu sikur shterret fjala nëpër mendjen e poetit.
Ajo kërkon me ndërtue Kullën e Babelit,
Në një ditë kur tullat i përplasën nëpër gishtat e saj.

(Nga libri, Arka e shpetimit, 2012, © Ndue Ukaj)

Please follow and like us: