Vetëdorëzohet në polici Kryetari i Bashkisë
Pasditen e djeshme është arrestuar nga autoritetet e policisë maqedonase, Kryetari i Bashkisë së Pustecit në Korçë, Edmond Themelko. Sipas mediave maqedonase, Themelko u vetëdorëzua në komisariatin e policisë pas lëshimit të urdhër-arrestit ndërkombëtar një ditë më parë nga gjykata. Kryebashkiaku Themelko është akuzuar për rastin “Titanik” për parregullsi zgjedhore. Ai është dërguar në burgun e Shutkës ku do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim.
Përveç Themelkos, në “Titanik” akuzohen edhe ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski si dhe ministrat në qeverinë e tij, Gordana Jankuloska, Biljana Brishkovska-Boshkovska dhe Mile Janakieski.
Sipas akuzës, Edmond Themelko, u ka dhënë banorëve të minoritetit maqedonas në Pustec, letërnjoftime dhe direktivat se për cilën parti të votojnë në zgjedhjet e Maqedonisë.