Albspirit

Media/News/Publishing

Hartuesi i Vettingut shqiptar: Nëse nuk zbatohet, kostoja do të jetë e lartë

Ai është rikthyer në Shqipëri si trajnues për vëzhguesit e të drejtave të njeriut, që do të monitorojnë gjatë vettingut, seancat dëgjimore të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Rainer Deville, i cili dha jo pak kontribut për hartimin e ligjit të vettingut, gjatë kohës që punoi në Tiranë, thotë se beson në suksesin e aplikimit të tij. Në të kundërt – paralajmëron ai, – kostoja do të jetë e lartë.

“Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ka disa njerëz që janë të interesuar për të bojkotuar, për të keqkuptuar, për të zvarritur, për t’u fshehur dhe për ta dëmtuar edhe më shumë vettingun. Dikush mund të më pyesë: A mund të na garantoni se vettingu do të funksionojë? Unë them se nuk është e garantuar, sepse varet nga vullneti politik, nga publiku dhe nga aktorët e përfshirë. E nëse nuk funksionon, atëherë Bashkimi Europian ka në duar çështjen e aderimit, i cili do të shtyhet”, tha Dr. Rainer Deville.

Pa patur qime në gjuhë, Deville përshkroi perceptimin popullor të njerëzve të drejtësisë.

“Jo të gjithë janë të korruptuar. Ka njerëz të ndershëm, prokurorë dhe gjyqtarë që e bëjnë këtë punë prej 20 vitesh. Ata nuk kanë makina të tipit të fundit dhe nuk shkojnë me pushime në Singapor, por në Vlorë. Për të gjithë këta njerëz të ndershëm, ju jeni rojet e tyre, në ndihmë të tyre”, deklaroi Deville.

Deville i kërkon publikut të informojë për pasuritë e të korruptuarve, jo thjesht për ndëshkim, por edhe për kthimin e pasurive të vëna me korrupsion.

“Shumica e njerëzve kanë Mercedes. Duket si sport këtu, edhe politikanët kanë. Kjo nuk është e rëndësishme. Por ama, nëse vjet ky gjyqtar kishte një makinë, sivjet një më të re, atëherë kjo është një tjetër histori”, tha ai.

Por ama vettingu duhet të respektojë të drejtat e njeriut.

“Në Shqipëri dihet si bëhen dasmat. Mafia mund të ketë qenë pas shpinës tënde dhe kërkon një fotografi. Jo, kjo nuk është provë. Por nëse ti ke disa foto me këtë person, atëherë duhet kontrolluar për çfarë bëhet fjalë”, deklaroi Deville. /tch/

Please follow and like us: