Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Vorbuj

Se nga del një shtjellë befas më zë pritë
Më përthith në vorbuj avujsh, më robit.

Rend magjepsur mes vegimesh dritë-hije,
Mbledh në thinja pluhur udhësh fëminie.

Ç’më përndjek një buzë lumi, e shoh shpesh,
Me ca djem që lozin zallit gurapesh.

Bëj t’u qasem i përmallur, po më kot,
M’i përpin një erë e egër, brisk e ftohtë.

Pastaj stepem: më vdes lumi. Brigjet ngrirë
Në tejkohë, me eshtra trojesh në rrëpirë.

Jap e marr që këtij makthi t’i përvidhem,
Po më zuri pleqëria, zë e dridhem.

…Te një pus me rrasë guri mes avllisë,
Del një nënë që lan e shplan shaminë e zisë.

Rreh ta zbardhë, po qiejt nxijnë përmbi kokë,
Shtrydhin zi nga pendë korbash flokë-flokë.

Pusi shterr e dhimbja therr më thellë gjithnjë
Nëmë e zezë, e lashtë sa Vdekja, nuk e lë.

Te një pus ku qan çikriku me oi,
Është Ajo që lan përjetë atë shami.

…Ç’më rrëmbush një iso labe, më përmbyt.
Zgjohet varrit një çoban ia kthen me grykë.

Ardhka zvarrë e turbull Vjosa brinjëvrarë!
Nxjerr ca trupa të pajetë e të pavarr.

Shoh dikë që kacavirret përmbi dallgë,
Sikur vuan të heqë plumbat nëpër plagë.

Sikur heq, po plumbat ngucen, janë thellë.
Që larg feksin flakë pushkësh nëpër terr.

…Eh, ku dreqin më gjurmon e më zë pritë!
Ç’më përthith kjo vorbull kohësh, më robit!

Hë ta ndjek, po s’më bën zemra, jam mëdysh.
S’ndahesh dot nga fëminia, babagjysh!

Please follow and like us: