Albspirit

Media/News/Publishing

Ida Nurçe: Mos beso!

 

Gjej kohë të bisedosh me veten tënde! Qëndro vetëm për disa minuta dhe mendo… Mendo sa shumë je lodhur, për të arritur aty, ku je! Kujtoi ditët e tua më të vështira! Njerëzit që të qëndruan pranë ato ditë dhe ata që u larguan pa u menduar fare! Kujtoi të gjithë, edhe ata që nuk janë më me ty për shumë arsye! Kujto ata që të deshën dhe nuk i deshe. Kujto ata që deshe dhe të mashtruan, të tradhëtuan! Ahhh sa i urryer është mashtruesi për mua! Qënia më e pështirë e njerëzimit, më e mallkuara! Siç thotë ime me “Një njeri mashtrues, mund të bëjë gjithçka”. Nëse has në të tillë njeri, mëso prej tij të mos bëhesh kurrë si ai! Dhe nuk e kam kuptuar kurrë, pse një njeri duhet të mashtrojë?! Ndoshta nuk do e kuptoj kurrë. Nejse… Kujtoje gjithsesi! Kujto gjithçka dhe mos u pendo për asgjë! Kujtimet mbeten të bukura edhe pse shumë prej tyre mund të jenë të hidhura, ama diçka ke mësuar prej tyre dhe mësimi është i vyer. Mësove të largohesh në heshtje, kur njohe fytyrat e vërteta të njerëzve dhe u ule pikërisht aty ku je sot. Aty, ku krenare mund të thuash me zë të lartë “Po, unë ia dola!” Le ta dëgjojë e gjithë bota, që asgjë nuk arriti të të vriste. Të plagosën, ama ti sërish u çove akoma më e fortë. Me një synim tjetër për jetën. Ndaj gjej kohë të bisedosh me veten tënde, është e vetmja që nuk u largua kurrë prej teje! Mos e humb atë duke dashur të tjerët, sepse një ditë të gjithë largohen, njerëzve nuk mund t’ju besosh! Ata që kishin premtuar “përgjithmonë”, janë “askund”. E tillë është bota, plot ngjyra nga jashtë, aq e ngrysur nga brenda! Dhe në fund torturon veten me “pse” pa fund. Përgjigje?! Kurrë! Përqafoje veten dhe shijoje jetën! Tani është momenti yt! Kyçi në kujtime gjithçka dhe ec përpara! Njih njerëz të rinj, por mos harro “Mos beso!”

Please follow and like us: