Ndue Ukaj: Orkestër
Atë ditë stuhie
Engjëjt hijelehtë u arratisën nga qielli
Dhe gjetën një copë tokë
Para murit të vetmuar.
Ishte e mërkurë-
Nuk ishte e mërkura e përhime
E ftohtë si mermeri me kujtime të trishta
E fotografi të zhubrosura
Ku kërkohet qartësia
Për vete dhe për tjerët.
Megjithatë ti e di: qartësia mungon.
Atëherë me duar në kokë.
E rrëmbyer nga ulërima e pyjeve
Dhe melodia e korit të engjëjve;
Më pyete për fillimin e mbarimin
Apokalipsin dhe një ëndërr të përhershme.
Para dyerve të katedrales
Zonja me të bardha luante me kitarë,
Ndërsa thithte duhmën e temjanit
Prej nga i dëftohej përjetësia.
Mirëpo ti asnjëherë s’ e kuptove
Se historia është rrëfim i pakryer e pa trajtë
Si kjo humnerë që mbushet me thërrmija kujtimesh
Në këtë ditë kur dëshirat pikojnë nga qielli
Si ky shi mërzie.
Atë ditë arka e shpëtimit
U përmbys përnjëmend
Dhe aty të pashë ty
Bashkë me orkestrën tënde
Që i kombinon dhimbjet
Mrekullisht
Dhe i kthen në simfoni.
(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, OM, 2017, © )