Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Nuk kandidon Kadare, por Shqipëria dhe letërsia e saj!

Image result for ilir levonja

1) Në galeritë e librarisë Barnes dhe Nobël (Barnes & Noble), një vajzë e re ulur këmbëkryq, një dysheme prej shajaku të trashë ku sado e rëndë këmba, nuk pipëtinë asgjë, ishte zhytur e tëra brenda faqeve të një libri. Ka shumë si ajo, këtu përfshihem edhe unë, që për një ose disa arsye, ndofta çmimi, kutadish…, apo ajo indicja t’i hedh një sy që të di se çfarë do blej, harrohen mbi libra dhe autorë. Eshtë një ambjent i paqtë, ku historia e njerëzimit sillet në një qerthull plot oksigjen aq sa pavarsisht epokës që jetuan, mund të rrinë bashkë vëllezërit që projektuan Romën (Remi dhe Romuli) dhe ai që e dogji atë, Neroni. Një temë sa poetike dhe eseistike ku njeriu që njeh aromën e librave, e shikon me pak qeshje, me pak habi këtë paqe që ta fal indeksi gërmor, por edhe fuqia e kohës që palos gjithçka me qetësinë e amvisës kur mbush sirtarët me rrobat e lara. Aty shëtit një magji prej fryme, me aromën e kafesë diku, aq sa faqet prej letre që njeriu i Zotit ka nëpër gishta, dike e çojnë në tokat e fantashkencës, dike në në fushat e pamata të Teksasit, ku vdes e trishtuar britma, sipas Borhesit…, e dike tjetër në tokat e një realiteti zakonor, a zakonesh, që, dikush i intepreton së prapthi, dikush i përgojon, shenjon me gisht, kur dikush tjetër jep edhe jetën për faktin se e ka çështje nderi frymën breznore. E gjitha është një mbretëri mbi realitetin. Të ulur qosheve. Gjysmë të shtrirë. Mbi kryet e tyre…, koridore raftesh. Vende, kultura, gjuhë…Heshtja e gjitha, është një muzikë e florinjtë sikur të frushtullohet me ojnat e spanjishtes, një idomë që e prezanton jo gadishulli iberik, por andet ku një kondor pushon me krahët hapur. Një atmosferë që nuk e kap, por fal kësaj përvoje dhe përfytyrimit tend, mund ta jetosh. Ta dhurojnë këtë faqet e librave që ke nëpër gishta.

2) Papritur vajzës iu afrua me sa u kuptua shoqa, duke i kujtur se shkoi vonë dhe do humbnin leksionin. Mirëpo ajo ngriti dorën, nuk donte ta shqetësonin, nuk donte të ngrihej, iu lut t’i sillte ca më shumë kafe. Kaq! Dhe tjetra ia plotësoi duke i kujtuar se vet po shkonte. Asnjë përgjigje, vetëm lexim.

Nganjëherë kam përshtypjen se libraria Barnes dhe Nobël është më e madhe se bota. Se Amerika po e po. Është ajo pamje a ekzistencë njerëzore, që Horhe Luis Borhes (Jorge Luis Borges) ia dedikoj përshtypjes së tij kur i verbër vizitoi Nju Jorkun duke i thënë shoqëruesit, ja, ky qytet është pjella e fantazisë sime. Afërmendsh tjetri mbeti i çuditur, burri me peshë të rëndë në kulturën botërore të shekullit që mbaronte, ishte i verbër. Si po e shikonte ai ngjitjen e kullave drejt qiellit?

Kjo nuk është një dilemë, sigurisht nëse ke mbajtur ndonjëherë një libër në dorë.

Libri që vajza po lexonte titullohej Broken April, ose Prilli i thyer i autorit shqiptar Ismail Kadare. Kurse unë aty përbri në galerinë e Fiction ose të atij zhanri tregimor të konsideruar si sajim, jo nga realiteti. Hulumtoja në anglishten e pazhbirueshme për kapacitetim tim, të një nga eseistëve bashkëkohor Dana Xhoja-s, (Dana Gioia) një ekonomist në profesion por që sot Amerika e mban si një nga nga eseistët model të interpretimit. Në Amerikën e madhe, me letërsi të madhe, ai është ndër…, kohë më pare kisha hasur një libër të tij në shqip. A ka rëndësi poezia… (Can Poetry Mater?). Mirëpo kur të mbushet mendja se gjuha që flet është ajo që të mjafton. Të gjen belaja. Unë endesha në ligjëratën e katedrave të Kalifornisë, kurse vajza në luginat e Shqipërisë.

Me siguri nga darka do i tregonte shoqes, a të dashurit, për vendin tim, njerëzit, zakonet. Për Gjorgun me ankthin se si me vetdije duhet të vrasi, që vret… Gjakmarrja shqiptare.

M’u end nëpër kokë një botë piktoreske që në vendin tim e quajnë Veri. Kur në fakt është kërthiza e tokës amtare. Por edhe ajo koha kur katedrat e vendit e tim e trajtonin si vendi i ashpër i reaksionit pikërisht për më vitalen ndjenjë njerëzore të jetës, nderin e njeriut. Obskurantizëm kur ishte në fakt një arsenal i fuqishëm kulturor. Por, Neroni e dogji Romën, sepse donte që Roma të fillonte dhe mbretëronte me ‘të. Kështu edhe diktatura. Në fakt version i Gjorgut duhej të trajtohej ndryshe, ashtu edhe toka e tij. Por në kohë devijimet edhe pse kanë pamjen e një maje gishti, lëvizin një botë të tërë.

Çfarë dite e madhe. Ajo vajzë dhe vendi im aty: një magji.

3) Sa here që vjen vjeshta, kur afrohet dhe dhënia e çmimit Nobel, nis edhe fushata e thashjes tek ne. Kundër një njeriu të vetëm. Një shkrimtari. Që armatë ka librat, veprën. Nuk ka destrojerë, aeroplambjtëse, a raketa bërthamore. Nuk ka arshivë sekrete dhe një lukuni survejuesish e ndëshkuesish, me dhe pa uniformë. Nuk ka armatë televizonesh ku të japi mend çdo ditë në çdo vakth. E zi më zi t’ua bëj jetën. Nuk ka asgjë në dorë. Asnjë lloj vule. Ka vetëm librat ku gjallon vendi i tij. Ku flatron gjuha e këtij dheu. Nuk ka asgjë, asgjë që ka aromën e metalit të armës. Nuk ka çelsat ku mban të kyçur mirëqënien e popullit. Ku dikujt i jep një maune me miell. Dikujt i thotë, ti me që më solle në pushtet mbill e shit drogë. Vrit e prit kë të duash. Shit e bli kë të dojë qejfi. Ndërkohë që dikujt tjetër ia lëron nënën, pa punë, pa bukë, pa talent, pa aftësi…, me një fjalë e lë të paftë. Nuk i ka këto, por ka vetëm dhuntinë për t’i treguar këto. E kjo dhunti nuk është mëkat qeveritar, por fat i një populli, një vendi dhe një gjuhe.

Sapo afrohet vjeshta, i vërsulemi me ca energji që çuditërisht na afrojnë me kafshën. Nuk ngopemi. Një avaz. Një brutalitet. Një inat kokëtrashësh. Gërr, vërr. Dosje, mashtrim, letra, falsifikime, pseudonime. Gërr, vërr, punë shqiptarësh. Kundër kujt? Vetvetes. Pasi është fare e thjeshtë, gjenia nuk është asnjëherë ai qytetari, por fryma apo koha e juaj. E gjitha, me firot dhe arritjet, me zbythjet dhe me gjokset . Nuk merr, nuk ia japin. O sa qejf. Ferkojnë duart. Gëzojnë…, e morët vesh një mut ia dhanë. Gëzojnë, kafshët, si kafshët. Eshtë tragjike të gëzosh për një autor rus dhe jo për autorin tend. Tragjike dhe nuk ka fjalë të tjera.

4) Zakonisht kandidatët e përvitshëm janë mbi treqind. Nga vende të ndryshme. Midis këtyre vëndeve është emocionale kur shikon emrin e vendit tend. Pra vendin tend. Letërsinë tënde. Atë letërsi që i mban ulur njerëzit nëpër korridoret e librarive. Gjorgun malësorin e bukur brenda fatit të tij tragjik. Pra diçka nga ashti i breznisë së rracës tënde.

Ndër treqind vende Shqipëria. Një vend me halle, tokë e vogël në sofrën e mendjeve të arta. Gëzoni për letërsinë tuaj dhe krenohuni me ‘të. O avaz i vjetër, kade me turshi kastravecash.

 

Please follow and like us: