Kushtet që duhet të plotësoni për të përfituar avokat “falas”
Individë të caktuar jo në pak raste mund të ndodhen në kushtet kur nuk përballojnë dot pagesën e një avokati për një çështje civile ose administrative. Në këto kushte është vbetë shteti që siguron ndihmën juridike që u nevojitet individëve duke paguar avokatët nga buxheti përmes tarifave të paracaktuara.
Kushtet për avokatin falas
Sipas draft ligjit të ri janë disa kushte që duhet të përmbushen për të përfituar ndihmën juridike falas ku shumica lidhet me gjendjen ekonomike të personave të përfshirë në çështje.
Këto kritere janë:
a) të kenë një çështje civile ose administrative;
b) Të ardhurat mujore të personit të jenë nën pagën minimale, ose personi nuk është në marrëdhënie pune ose është ne pension;
c) Të ardhurat totale të familjes nuk kalojnë më shumë se 500 000 lekë në vit;
d) personi dhe familja që kërkon shërbimin ligjor nuk disponon pasuri të tjera përveç banesës në të cilën jetojnë.
dh) si dhe çdo rrethanë tjetër që e vendos personin në kushte pamundësie, për të siguruar privatisht një nga shërbimet e ndihmës juridike.
Si caktohet pagesa
Pagesa që bëhet nga buxheti ndaj atyre që bëhen pjesë e shërbimit të ndihmës juridike përcaktohet në bashkëpunim me disa palë të përfshira. Sipas draft ligjit të fundit për ndihmën juridike Drejtoria e kësaj ndihme në bashkëpunim dhe me Dhomën Kombëtare të Avokatisë përcaktojnë në bazë të vendimit të gjykatës, llojin e shërbimit, kushtet dhe orët e punës. Tarifa minimale e një avokati për çdo lloj ndihme juridike parësore është 5000 lek kurse tarifa minimale e një Avokati për çdo lloj ndihme juridike dytësore është 40 000 lek për secilën shkallë gjyqësore në të cilën çështja do të shqyrtohet./monitor/