Cikël poetik nga Miranda Içi
U mblodhe shtator
U mblodhe shtator.
Gjarpër i ftohtë në gjoksin tim.
Vështrime të qelqta s’i hedhim më njëri -tjetrit.
Ti më mbështet kokën mbi zemër.
Një pikë helmi,
para se të biesh në gjumë.
I lë amanet ditës së parë të tetorit,
të ma pikojë drejt e në shpirt.
Mos u çudit s’të urrej, nuk të mallkoj.
Tetë vjet të shkuara mësova.
Si e mban fjalën një nënë.
“Pa të dëgjuar zërin e vogla ime, nuk vdes”.
Premtim, që e bëri dhe vet
Zonjën vdekje të hesht dhe të pres.
30.09.2016
Deti i vdekur
Kur
shemben përtokë
si zogj të vrarë
zërat e fëmijve.
Qielli lidh sytë
me cohën e zezë të reve.
Mbyll veshët me bubullima.
S’mund të dëgjojë e shohë,
klithmën e kuqërremtë.
Lumenjtë e shpresës u hidhruan.
Damarë blu, tatuazhe të sëmurë,
të një toke në përpëlitjen e fundit.
Në këtë anë të globit
flijohet si lot i harruar jeta.
Dhe derdhet pazhurmë në
Detin e vdekur.
Qe katër data
Si …
Katër drejtimet e çorientuara
të busullës time pa ty.
Katër krahë dhe kryqi
ku na mbërtheu dhimbja.
Katër motra u tretën mbi ty,
të puthën sytë, me lot.
Katër supe u shembën,
të ritë e tu s’e mbanin dot.
Katër duar u prenë si purtekë,
balli jot s’u mbështet më mbi to.
Katër faqe njomëzake
pritën puthjen e buzës
tënde të ngrohtë.
Në katër anët e botës kërkoj më kot
zërin tënd të më thërrasë vëlla.
E unë kurrë…
Kurrë nuk e mallkova datën katër
që më la pa ty.
Ç’vlen jeta kur vdekjen nis mallkon.