Nevila Xhindi: Rogertat e vërteta që na zënë sytë çdo ditë
Rogerta Loku dhe fjala e saj e vërtetë nuk i shpëtoi veshëve e syve të lajmeve në portale si çudi e madhe. Donin me patjetër të prodhonin news, të na mallëngjenin, të impresionoheshim nga normaliteti i saj, hallexhie, një perfaqësuese e gjithë Shqipërisë.
Mirditores së mirë dhe punëtore iu dha rasti të fliste në foltoren e parlamentit, si pjesë e një projekti për të promovuar politikat rurale, mbështetur dhe nënkujdesin e Kryetarit të radhës së Parlamentit, siç patën bërë edhe paraardhësit e tij, sepse shpesh në atë sallë e në atë foltore janë bërë projekte të tilla me fëmijët, studentët e gratë në sebepe festash apo ditësh përkujtimore.
Mu duk krejt e zakontë Rogerta, gati gati sikur e kisha dëgjuar apo lexuar prej vitesh në artikuj gazetash e në parlament këtë fjalën e saj, hallet, dëshpërimin e sinqertë të saj që askush nuk të dëgjon se të gjithë merremi me fasadë.
Nuk u çudita nga asgjë ajo tha, madje jam e çuditur nga të çuditurit! Kjo është Shqipëria!
Rogertat në versionin fëmijë, studentë apo grua e dëgjon me halle plot kudo të shkelësh në pallat, lagje, rrugë, qytet kudo në shtetin shqiptar.
Po emisionet e TV- ve me ato hallet shqiptare ku me zë e figurë tregohet sa të dëshpëruar jemi me të sotmen e të ardhmen, i ndjekin këto të impresionuarit nga Mirditorja e vërtetë?
Ndoshta u prekën nga lotët? Mbase, por lotë ka kudo dhe dhimbje mbijetese! Pyesni ato të Fundjavës Ndryshe se mbase atyre nuk u ka shkuar ndermend të bëjnë një projekt të tillë që gjithë hallexhinjtë t’i nxirrnin në foltoten e parlamentit. Po do ishin shumë more, aq shumë sa nuk do dilnin 365 ditë x 24 ore.
Në fakt këtë punën e së vërtetës shqiptare dhe zgjidhjen e tyre janë të supozuar ta bejnë deputetët tanë, ndaj mos i sillni Rogertat deri në parlament, se janë shumë, por shkoni ju atje se jeni vetëm 140 deputetë që Rogertat shqiptare u kanë votuar t’i përfaqesoni.
Fatkeqësisht Rogerta nuk më impresionoi, sepse nuk tha e nuk dëgjova asgjë që nuk e di e që më zë sytë përditë!
…por u revoltova shumë!