Ruben Avxhiu: Njerëz që po ia marrin fytyrën Kosovës
Dy deputetë që ofendohen e rrihen në televizion përbaltin gjithë shoqërinë.
Kosova ka gati dy milionë njerëz, disa prej tyre janë nga më të respektuarit që kam takuar në jetën time. Ka qytetarë që do t’i bënin nder çdo vendi. Ka mërgimtarë që janë fugura në Amerikë, Europë e kudo tjetër në botë.
Nga këta dy milionë vetëm 120 vetë zgjidhen për ta përfaqësuar Kosoën në një forum që jo më kot e ka emrin Kuvend. Dërgohen ata më të zotët për të kuvenduar. Ata që flasin më bukur e dëgjojnë akoma edhe më bukur. Nuk mund të shkojë i gjithë populli aty, ndaj zgjidhen më të mirët, për të bërë ligjet që pastaj të gjithë duhet t’i zbatojnë.
Duke qenë se Kosova është një rast i veçantë, gati 20 vende në këtë Kuvend janë të parapërcaktuara. Domethënë shqiptarët e Kosovës 100 vetë duhet të caktojnë si fytyra e zëri i kombit.
Tani a nuk ka dështim më të madh të demokracisë sonë të re, kur në këta 100 figura të rralla, shoqëria shqiptare e Kosovës zgjedh njerëz që ndërofendohen e shahen në publik? Që janë kaq të ngathët nga goja saqë nuk formulojnë dot përgjigje me vend e përfundojnë në fyerje personale? Që janë kaq të cipëhollë saqë nuk durojnë dot ofendimin? Kujtojnë se ofendimi ua merr fytyrën? Fytyrën ua merr gjendja e dhimbshme e qindar mijëra vetëve në Kosovë. Fytyrën ua merr paaftësia për t’u bashkuar për të bërë disa ligje. Fytyrën ua merr nënshtrimi që kanë ndaj kryetarëve të partive, biznesmenëve të korruptuar dhe banditëve të rrugës që i mbështesin.
Nuk dua të hiqem këtu sikur deputetët dhe politikanët në shumicën e vendeve të botës janë ëngjëj dhe shembuj mirësjelljeje, durimi, dhe mençurie. Politika rrallë tërheq njerëz vërtet të virtytshëm. Po pak janë ato shoqëri që në të kaluarën shumë të afërt kanë paguar kaq shtrenjtë me gjak, sakrifica, e dhimbje mundësinë për të pasur liri e demokraci. Për të pasur përfaqësues të tyre në kuvend e shtet.
Sa herë që politikanët e Kosovës u nënshtrohen hajdutëve të korruptuar e bëjnë pazare në kurriz të shtetit, sa herë që sillen si barbarë idiotë nga krenaria boshe e kokëave me cepa, sa herë që flasin e veprojnë sikur janë vërtet më të zgjuar e më të moralshëm se 100 kosovarë të zgjedhur me sy mbyllur nga rruga apo nga rradha e ndonjë marketi, sa herë që kapardisen në studio televizive e foltoret e takimeve si heronj të kësaj shoqërie, sa herë që vonojnë ligjet që nevojiten urgjentisht, formimin einstitucioneve, e të gjitha punët për të cilat kanë nevojë qytetarët e këtij vendi të lodhur, ata shkelin me të dy këmbët mbi gjakun, sakrificat, ëndrrat, dhimbjet, ankthet e një shekulli të tërë që i paprapriu pavarësisë dhe demokracisë më të re europiane.
Të them të drejtën unë nuk habitem më dhe nuk pres ndonjë gjë të madhe. Klasa politike e Kosovës ka kohë që zhgënjen. Çdo vit që kalon e bën këtë zhgënjim edhe më normal. Nganjëherë mendoj se ndoshta është më mirë të fillojnë të rrihen e të shahen kështu. Ta heqin edhe maskën më të fundit.
Po shumica e njerëzve në Kosovë nuk i meriton këta njerëz. Ndonëse meriton kritikën që nuk ka gjetur mënyrën në mos për të korrigjuar, për ta disiplinuar klasën e saj politike.
Në shumicën e vendeve më të civilizuara, politikanët dhe figurat publike vetëpërmbahen jo se janë patjetër më të ngritur se ata të Kosovës apo edhe të Shqipërisë e trojeve të tjera shqiptare, po sepse druhen nga reagimi i opinionit publik. Mes shqiptarëve jemi mësuar t’ua falim shpejt skandalet politikanëve tanë. Po ashtu edhe vjedhjet e abuzimet.
Ne nuk jemi në gjendje të vërtetojmë gjithmonë se kush po vjedh e kush po abuzon me detyrën që ka marrë. Po të paktën rrugaçët e barbarët e kemi të lehtë t’i dallojmë. Është koha që të paktën këta t’i tajtojmë ashtu siç e meritojnë. Si turp i shoqërisë.