Shezai Rrokaj: Apeli i Rigertës përballë fasadave shtetërore
Një ditë, një zonjë e shkolluar në perëndim, që bashkë me familjen i qe përkushtuar fermës me dhi, ‘zbulon’ para foltores së parlamentit katër elementet e famshme të jetës. Nuk është fjala për teorinë e katër elementeve bazë të gjuhës (sal, ber, yon, rosh), me të cilët Nicholas Yakovlevich Marr-i, u rrek të shpjegonte Kullën e Babelit të gjuhëve të botës, por një e vërtetë me katër fjalë bazë të jetës së fshatit: rrugë, ujë, arsim, shëndetësi.
Asokohe hipoteza e Marr-it ngjalli kërshëri në qarqet elitare të kohës. Por kjo e vërtetë e Rigertës përse ngjalli interes në përmallim? Ia vlen të thuhet se mallëngjimi u ndje në mënyra të ndryshme në të paktën dy kategori shoqërore. Së pari, te njerëzit e thjeshtë, u tha troç ajo gjë të cilën ata e prekin çdo ditë, e thonë çdo ditë, por nuk i dëgjon kush. Pra, u pa si triumf i plebeizmit mù në mes të Kuvendit. Ky është realiteti i përditshëm i tyre.
Së dyti, oligarkia parlamentare qeverisëse dhe sejmenët e saj u mallëngjyen, bënë edhe foto, nxitën edhe shkruesit zellmëdhenj me shkrime patetike. Po përse u mallëngjyen, lind pyetja. Ka më shumë se një përgjigje. Shumë syresh e kanë harruar fare fshatin dhe rrëfenjëza u tingëlloi si legjendë. Dikush mendoi dhe jetën e vet dikur, para se të hipte në karrige.
Si të thuash u përmallua nga jeta e fëmijnisë. Shumë të tjerë, qeveritarë e besuan sërish atë përrallën e korrik-gushtit se i vetmi koalicion i tyre ishte ai me qytetarët. Ndonjë hipokrit nuk kuptoi gjë fare, por bëri si të tjerët. Si i thonë, kinse u përmallua, se as i hyn fare në punë rrëfenjëza. Ai është aty për hallin e vet.
Duhet pyetur kryeministri si institucion e shpura e tij, përse u çuditën, u mallëngjyen e ngashëryen. E kuptojnë, para fasadave, se ku janë problemet reale? Cila ishte dëgjesa me popullin? Kush u dëgjua? Ata që bëjnë fresk dhe që përzgjidhen e mësohen si të flasin, para takimeve? Gjatë fushatës u bë gallatë me timon e tepsi, tani gjatë korrik-gushtit e katër vite të mandatit paraardhës, u dëgjua populli, zëri i kësaj zonje të nderuar, apo u shkua te populli për shakanë e radhës.
Ky mallëngjim me rrëfenjëzën e Rigertës ma forcon bindjen se te populli vajtët për t’u dëgjuar dhe jo për ta dëgjuar, gjë që e tregon fare qartë edhe programi qeverisës.
Nga mallëngjimi sureal me Rigertën u shpërfaq ironia e fatit për një realitet me katër fjalë, si ato fjalë me të cilat Marr-i u rrek të shpjegonte origjinën e gjuhës.