Albspirit

Media/News/Publishing

Sokol Sadushi: 20 vjet Magjistraturë

20 vjet më parë fillonte veprimtarinë akademike një institucion krejt i ri për realitetin shqiptar, me misionin për të përgatitur gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit. Ky institucion edukimi, mbi atë universitar, që do të priste pas një procesi konkurrues studentët që kishin fituar më parë një diplomë në drejtësi, nuk u quajt institut dhe as akademi. Emërtimi Shkollë e Magjistraturës nuk ishte një gjetje e pamenduar. Disa shkolla të njohura në Evropë, në veçanti Shkolla Kombëtare Franceze, që qëndronte në avangardë të institucioneve të trajnimit gjyqësor, shërbente si një model jo vetëm në përgatitjen e magjistratëve të rinj, por edhe në mbajtjen e politikës larg përzgjedhjes së tyre.

Ishte e vështirë në atë periudhë t’ia besoje këtë mision një shkolle. Të vendosësh brenda kontekstit më të gjerë të fjalës “dije”, qëllimin final, që është përgatitja e magjistratit të paanshëm e profesional, si edhe përgjegjësinë madhore në formimin e shtetit të së drejtës, ishte një zgjedhje që sfidonte Shkollën e Magjistraturës qysh ditën e parë.

Kjo Shkollë e sapokrijuar, nuk kishte privilegjin e trashëgimisë. Mësimin më të vyer kishte historinë e dhimbshme të një demokracie të munguar dhe si frymëzim lirinë, atë të mendimit e të fjalës, barazinë, meritën, konkurrencën.

Nëse kthehemi pas në ato ditë tetori të vitit 1997, do e kuptojmë se sa e vështirë ka qenë për të ardhur deri këtu. Misioni që i’u ngarkua Shkollës së Magjistraturës për të filluar një epokë krejt të re kishte të bënte jo thjesht me edukimin për ligjin, se sa me edukimin për kulturën juridike. Fatmirësisht, ky mision i rëndësishëm i’u besua disa pedagogëve të ndërgjegjshëm dhe të pasionuar, me profil akademik, por edhe me përvojë të pasur praktike. Në fjalët e thëna nga një studiues i njohur se, “nuk mund t’u mësosh të tjerëve atë që di, as atë që do, por veç atë që ti je”, evidentohet synimi, por edhe orientimi që kanë pasur pedagogët e Shkollës së Magjistraturës, ekspertët e trajnerët e saj për të përcjellë në vijimësi te kolegët e tjerë dhe te magjistratët, modelin që nevojitet.

U arrit të hidhen themele të qëndrueshme, mbi të cilat u strukturua, nga viti në vit, një institucion model që realizon një procedurë transparente për rekrutimin e kandidatëve për magjistratë, që aplikon metodat shkencore në trajnimin vazhdues të gjyqtarëve e prokurorëve të sistemit dhe që përgatit dhe boton periodikisht revista dhe libra të karakterit shkencor.

Sot festojmë 20 vjetorin e Shkollës së Magjistraturës. Historia është pjesë esenciale e identitetit të saj. Ne jetojmë në një komunitet të përbërë, jo vetëm nga kandidatët për magjistratë, stafi pedagogjik e administrativ, por edhe nga 280 magjistratë të diplomuar nga Shkolla, nga të cilët 167 gjyqtarë dhe 113 prokurorë. Ne jemi pjesë e një komuniteti që shtrihet në kohë dhe në hapësirë dhe kemi një lidhje të pashlyeshme me të gjithë që kanë qenë përpara nesh. Për sa është arritur, ndjehemi krenar.

Mirënjohje për ata që ideuan, si dhe për të gjithë ata që e kanë konsoliduar këtë model të suksesshëm. Respekt dhe nderim i veçantë për partnerët ndërkombëtarë, në veçanti Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa ndihmën dhe pa mbështetjen e vazhdueshme të të cilëve, nuk do arrihej të shmangeshin pengesat jo të pakta, por as të strukturohej ky institucion i pavarur i edukimit juridik.

Sot, në këtë përvjetor, Shkolla e Magjistraturës vlerësohet ndër institucionet e besueshme të sistemit, me një rol të rëndësishëm dhe përtej funksioneve të saj fillestare, si pjesë e këshillave, por edhe e procesit të vetting-ut, e renditur krahas 4 organeve te qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe e barazuar me institucionet e tjera të parashikuara nga Kushtetuta. Një privilegj, një krenari, por edhe një përgjegjësi shumë e madhe për një Shkollë.

Të nderuar pjesëmarrës,

“Magjistratura në perspektivën evropiane”- si tema kryesore e veprimtarive që zhvillohen sot, përcjell mesazhe, ku të gjithë ndjehen të përfshirë, duke filluar nga Shkolla, si një institucion elitar i dijes që formon magjistratin e të ardhmes; kandidatët për magjistratë që studiojnë në auditorët e saj; stafi mësimdhënës dhe administrativ që kontribuon për rritjen e performancës së saj; gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit, tashmë të gjithë të titulluar magjistratë, të cilët e dinë mirë se edukimi nuk merr fund me mbarimin e shkollës; partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë ndihmuar në shndërrimin e Shkollës në një institucion të besueshëm, ashtu si edhe institucionet e shtetit shqiptar, mbi të cilat bie barra e përgjegjësisë për të mos e lënë Shkollën e Magjistraturës në korridorin e ndërtesës së një fakulteti, por për t’i krijuar infrastrukturën e domosdoshme që kërkon një institucion akademik, ashtu si dhe çdo shkollë homologe, në rajon e më gjerë.

Të nderuar pedagogë,

Në konferenca dhe takime ku diskutohen reformat shkollore, zhvillimet dhe rezultatet e arritura, apo në raporte të ndryshme për efikasitetin e shkollës, e dëgjojmë shumë shpesh pyetjen se “çfarë e bën një shkollë të jetë e mirë ? Përcaktimi i një shkolle të mirë është një çështje komplekse dhe sfiduese. Profili i një shkolle të suksesshme matet me kulturën, profesionalizmin dhe me cilësinë e mësimdhënies, me udhëheqjen e menaxhimin, me rezultatet dhe me gjithëpërfshirjen. Shpesh dëgjojmë se ajo çfarë është arritur deri më tani është e mirë dhe e rëndësishme. Gjithashtu ndodh që të jemi mjaft të kënaqur me punën e bërë, por një krahasim me shkollat e tjera, si dhe me atë për të cilën ka nevojë sistemi i drejtësisë, tregon se duhet të bëjmë ende më shumë.

Ajo ç’ka vlerësohet si një çështje themelore për Shkollën sot, është që të diplomuarit prej saj, të kuptojnë konceptin e ligjit dhe zbatimin e tij të vërtetë në shoqëri. Përgatitja e profesionistëve të mirë nuk mund të kuptohet edhe pa evidentimin e qytetarëve të mirë, të ndershëm e me virtyte dhe që respektojnë normat e rregullat etike dhe të komunikimit.   Vetëm atëherë, ata do të jenë në gjendje të bëjnë drejtësi.

Të gjithë jemi të bindur se ju pedagogë të Shkollës së Magjistraturës në 20 vite, keni bërë maksimumin për të përgatitur gjyqtarët dhe prokurorët për tu përballur me vështirësitë dhe me sfidat që i presin. Në saj të kontributit tuaj, drejtësia sot flet dhe shkruan me një gjuhë ligjore, më të saktë e më të përpunuar. Shumë varet nga ju, në veçanti nga modeli me vlerë i mësimdhënësit që shfaqni, por shumë më tepër varet nga integriteti i vetë magjistratëve të sistemit.

Të nderuar gjyqtarë e prokurorë,

Të gjithë ne besojmë se në modelin e një magjistrati duhet të mishërohen profesionalizmi, karakteri i fortë, virtytet e larta morale, korrektësia dhe përballja me të vërtetën për t’i rezistuar çfarëdo sulmi dhe për të arritur cilësinë në vendimmarrje.

Çdo ditë, ju merrni vendime të rëndësishme, që shpesh shkojnë përtej palëve në proces dhe që kanë impakt në opinionin publik. Çdo magjistrat, në punën që kryen duhet të jetë në gjendje të vështrojë veten e tij nga jashtë, përmes një procesi analize dhe autokontrolli. Të pranosh gabimet dhe të mësosh prej tyre është vlerë.

Shkolla e Magjistraturës ka bërë maksimumin për t’ju përgatitur që të përballeni me sfida, duke ua rikujtuar përherë se në sallën e gjykimit, duhet të hyni me mendimin se ndërsa gjykoni, prisni edhe të gjykoheni. Shumë varet nga Ju, gjyqtarë e prokurorë të sistemit. Ndaj, jepuani mundësinë njerëzve që t’ju besojnë!

Të nderuar kandidatë për magjistratë

Periudha në të cilën po përgatiteni të hyni në sistem përkon me një moment historik për vendin. Reforma në drejtësi sapo ka filluar të zbatohet dhe ju do të jeni bashkëshoqërues të saj.

Ju do të jeni magjistratët e rinj dhe do e filloni betejën për të bërë drejtësinë me modelin që do të prezantoni. Ju keni përgjegjësinë për të bërë që sistemi i drejtësisë të mos vazhdojë të etiketohet si sistem i korruptuar, jo profesionist dhe i prekur nga presioni dhe ndikimi politik. Duhet të ndjeheni mirë për sa keni arritur. Ashtu siç jemi të bindur se do i jeni mirënjohës Shkollës së Magjistraturës, për sa ka bërë dhe bën për ju.

Çdo brez beson se jeton në kohëra të veçanta, dhe ndoshta kjo gjë thuhet përherë në ceremoni të ngjashme përvjetorësh. Sidoqoftë, sfidat me të cilat të gjithë ju magjistratë dhe kandidatë për magjistratë do të ballafaqoheni, janë të shumta. E nga ky aspekt, Shkolla e Magjistraturës e pranon se përgjegjësia e saj është edhe më e madhe për të përgatitur gjyqtarët dhe prokurorët që do të rikthejnë besimin e shqiptarëve në sistemin e drejtësisë.

Prandaj, të gjithë ju magjistratë e kandidatë për magjistratë, jepjani vetes, por edhe Shkollës së Magjistraturës kënaqësinë për tu ndjerë krenarë gjatë gjithë rrugëtimit tuaj, duke shpresuar në një karrierë të gjatë dhe të ndershme.

 

*Kryetar i Magjistraturës. Fjala e hapjes në Konferencën “Magjistratura në perspektivën evropiane”

Please follow and like us: