Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Pse na duhej Nobeli i Kadaresë?

 

Iku dhe kjo herë.

Nobeli nuk iu dha, ata që për muaj e luftuan me letra të shkruara e të pashkruara do buzëqeshin nën e mbi buzë të kënaqur se ishin ata, që vendosën fatin e këtij vlerësimi botëror dhe ithtarët e idhnuar për humbjen që kaq shumë i duhej vendit do të shkruajnë artikuj ngushëllimi më shumë për veten dhe për inat të palës tjetër, duke shpresuar se në ato maja rripa-rripa do të vijë dhe radha e tyre.

Por s’dua të ndalem tek Ismail Kadare, ai e njeh veten dhe atë që ka shkruar, ashtu si ka dhe profesionistë në fushën e tij, që i kanë bërë analizën letrare veprës për të gjetur vlerat e vërteta të saj, pa pyetur nëse ishte disident ose jo dhe për atë të re që ka sjellë në formën e të shkruarit.

Sigurisht dhe ata të Çmimit Nobel, e kanë kaluar mëse një herë në dorë dhe kanë ditur të gjejnë e shohin përtej letrave dhe broçkullave të bashkëatdhetarëve dhe pse-në e përzgjedhjen e dinë vetëm ata, se si duket ai Çmim Baruti, jepet më shumë për të veçanta se sa për ç’është arritur në jetën e një shkrimtari, ka plot shembuj që vërtetojne si këtë dhe të kundërtën e saj.

Nuk duhet të ndalem edhe pse na duhet një Kadare, për çka bërë si rapsod i historisë së vendit të tij dhe si militant patriot për çështjet kombëtare, që nga bashkimi i trevave, në lëvrimin dhe mbrojtjen e gjuhës, ruajtjen e simboleve kombëtare dhe historisë, përpjekjen për të shëruar një shoqëri tejet të infektuar që po shkelmon çdo gjë të vetën, por dhe atë drejtim që duhet të marrë Shqipëria mes vendeve të Evropës nëse edhe ky koncept do të vazhdojë gjatë për alencat e veta dhe nevojat politike, a vetëm për vendosjen gjeografike dhe strategjike që e kanë lakmuar perandoritë, kalifatet apo bashkimet vullnetare të shteteve dhe kombeve.

Kadare me çmimet dhe vlerësimet e tij, na duhet më shumë ne, për të mikluar atë sedër të dërmuar nga lufta me veten, ashtu si dhe shumë “figura” të tjera të njohura, se po të hapim petët, e petët sot hapen lehtë s’kemi me se të mburemi: shprehje gjeografike me një histori parahistorike të paqartë, një shtet në mesjetë që s’ish shtet, një periudhë pushtimi ku jo vetëm qëndruam të nënshtruar por nënshtruam me egërsi shumë popuj të tjerë, mercenarë deri në fund të një perandori të lindjes, na dhanë ç’deshën e morën më shumë, na caktuan një mbret të huaj, shpikëm një mbret që dhe sot e mbajmë kur asnjëherë s’ish, pesëdhjetë vjet diktaturë nga më të egrat jugo-ruso-kinezo e çfardo veç një mbretërim, e një tranzicion fallco, të shtirur dështak dhe asnjë të ardhme veç presim të na e bëjnë të tjerët, ata që s’lamë gjë pa u thënë në emër të lirisë në burgun që e ngritëm vetë, e ruajtëm vetë dhe vetë po e mbajmë ende duke ëndërruar “kohët e arta”, që kur i gërricim del gjak e qelb, e helm për ata që bënë të paktën diçka, që u munduam të bënin diçka, si dhe sot.

Heronjtë nuk janë ata që shajnë dhe as ata që na mburin, heronj janë ata që bëjnë, luftojnë jo ata që qurraviten parlamenteve e thërrasin “ejani të qeverisim së badhku” se ajo që iu shesin është e drejta juaj, e drejta jonë, jo e tyrja për të na bërë nder. Lërini këto parti e votoni për kandidatë dhe programe se s’janë partitë që iu përfaqësojnë por është vetja juaj. Mjaft u mjeruat në pafuqinë tuaj, dhe me atë pak që keni.

Mjaft e lamë dhe e shplamë trurin për të mos bërë asgjë, shikoni ato shtete që dikur Kadareja me krenari shqiptare i tallte si kra-kra, apo ato që s’kishin as gjuhë të tyre e letërsi dhe atë të huazuar, se ku janë sot, ç’bëjnë për të ndryshuar vendin e tyre, se më duket se nga i gjente dhe i shihte Kadareja këto, në ëdërra apo tek sokaku i të marrëve, që janë mjaft të zgjuar të shplajnë trurin e tyre nga lufta e pafund me mullinjtë me erë brenda vetes.

Hapni sytë kolibja po u rrëzohet, trarët po i bien a në mos po i shkulni vetë për një inat të heshtur historie që s’brriti kurrë dhe lërini idhujt që i përdorni apo i mohoni si struci. Popull ndrysho veten që të ndërtosh diçka më shumë se ç’e meriton! Njerëz të mirë thërrisni e u kërkoni llogari atyre që iu dhatë votën, bëjini t’iu përrmiren brekët nga frika, ndryshoni e kërkoni ndryshim për çdo gjë që qelbet dhe ata që e qelbën dhe e qelbin, mos iu shmangni asaj që është e juaja, politika nuk bëhet në kafene, as në FB, as duke qarë në parlament, por tek ju e nga ju, qytetarë të lirë e të vetëdijshëm me zërin dhe këmbënguljen tuaj.

Please follow and like us: