Fuçia, tregim nga Viron Kona
“Mos iu përul kurrë “të fortit”,
shpinën ta shndërron në urë,
po të tregohesh i frikshëm,
të shtyp, mbi ty bënë rrugë”.
Autori (Nga libri “Epigramet”)
Si të gjithë fëmijët e botës edhe ne lojën më të preferuar kishim futbollin. Fusha jonë ndodhej në mes të lagjes. Ishte e shtruar me rërë të hollë, që e quanim “kum” dhe rrethohej me shkurre që dimër e verë rrinin gjithnjë të gjelbra. Diku në anë të fushës ndodhej një fuçi, e mbetur aty nga koha kur fusha kishte qenë vendgrumbullim i fuçive me bitum 1). Ato transportoheshin prej aty në portin e Skelës 2) dhe ngarkoheshin në vaporët tregtarë, që i çonin larg nëpërmjet deteve. I sillnin nga Selenica me dekovil 3), e cila përmendej për serën e famshme, madje thuhej se miniera e serës e Selenicës ishte më e vjetra në botë dhe se me serën e saj ishin shtruar dikur edhe rrugët e Parisit…
Fuçia kishte mbetur aty, mbase ngaqë nuk i duhej askujt, sepse, dikur, ishte çarë në fundin saj dhe bitumi i përhapur kishte formuar një shtresë, që e mbante fuçinë të fiksuar me sipërfaqen e tokës. Gjithsesi, ne na pëlqente që ajo fuçi të ndodhej gjithnjë aty, madje me emrin e saj kishim pagëzuar edhe fushën e lojës. Për shembull ne thoshim: “Ndeshjen do ta bëjmë te fuçia”. Aty, ndaheshim në dy grupe dhe ia nisnim lojës së futbollit me porta të vogla, që ne i quanim hungareze dhe, rrallë herë me porta të mëdha. Ndodhte që topi binte shpesh herë brenda fuçisë dhe, atëherë, të djersitur nga loja i vinim rrotull asaj pa guxuar të futeshim brenda e ta merrnim topin, sepse ndjenim vështirësi për të dalë. Por, nuk ishte fuçia ajo që na e vështirësonte lojën, por Gizja, një djalë më i rritur nga ne, shumë i gjatë dhe me trup të fuqishëm. Ai ndjente kënaqësi të ligë kur na e prishte lojën. Që të tregonte forcën dhe formën muskulore të trupit të tij, ai qarkonte rreth mesit dhe gjoksit rripa të gjerë dhe me ngjyra. Gizja rrinte gjithnjë me pantallona sepse këmbët, nga gjunjët e poshtë, i kishte të shtrembra dhe me gunga. Kur ndodhte që ne e shihnim të zhveshur me rroba plazhi, ai nga mesi e lart dukej si një monument i lartë dhe i fuqishëm, por që mbështetej në këmbë si prej argjili. Gjithsesi, Gizes i pëlqente ta thërrisnim “Gize pirati” ose “I forti i lagjes” dhe kërkonte t`i kishte të gjithë nën vete. Me të rriturit nuk ia mbante, kështu që na gjente ne të vegjëlve, duke na terrorizuar e keqtrajtuar me fyerje, por edhe duke na goditur me shkelma dhe sidomos me pëllëmbën e tij të madhe si lopatë. Veç kësaj na kërcënonte të mos ankoheshim se përndryshe do të na rrihte edhe më keq, dhe se do të na çonte te “shpella e peshkaqenëve dhëmbësharrë ” në Karaburun. Kohën më të madhe Gizja e kalonte te moli Zero, një mol i vjetër, të cilit i kishin mbetur vetëm hekurat dhe disa shtylla betoni. Moli nuk funksiononte. Aty mblidheshim ne kalamajtë për të notuar, apo disa peshkatarë të moshuar që rrinin me orë të tëra për të kapur ndonjë peshk. Gizja e quante veten zot të molit Zero, kështu që të gjithë ata që donin të peshkonin atje, i paguanin atij “taksën”, pastaj hidhnin grepat. Lekë ai kërkonte edhe nga ne fëmijët që donin të laheshim te moli, përndryshe “sa të thahet pështyma ime, të mos ju shohë më këtu!”,-thoshte dhe na përzinte me të shara dhe me britma.
-Mbathja se do të kapë “Gize pirati!” – thoshim ne sa e shihnim dhe ia mbathnim vrapit. Atë që kapte duke u larë pa paguar “taksën”, Gizja e merrte për krahësh dhe për këmbësh dhe e hidhte si një kërcu nga moli në ujë…Kur ndodhte që i thërrisnin nga larg se, ai fëmijë që kishte kapur për krahësh nuk dinte të notonte, prandaj ai të mos e hidhte nga moli në det, atëherë, Gizja shtrëngonte dhëmbët sa i kërcisnin, shkundte krahët në ajër përpara gjoksit si orangutang dhe, duke na tmerruar të gjithëve, e hidhte viktimën më fortë dhe më larg mbi dallgë. Ndërsa djali përpëlitej mbi ujë dhe nën ujë, Gizja kthehej nga ne fëmijët e tjerë dhe thërriste me zë të lartë: “Frikacakë! Në molin tim s`ka vend për ngordhalaqë, po për kapobanda dhe piratë! Nuk i thonë kot këtu “Moli i Gize piratit!” Dhe, tani, shikoni dhe mësoni, o bretkosa kënetash!” – dhe, në fjalë e sipër, ai hidhej si peshk nga maja e molit. Ishte një hedhje që, edhe notarët e sprovuar të trampolinave do ta kishin zili. Madje, ndonjëherë, na dukej se Gizja edhe ato skena që sajonte me britma dhe ulërima, duke na vërvitur ne kalamajve nga moli në det, i krijonte që aty të mblidheshin sa më shumë banorë të lagjes dhe të shihnin momentin kur ai lëshohej shigjetë mbi ujë për të kapur e shpëtuar viktimën që gati po mbytej…Pasi e nxirrte nga uji fëmijën e gjorë që dridhej nga frika, ai i thërriste:
-Po të kapa edhe një herë tjetër te moli im pa një lekë në xhep, hidhu vetë më mirë, se herën tjetër do të vërvitë te “shpella e peshkaqenëve dhëmbësharrë”, në Karaburun, e more vesh, në Karaburun! – i thërriste ai në rrëzë të veshit dhe, vetëm atëherë e linte shokun tonë të lirë.
Gizja ndihej zot i lagjes, i molit Zero, por edhe i ne fëmijëve.
Ai gjatosh këmbështrembër na e kishte prurë shpirtin në majë të hundës, na e “nxinte” jetën çdo ditë dhe qe bërë i padurueshëm e i urryer. Sa herë që mblidheshim grup, ne bisedonim me zëra të ulët dhe bënim plane se si të hakmerreshim për sjelljet e padurueshme dhe ligësitë që na bënte Gizja, por nuk na i mbante, kishim frikë prej tij.
-“Gize pirati” trembet vetëm nga kapter Zaloja, i plotfuqishmi i lagjes, – thashë unë një ditë, – por ne druajmë t`i themi atij sepse Gizja mund të hakmerret.
Pranë m`u afrua Tiku, njëri nga shokët tanë që kishte aftësi të shkëlqyera për të imituar. Ai imitonte llojet e zogjve, por edhe zërat e ne fëmijëve, madje edhe të rriturve. Ne gajaseshim me imitimet e Tikut dhe kishim shumë qejf ta dëgjonim.
-Ku e di ti se “Gize pirati” e ka frikë polic Zalon? – më pyeti Tiku.
-E di se kështu më tha vëllai im i madh.
Tiku ndenji disa çaste pa folur, pastaj tha:
-Çuna, unë kam një mendim se si të hakmerremi ndaj Gizes, por më jepni fjalën që do ta mbani sekret.
-Nuk do t`i themi askujt, – u betuam ne duke parë trimërisht njëri – tjetrin.
Atëherë Tiku, vijoi:
-Kur ta shohim “Gize piratin” që vjen drejt fushës sonë, ne ta hedhim vetë topin në fuçi dhe t`i lutemi atij që të na i nxjerrë. Kuptohet që do t`i japim ca lekë të holla nga ato që na japin prindërit për të blerë akullore apo ëmbëlsira. Kur Gizja të futet brenda në fuçi, ne ta mbyllim fuçinë dhe…
-Po ai është shumë i gjatë, mjafton që të përkulet dhe e merr lehtë topin, – tha Dania.
-Po, ke të drejtë, – tha Tiku dhe si u mendua pak, vijoi: -Kur ta hedhim topin, e trazojmë me një shkop bitumin, që topi të ngjitet në fund të fuçisë. Kështu që, kur Gizja të përkulet për ta nxjerrë topin, ne i hedhim kapakun fuçisë, i vëmë një dru dhe disa gurë sipër dhe Gizja mbetet brenda si ujku në kafaz. Të tjerat m`i lini mua.
Na pëlqeu mendimi i Tikut. Gjatë dy ditëve, gjetëm një kapak të madh llamarine, një shtyllë druri dhe i afruam pas fuçisë. Rreth e qark grumbulluam gurë të mëdhenj, kurse, te një vend disi më i ngritur, ku ne rrinim ulur përpara se të fillonim lojën, grumbulluam disa dhjetëra gurë të vegjël. Gjithçka e bëmë gati dhe pritëm të dukej Gizja. Më në fund, ditën e tretë, dikush nga ne e pa nga larg dhe menjëherë Tiku hodhi topin në fuçi dhe e trazoi bitumin që topi të ngjitej. Kur Gizja u afrua tek ne duke u fryrë si gjel dhe duke na u hakërruar, Tiku iu lut që të na ndihmonte për të nxjerrë topin që na kishte rënë brenda fuçisë.
Gizja na përshkoi me një vështrim të rreptë dhe na tha me zë të egër:
-Do futem ta marrë topin, por do të më jepni të gjithë nga pesë lekë. Jeni dhjetë çerra këtu kështu që unë dua gjithsej 50 lekë, ndryshe zhgërryhuni vetë brenda fuçisë, nxirreni atë top të shpifur dhe, sa të thahet pështyma ime të mos ju shohë më…!
Ne u shqetësuam. Nga pesë lekë për ne ishin shumë. Kur kishim pesë lekë, kishim gëzim të madh sepse me ato blinim akullore dyshe. Veç kësaj, na vinte inat se, me një të marrë të topit në fuçi, Gizja fitonte menjëherë 10 akullore dyshe. Se, ne, kështu, me akullore kishim qejf t`i barazonim ato pak lekë të holla që na jepnin ndonjëherë prindërit. Megjithatë u pamë me njëri- tjetrin dhe, me mendje vendosëm se çfarëdo çmimi të na kërkonte Gizja, ia vlente që ne të zbatonim planin e hakmarrjes, ai doemos duhej të paguante për gjithë ato të zeza që na bënte.
-Mirë, – i thamë ne Gizes, – futu dhe nxirre topin, dhe ne do të të japim të gjithë nga pesë lekë.
Gizja u zgërdhi nga kënaqësia. Ai ishte i gjatë dhe e kishte të lehtë ta merrte topin, por ngaqë topi ishte ngjitur me bitum, ai u fut brenda, u përkul dhe thuajse u zhyt brenda fuçisë. Atëherë, Tiku dhe disa nga ne, që ishin më të fuqishëm, u afruam në heshtje te fuçia dhe hodhëm menjëherë sipër saj kapakun e llamarinës, vendosëm shtyllën mbi të dhe disa gurë të mëdhenj. Ndërsa Gizja zuri të na shante dhe ulërinte, ne u distancuam disa dhjetëra metra dhe nisëm ta goditnim fuçinë me gurët e vegjël, që i kishim grumbulluar për atë qëllim. Aq shumë gurë, saqë e tërë lagjja gjëmonte. Disa të rritur që kaluan pranë nesh na qortuan, por ne vazhdonim të goditnim fuçinë me breshëri gurësh. Po hakmerreshim ndaj Gizes për të gjitha të këqijat që na kishte bërë, sidomos që na hidhte nga moli në det, që na zbonte nga fusha, që na kërkonte “taksë” për të bërë not te moli Zero, që na fyente dhe na shante me rrënjë e me degë, që na godiste me pëllëmbën e tij lopatë…Në fillim, Gizja zuri të na kundërpërgjigjej nga brenda fuçisë me të shara e kërcënime, por kur kuptoi që breshëria e gurëve s`do të ndalej, atij i hyri frika dhe “i ranë pendët”. Zuri të na lutej që ta nxirrnim nga fuçia. Atëherë, Tiku, që kishte aftësi të shkëlqyera imituese, u afrua te fuçia dhe duke e bërë zërin si të “Të Plotfuqishmit” të lagjes, polic Zalos, zuri ta pyeste:
-Kush je ti që bërtet brenda fuçisë? Mos je ai i tmerrshmi i lagjes që i pëlqen ta thërresin “Gize pirati?”
-Unë jam or, unë, Gizja, “Gize pirati”, po më nxirr që këtu se s`po marrë dot frymë!
-Po të nxora, do t`ua kërkosh pesë lekëshe-t kalamajve?
-Jo, të betohem, më vdektë nëna! Ata vetë më thanë! Po, kush je ti, që po më merr në pyetje, kush je? – thërriste Gizja nga brenda fuçisë.
-Nuk po më njeh, hë? Apo bën sikur s`më njeh! Paske punë me mua ti rrugaç i palarë i lagjes, ti edepsëz, ti zhapik kokëmadh i kënetës! – i bërtiti Tiku, duke imituar jo vetëm zërin, por edhe fjalorin e polic Zalos.
-Të njoha, or të njoha, ti je “I Plotfuqishmi” i lagjes, polic Zaloja.
-Mirë që më njohe se e di ti që unë ua bëj veshët parafango “berleti” atyre që s`duan të më njohin! Dhe, tani, ose do të bësh këto që po të them, ose do të të lë 48 orë brenda fuçisë, pa bukë dhe pa ujë… Po vazhdove të shash e të bërtasësh, do të të zhytë te “shpella e peshkaqenëve dhëmbësharrë” atje në Karaburun. Dhe, ti e di se sa të uritur janë peshkaqenët në këto kohë… Tani, më thuaj, do të sillesh përsëri keq me kalamajtë e lagjes?
-Jo, or jo, nuk do të sillem keq!
-Prit, prit mos u nxito se përgjigjet i dua të sakta dhe me radhë. Apo nuk e njeh radhën e mullirit ti?
-E njoh radhën e mullirit, si nuk e njoh…!
-E nga e njeh, ne s`kemi mulli në lagje!?
-S`kemi në lagje, por mua më ka treguar gjyshi në fshat, kur ai shkonte në mulli për të bluar misër…!
-Mirë, e mora vesh, radhën e mullirit e ditke, tani vazhdojmë me pyetjet.
-Po hë, or, bëji ato pyetje shpejt se po më zihet fryma këtu brenda!
-Duro dhe dëgjo,-i tha Tiku dhe vijoi:-Kur t`i shohësh kalamajtë në mol, do t`u kërkosh para?
-Jo, or jo, të betohem!
-Do t`u bërtasësh, do t`i zbosh nga fusha, do t`ua prishësh lojën…?
-Jo, as do t`i shajë, as do t`u bërtasë…, vetëm më nxirr se m`u zu fryma.
-Nëse do të të nxjerrë nga fuçia, do të hakmerresh?-vijoi Tiku pa e prishur terezinë.
-Jo, or, jo, t`u betova, zura be për kokën e nënës…çfarë do më shumë ti!
-Atëherë, po të bëj edhe pyetjen e fundit: -Do t`u kërkosh të falur kalamajve kur të dalësh nga fuçia?
Këtu, të gjithë ne fëmijët pritëm me ankth. Zëri i Gizes nuk po dëgjohej. Dukej e kishte të vështirë të mposhtte krenarinë dhe të kërkonte falje, sepse e dinte që, pas asaj faljeje, autoriteti i tij mbi ne të vegjlit do të bëhej copë e thërrime.
-Nuk e dëgjova përgjigjen e pyetjes që të bëra,-ngriti zërin Tiku,- do t`u kërkosh falje kalamajve apo jo?
-Çfarë më thua or, çfarë më thua!? Unë nuk ua kam pasur me të keq…
-Po, apo jo?- ngriti zërin shoku ynë.
-Po or po, do t`u kërkoj falje, vetëm nxirrmë nga fuçia…
-Atëherë më dëgjo mirë, – i tha Tiku, – unë do të largohem se kam një mbledhje urgjente, por, ti, pasi të largohem unë, do të rish urtë si breshkë ferre edhe pesë minuta të tjera brenda fuçisë dhe nuk do të bësh as “gëk” dhe as “mëk”, e more vesh apo jo?
-Po, or, po, e mora vesh!
-Me njërin vesh apo me të dy?
-Me të dy, or me të dy!
-Atëherë, unë, po heq kapakun dhe peshat e vendosura mbi fuçi dhe po largohem. Ti do të dalësh vetëm pas pesë minutash, vetëm kur fuçia t`ia bëj “bam”. Po dole më shpejt, të piu e zeza! Po nuk i mbajte premtimet, t`u ktheva prapë dhe ti e di se çfarë të gjen, atje do të vërvitë te “shpella e peshkaqenëve dhëmbësharrë” atje në Karaburun, në Karaburuun, në Karaburuuun…, – imitonte Tiku gjoja duke u larguar…
Ndërkaq, të gjithë bashkë ne hoqëm me kujdes drurin e gjatë, pastaj edhe gurët që kishim vënë mbi fuçi dhe u larguam me çapa të lehta te grumbulli i dheut. Qëndruam bashkë rreth Tikut që, sido që të shkonte puna, të përballonim të bashkuar një hakmarrje të mundshme të Gizes. Pas pesë minutash Tiku hodhi një gur drejt fuçisë dhe ajo ia bëri “bam”. Ishte sinjali që “Gize pirati” i zënë në grackë të dilte.
Gizja doli nga fuçia i leqendisur, pa me frikë andej-këndej, përqendroi një copë herë vështrimin nga rrugicat e lagjes për të kuptuar drejtimin e mundshëm nga mund të ishte larguar polic Zaloja, pastaj zuri të na afrohej, herë me vështrim dyshues dhe herë si një qen gojëhapur, që e ka zënë vapa. Ne bënim gjoja se nuk e kishim mendjen tek ai. Atëherë, Gizja qëndroi përpara nesh kokulur dhe tha:
-Çuna, iku ai…?
-Po na pyet për të plotfuqishmin, polic Zalon?
-Po, për atë po ju pyes.
-Ai u largua andej, – bëri me dorë Tiku, – por tha se të kishte lënë një detyrë… –Do t`ju pyes sot në mbrëmje, na tha ne të vegjëlve, duke na kërcënuar që ne t`i tregojmë nëse ti do të zbatosh atë detyrën që të ka lënë. Nuk e dimë çfarë detyre të ka lënë, por ama na tha që t`i raportojmë si në mësim të gjitha fjalët që do të na thuash ti. Ne kemi frikë nga polic Zaloja, po ti, si do të bësh? – e pyeti Tiku gjoja edhe ai frikësuar.
-Po, or po, do t`ju kërkoj të falur!
-Çfarë do të bësh se nuk të dëgjova? – e pyeti Tiku gjoja se ne nuk dinim asgjë.
-Do t`ju kërkoj falje, ja këtë do të bëj! – tha Gizja.
Dhe, ai njeri, i cili pak çaste më parë kishte qenë tmerri ynë, zuri të thoshte me zë krejt të zbutur:
-Unë, o çuna, ju kërkoj falje për sjelljet e këqija ndaj jush. Unë ju betohem se nuk do t`jua prish më lojën, nuk do t`ju hedh më në ujë nga moli Zero, nuk do t`ju bezdis më. Moli im, këtej e tutje është moli juaj…Edhe kur topi t`ju bjerë brenda fuçisë, unë do të vijë me vrap dhe do ta nxjerrë…Po deshët juve, unë edhe fuçinë e ngre që këtu dhe e hedh në det, që ju të kënaqeni duke luajtur dhe të mos keni asnjë pengesë gjatë lojës…
-Jo, jo, lëre fuçinë, është mirë aty! – thamë ne me një zë, ngaqë tek ajo fuçi ne pamë shpëtimin tonë, kurse, brenda saj, na dukej se sapo kishim mbyllur gjithë ligësitë e atij njeriu që i pëlqente ta quante veten “Gize pirati”…
****
1).Bitumi është lëndë minerale me ngjyrë të errët a të zezë, nxirret nga nëntoka dhe përdoret për të shtruar rrugët,për ndërtim dhe izolim. Quhet ndryshe dhe serë. Emërtimet rreth bitumit: Bitum natyror, i pastër (i lëngshëm, i holluar), bitum nafte, pllakë bitumi, fuçi bitumi, industri bitumi, shtroj me bitum etj.
–Selenica(qytet), konsiderohet ”mëma” e vendburimeve minerare në Shqipëri me një histori mbi 2000 vjeçare. Famën e ka nga bitumi, i cili nxirret nga nëntoka. Vendburimi përmendet nga historianët e lashtësisë, flasin veçanërisht Aristoteli, Straboni etj. Një përshkrim interesantë bën kronikani turk Evlija Çelebi. “Këto male, – thotë ai, – janë çudia madhe e Zotit. Sipër ato janë të mbuluara me gjelbërim, ndërsa në brendësi të tyre janë mbushur me serë të zezë”. Miniera është shfrytëzuar nga ilirët. Ajo është shfrytëzuar edhe nga turqit, francezët, italianët, anglezët, edhe sot një firmë franceze e ka shfrytëzimin e saj…Vet Selenica me minierën, me 8000 banorët e saj, përgjithësisht minatorë, tregon vlera të mëdha historike, ekonomike dhe sociale. Emri i Selenicës lidhet edhe me emrin e piktorit të madh David Selenicasit (shek. 17-18), ndërkohë që, qyteti i minatorëve është i njohur edhe për lëvizjet greviste…
2). Skelë, vend në breg të detit, i mbrojtur nga dallgët e stuhitë, i ndërtuar për t`u afruar anijet për t`u ngarkuar e shkarkuar. E tillë është edhe Skela e Vlorës, e cila është njëherazi edhe lagje e vjetër e qytetit. Vlora, kur përmendet në lashtësi përmendet si qytet – Skelë, madje në shekullin e XV ka qenë ndër portet më të rëndësishme të Mesdheut dhe është dëgjuar, si dhe vetë qyteti, për punimin e shpatave, mëndafshit, argjendit dhe nxjerrjen e kripës. Nga porti i Skelës transportohej në vende të ndryshme të botës edhe bitumi i Selenicës. Skela është e përmendur veçanërisht edhe për kalanë e Skelës, e ndërtuar(apo përforcuar) nga osmanët në vitin 1531. Kalaja, e cila sot ndodhet nën dhe`, ka pasur formë tetëkëndëshe dhe ka qenë e përshtatur për artileri, por historia e kësaj kalaje ka qenë edhe më e hershme, dikur e quajtur “Kështjellë veneciane”. Në mesjetë aty shtrihej edhe vetë qyteti-port i Vlorës.
3). Dekovili, treni Vlorë –Selenicë, që transportonte nga Selenica në Skelë rrotullat e asfaltit. Në Skelë vinte dhe dekovili i kripës, këta kishin lokomotiva të vogla, po ashtu edhe vagonët. Mbaj mend që në krye të dekovilit makinistët sipas preferencave u vinin emra, si për shembull “Erdhi luani!”, ”Goxilla”, “Përbindëshi” dhe, në të vërtetë treni i tillë ishte, ai mezi frenonte dhe kishte pasur raste aksidentesh në njerëz dhe kafshë. Mbaj mend që njëri nga makinistët shkroi në krye të trenit emrin “Enola Gay”. Por dikush i tha makinistit, që ta shuante shpejt atë emër, madje s`duhej ta merrte vesh njëri. Edhe ne kalamajve na porositën që të mos e përmendnim. “Ti transporton kripën e popullit dhe jo bombën atomike!”- i kishin thënë makinistit, i cili i kishte vënë trenit atë emër me tingëllimë të bukur, pa e ditur se ai ishte emri i avionit amerikan B-29 që hodhi bombën e parë atomike në Hiroshima të Japonisë më 06 gusht 1945. Në të vërtetë Enola Gay, ishte emri i nënës së pilotit amerikan, që hodhi atë bombë. Gjatë kohës që përgatitej për misionin, ai shkroi në trupin e avionit emrin “Enola Gay”.