Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Vjosë, lum e llum!

 

Ajo që të bën përshtypje në këtë rastin e Këlcyrës, ku një shoqëri e tërë dënon masakrën mjedisore mbi lumin Vjosa, por edhe një tërësi webesh etj., është heshtja opozitare. Thuajse gjithë ato webe që janë në urdhrat e opozitës, merren me çështje tekanjoze, gërr-vërret e tyre. Dhe atë zhurmën karakteristike të langojve që vetëm lehin, se, për të kafshuar as që dinë ta bëjnë. Kurse për ato qeveritare…, nuk habitem, pasi dihet, tek ne, jep ca lekë dhe i ke rrugët e hapura.

Kjo kulturë e mbrapshtë na është ngjizur keq, aq sa sot na ka verbuar jo vetëm sytë por edhe mendjen. Për shembull Monika Kryemadhi ka hallin se përse kanë hequr nga dogana një këngëtar. Sipas saj një vlerë e shoqërisë sonë etj. Por çfarë të thuash. Nga t’ia gjesh fillin lëmshit shqiptar. Ekzistenca e emrave fiktiv në borderot e shtetit është një gangrenë që po bluan jo vetëm Shqipërinë, por edhe ata që marrin ca rroga si dhuratë e pjesëmarrjes në komisione votimesh. Dhe kjo që një artist të paguhet fiktivisht, diku, kur dihet që fronti real i tij janë lokalet e natës, dasmat e shfrenuara shqiptare, është krejt demode. Eshtë ai çibanizëm a shushunjizëm alla shqiptar që përfshihet në atë informalitetin e dëmdemokracisë sonë, pikërisht prej militantëve. Ndaj ishin të trishtueshme fjalët e asaj vajzës nga Burreli, së cilës iu deshën dy vjet për të gjetur një vend pune në dikasteret e Shqipërisë, edhe pse kishte kryer shtatë vite studime në një nga universitet më të mira të Europës.

Por në Shqipërinë tonë, tesera e militantit ta bën në kokë ty edhe diplomës tënde. Jemi në kohën kur e ha robi, robin. Pra Mona ka hallin pse po u fshihen emrat nga borderotë militantëve, jo shkatërrimin mjedisor.
Kurse për PD-në as që bëhet fjalë. Kushedi i detyrohet ndonjë fond Harri Lenës. Eshtë e vendosur në gërrvërret e veta, në denoncimet e një veterani si Sali Berisha. Asnjëherë nuk është parë një PD e ndarë, e rënë, e copëtuar…, pa frymë masash, pa identitet si sot. Dhe ajo që është më e trishtueshmja, pretendimi i rikthimeve, pa e kuptuar asnjëherë se kohët kanë përfaqësuesit e tyre, vinë dhe duhet të ikin, i nxjerrin ata dhe u japin mundësinë për të dëshmuar…, atë që janë liderë apo legena. Në rastin konkret, është e hidhur, por e vërtetë, ky i sotshmi i përket legenizmit.
PD-ja sot vazhdon me denoncimin. Dhe krejt absurdisht me ca platforma bllokimish folotoresh, pikërisht në momentet më të domosdoshme të një debati për hapjen, sheshim, bashkimin etj. Nuk ka tradhtarë brenda një force politike, sa kohë ata kanë dalë prej saj. Por ka uzurpatorë dhe manipulues, e ky është regres.
Por e gjitha kjo heshtje e florinjtë e ka një shpjegim, atë që në pushtet Edi Ramën, e solli pikërisht retorika vulgare e Ilir Metës. Dhe ajo PD-ja me ngjyra të kuqe, ajo republika e re e Lul Bashës. Dështimet e marrëveshjeve midis njëri-tjetrit, jo marrëveshjet për Shqipërinë. Kjo është e gjitha.
Por jemi te Këlcyra. Gryka e bukur, me ato rrape e ujra…, është fatkeqësi që u përket shqiptarëve. Rracës që nuk do ta kuptojë se poshtërsitë më të mëdha vendit tonë, ia kemi bërë ne dhe jo greku e serbi. Kjo ndodh pikërisht për shkak të asaj kulture të mbrapshtë që jep një dorë lek dhe gjithçka mundet.
Eshtë gjëja më e mirë kur një shtyp, një shoqëri civile reagon fort… Nuk ka gjë më elegante. Epoka e besnikerisë së përjetshme karshi politikës, bizneseve të saj duhet të marri fund. Epoka e heshtjes. Janë një sërë biznezmenësh, përfshi politikanë, etj., që mëkatet e tyre i mbulojnë me forcën e lekut. Jo vetëm mëkatet, por edhe krimet njerëzore. Siç ishte rasti i një deputeti të përfshirë në një aksident rrugor, ku humbi jetën një njeri. Aksidenti është një fatkqesi. Dhe uroj kush mos ta ketë për pjesë. Mund t’i ndodhi gjithkujt. Por ka ca rregulla ama, ca ligje. Ka edhe kod moral. Të ikësh nga vendi i ngjarjes dhe ta mbulosh gjithçka me para, bën dy herë krim. E krim më të madh akoma bën një drejtësi e tërë, një qeveri, një shtet. Por krimin më monstruoz e bën një shoqëri që hesht dhe që fal. I fal kur gruaja e njërit apo tjetrit, vret në rrugë, paguan ca lekë dhe aq. I fal kur gjykatat lirojnë nga burgu si djemë të mirë lagjeje ca njerëz që i kanë bërë vendit dëme në miliarda. Çfarë të presësh prej këtij soji burrash më? Reforma, zbatim të ligjit, demokraci?! As mos e çoni nëpër mend. Këta janë vetëm për bythën e tyre, jo për Shqipërinë. Ndaj mos heshtni!

Please follow and like us: