Albspirit

Media/News/Publishing

Kroacia i kujton Serbisë hartën e kufijve pa Kosovën të pranuar më 1878

Pas provokimit të fundit të ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin dhe ulëritjes së Aleksandar Vuçiqit për Kosovën, me të vërtetë ka ardhur koha t’ua përkujtojmë fqinjëve tanë disa fakte historike, shkruan sot portali kroat Dnevno.hr. Nëse përjashtojmë sundimin e shkurtër dhe të suksesshëm të Car Dushanit, i cili gjatë periudhës së luftës civile në Perandorinë Bizantine shfrytëzoi gjendjen pa pushtet në Ballkan dhe përkohësisht zgjeroi kufijtë e Serbisë, pa e përballur asnjëherë ushtrinë e tij me ndonjë forcë tjetër ushtarake në fushën e luftës, atëherë duhet ta pranojmë se Serbia gjatë historisë ishte një shtetëth i vogël dhe i parëndësishëm, pa asnjë rëndësi në këtë pjesë të Evropës.

Pa Kosovë e Metohi

Po ashtu nuk është e parëndësi të krahasojmë kufijtë e Kroacisë e të Serbisë, në kohën kur realizuan shtetësinë aktuale. Mbretëria e Serbisë është pranuar si shtet pas Kongresit të Berlinit më 1878. Njohja ndërkombëtare u referohej kufijve momentalë të Serbisë që shihen në hartën nga viti 1878.

Siç shihet, në atë hartë nuk është, siç i referohet autori Kosovës, Kosova e Metohia. Po mos të ishte ndërhyrja e Britanisë, Francës e Rusisë më 1913, Kosova do të mbetej me Shqipërinë, në kohën kur ai vend u njoh diplomatikisht. Por, Shqipëria, e cila shpalli pavarësinë e vet nga Turqia osmane më 1912, konsiderohej kliente e Austro-Hungarisë dhe Italisë, ndërsa fuqitë e tjera të mëdha dëshironin që miqtë e rivalëve të tyre të jenë të vegjël. Britania, Franca dhe Rusia për këtë arsye themeluan Konferencën e Ambasadorëve, e cila më 29 korrik të vitit 1913 pranoi Shqipërinë brenda kufijve të rrudhur. Kosova dhe një pjesë e Metohisë (bëhet fjalë për Rrafshin e Dukagjinit – sqarim ynë) përfshirë Prizrenin, pavarësisht se shumica e popullsisë ishin shqiptarë, iu dorëzuan Serbisë, mikut të Francës, Rusisë dhe të Anglisë, ndërsa Mali i Zi (miku tjetër i Rusisë) fitoi Pejën dhe Gjakovën. Kësodore vetoja e fuqive të mëdha për të drejtën e Kosovës për vetëvendosje kombëtare mbolli farën e të gjitha problemeve që u shfaqën ndërkohë.

Mitet serbe

Nuk e di se për çfarë arsyeje të ashtuquajturit atdhetarë druajnë t’i thonë botërisht këto fakte historike. Kosova i takon Serbisë vetëm sipas mitologjisë së tyre (serbe – sqarim ynë). Shikuar historikisht, ajo që njëmend u takon ndodhet brenda kufijve të pranuar ndërkombëtarisht nga viti 1878. Natyrisht, fillimisht Principata e më pastaj Mbretëria e Serbisë kishte nevojë për zgjerim të mëtejshëm prandaj me anë të agresionit, gjenocidit, terrorizmit, por edhe me ndihmën e madhe të fuqive botërore, arriti ekspansion që mund t’i kihet zili.

Kroacia arriti shtetësinë aktuale shumë më vonë, konkretisht më 15 janar të vitit 1992, kur në kufijtë e sotshëm u njoh nga shumica e vendeve të botës. Edhe ne kroatët kemi një histori të gjatë me kufij shumë më të gjerë, por jemi detyruar të pranojmë këto kushte. Në Bosnjë e Hercegovinë i kemi lënë në mëshirë e pamëshirë qindra mijë kroatë, megjithatë askënd nuk e kërcënojmë me armë. Me përulësi dhe pa kundërshtime kemi pranuar njëfarë realiteti të politikës ndërkombëtare.

Iracionale e imagjinare

Në Serbi nuk kanë këso problemesh, meqë ata gjithmonë janë udhëhequr nga prijës iracionalë. Të tillë duket se i pëlqejnë. Imagjinariteti është gjë e mrekullueshme në politikë dhe prandaj Serbia ruan vigjilencën dhe në këtë mënyrë vazhdimisht ëndërron. Por, po të mos ishin kroatët të cilët përgjatë historisë janë drejtuar nga elementë anacionalë, turbullues, tradhtarë dhe budallenj të vërtetë, kjo ëndërr asnjëherë nuk do të realizohej. Politikanët tanë na futën në Mbretërinë Serbisë, Kroacisë e Sllovenisë e cila u shndërruar në Mbretëri të Jugosllavisë, që në fakt ishte Serbia e Madhe. Në atë monarki absolute, në të cilën parlamenti kishte ndikim të parëndësishëm, të gjitha detyrat me çfarëdo rëndësie ishin të rezervuara për serbët. Nga 200 gjeneralët dy ishin kroatë, nga të cilët njëri ndodhej në mision të përhershëm në Shqipëri. Vetëm një diplomat i shquar ka qenë kroat. Në Bosnjë nga 30 gjyqtarët që ishin pensionuar me detyrim, madje 29 ishin kroatë. Mësuesit kroatë me shumicë ishin në Serbinë e Vjetër dhe në Maqedoni, territore të cilat në pikëpamje fetare e kulturore ndryshojnë nga ato kroate.

Ndërsa vogëlushëve kroatë u arrinin mësues serbë. Policia ishte plotësisht serbe dhe e organizuar sipas modelit të policisë cariste ruse. Ajo fuste frikë përmes rrjetit të spiunëve. Mijëra persona ndodheshin në listën e pagave të policisë. Përmes torturimit të të burgosurve, të cilët refuzonin të denonconin miqtë e tyre dhe përmes arbitraritetit dhe vrazhdësisë së sanksioneve administrative, policia mund të gjykonte pa dhënë mundësinë e apelimit në organet gjyqësore.

Për ne kroatët është dëshpëruese fakti se në ato kohë kishte shumë tradhtarë e shërbëtorë të regjimit. Ata njerëz, sikurse edhe sot, shumë të ashtuquajtur majtistë dhe jugonostalgjikë tërhiqeshin me dobi për interes personal, transmeton Koha.net shkrimin e këtij portali.

Po heqim dorë nga historia jonë

Pavarësisht nga e gjitha sa u tha, problem nuk janë serbët, por kroatët të cilët fare lehtë heqin dorë nga historia e vet dhe shteti. Pa këtë pjesë të kombit kroat, imperializmi serb kurrë nuk do të përbënte kërcënim serioz. Kësodore, mbetemi të jetojmë në fqinjësi të përhershme të pasigurisë të drejtuar nga elitat politike të njëjta përherë të pangjyra dhe antipopullore për të cilët Atdheu nuk ka kurrfarë domethënie.

Me këtë vështrim mund t’ua kemi zilinë serbëve meqë ata secilin sundimtar, i cili nuk ushqen mitet mbi Serbinë e Madhe, menjëherë e likuidojnë. Ndër ne situata është krejtësisht ndryshe. Këtu ata që nuk e duan Kroacinë i vrasin ata që për të do të jepnin jetën.

Please follow and like us: