Adela Kolea: Stinë ngacatare qenke
Stinë ngacatare qenke,
ti plakë, vjeshtë e zverdhur,
ngacmohesh me diellin,
që të theku, të dogji
e vendosi që më pas, veshjet,
aty – këtu, të t’i kish hedhur.
Stinë ngacatare qenke
ti plakë, se njeriu,
me ty, ngado ku hidhka këmbët,
të jenë nuancat e tua
të jenë aromat, ajri,
që ai, ngrohtë – ngrohtë
t’u mbështillka nga ëndrrat.
As dielli vetë, më duket s’kuptoka
ç’efekt i sillka grindja me ty
ndaj shtrembër, vjeshtë plakë,
në sy të vështroka,
ndaj bashkë s’pajtoheni
e s’gjeni paqe të dy!
Zbuluar kishte, padashur, dielli
Se kush rrezet, tinëz ia rrëmbente,
në ëndrra të arta
për njeriun i shndërronte,
dhe lëmshin e zjarrtë,
po ashtu, tinëz e gënjente.
Ishe ti ajo, plakë, vjeshtë e zverdhur:
Ndaj dhe për romancat nga ty kënduar,
lëmshit të zjarrtë, përzier re e mjegull
grindje t’i shkaktoje, nuk kishe të pushuar.