Bllokohen aplikimet për Lotarinë Amerikane
Të shumtë janë qytetarët që tentojnë prej 24 orësh të plotësojnë formularin e aplikimit, por faqja është jashtë funksionit.
Sipas njoftimit në faqe sqarohet se serverat kanë rënë dhe po punohet për mirëmbajtjen e faqes, ndërsa këshillojnë që aplikuesit të provojnë sërish në një moment të dytë, sapo ajo të rregullohet, pa specifikuar kohën e saktë.
Programi i Lotarisë Amerikane i jep mundësi shtetasve të huaj të krijojnë një jetë të re në SHBA. Aplikimet do të mbyllen me datë 7 nëntor 2017, por më parë duhet të informoheni për elementët që ju s’kualifikojnë apo ato që rrisin shanset për të qenë pjesë e listës së fituesve.
Çdo gjë është si më parë në aplikim, përveç një opsioni të ri që është shtuar këtë vit: Mundësia për verifikimin e të dhënave. E rëndësishme është që secili ta plotësojë sakte aplikimin, dhe nëse nuk ka njohuri në gjuhën angleze mund të asistohet nga dikush tjetër që mund të jetë një zyre e specializuar.
Nëse aplikoni për herë të parë, kujdesuni që fotografinë ta realizoni në një “Foto-Studio”, pjesa më e madhe e tyre i dinë përmasat e duhura. Fotoja duhet te jete e re dhe jo e përdorur me pare për aplikim. Është shumë e rëndësishme se çdo person duhet ta plotësoje vetë aplikimin. Kriter është që duhet të kesh shkollën e mesme gjatë kohës që jepen intervista.