Albspirit

Media/News/Publishing

Si i zgjedh Kina liderët e saj?

Çdo pesë vjet elita e Partisë Komuniste të Kinës mblidhet për të zgjedhur lidershipin e ardhshëm të vendit. Takimi i javës së ardhshme, në Pekin ka të ngjarë të shënojë fillimin e mandatit të dytë të presidentit në detyrë , Xi Jinping dhe të përfshijë një riorganizim të trupit të lartë, Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike. Nga 2 300 delegatë partiakë nga i gjithë vendi, 2 287 janë përzgjedhur për të marrë pjesë në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste duke filluar nga 18 tetori. Ndërsa,  13 të tjerë janë përjashtuar për shkak të asaj që është quajtur si “sjellje e papërshtatshme”. Gjatë kongresit, i cili në të kaluarën ka zgjatur rreth një javë, delegatët zgjedhin organin vendimmarrës, Komitetin Qendror. Komiteti Qendror i zgjedhur në kongresin e fundit të partisë kishte 205 anëtarë me të drejta të plota votimi dhe 171 anëtarë alternativë. Më pas, Komiteti Qendror zgjedh Byronë Politike (komitetin ekzekutiv për Partitë Komuniste) me dyer të mbyllura dhe prej tij Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike, një grup i fuqishëm që përfshin edhe presidentin. Fillimisht, Byroja Politike kishte 25 anëtarë, ku njëri prej tyre, Sun Zhengcai, ish-sekretari i partisë në Chongqing, u përjashtua nga partia për “shkelje të rënda të disiplinës”. Komiteti i Përhershëm ka shtatë anëtarë, por këto shifra mund të ndryshojnë. Rreth gjysma e anëtarëve të Komitetit Qendror aktual pritet të japin dorëheqjen këtë vit, pas arritjes së moshës së pensionit jozyrtar,  68 vjeç. Dhe, për shkak të fushatës gjithëpërfshirëse të Xi-së,  kundër korrupsionit politik, Komiteti Qendror mund të pësojë ndryshimet më të mëdha gjatë këtyre dekadave. Gjithashtu, pesë nga shtatë anëtarët e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike, përveç Xi dhe kryeministrit,  Li Keqiang pritet të dalin në pension. Megjithatë, Wang Qishan, i cili drejton fushatën antikorrupsion dhe është një aleat i ngushtë i Xi-së, mund të qëndrojë në detyrë, pavarësisht moshës së tij 69-vjeçare. Xi, i cili e përdori mandatin e tij të pare,  duke konsoliduar pushtetin dhe shkatërruar fraksionet rivale brenda partisë, ka të ngjarë të sjellë më shumë besnikëri ndaj Komitetit të Përhershëm. Gjithashtu, ai ka pasqyruar edhe teorinë e tij politike, e njohur si “Mendimi i Xi Jinping” dhe i mishëruar në Kushtetutën e partisë. Nëse kjo ndodh, Xi do të bashkohet me radhët ekskluzive të liderëve të mëparshëm kinezë, Mao Ce Dun dhe Ten Hsiao Pin. Gjatë kongresit, Xi do të paraqesë një raport gjithëpërfshirës politik, i cili në thelb është programi i partisë për pesë vitet e ardhshme.

Please follow and like us: