Ditari i Odhise Paskalit për Lasgush Poradecin
Lasgushin e njoh që prej një periudhe 50-vjeçare, gati gjysëm shekulli. Dyke qënë shok i afërt me Lasgushin, kam prej tij mbresa dhe kujtime mjaft të mira, jo vetëm nga Lasgushi si shok, por dhe nga Lasgushi si artist i math. Jemi mësuar t’a quajmë Lasgushin si poet i dashurisë, por Lasgushi nuk është i tillë, ai është poet universal dhe këtë më mirë se kushdo e ka treguar edhe koha. Unë do tregoj një episod nga një kujtimi im me Lasgushin që më ka lënë mbresa.
Ishte koha kur punonja për Skënderbeun. Tek sheshi në Tiranë poshtë xhadesë ishte ulur një malësor plak me mustaqe dhe rrinte aty këmbëkryq. E sodita këtë malësor për një kohë shumë të gjatë dhe mendova se ai do të shërbente si model mjaft i mirë për Skënderbeun. Ju afrova t’ja thosha këtë malësorit. Ai pranoj dhe vinte çdo ditë në studion time të pozonte. E kisha mbaruar pothuajse fare Skëderbeun dhe skulpturën e kisha vënë në një vënd të dukshëm të studios, që të binte në sy menjëherë. Kjo jo pa qëllim. Por që kur të vinin vizitorët, t’a shikonin dhe të jipnin mendimet, si ju dukej Skënderbeu im.
Rastësisht një pasdite vjen në studio Lasgushi. Përnjëherë i del në sy Skënderbeu dhe afrohet afër. “Jo, Odise, nuk është heroik”, më tha. Atëherë unë e sodita me orë të tëra Skënderbeun tim dhe e kuptova se Lasgushi kish të drejtë. E kuptova që Skënderbeu im nuk ishte heroik. Këtë gjë unë nuk mundnja t’a zbulonja vetë megjithëse e ndjenja që diçka i mungonte Skënderbeut tim dhe këtë e gjeti Lasgushi vetëm me një vështrim. E ripunova përsëri Skënderbeun, dyke i vënë atë që i mungonte.