Himara, Këlcyra dhe Butrinti
Çfarë i bashkon Këlcyrën, Himarën dhe Butrintin? Në pamje të parë asgjë, por në fakt i bashkojnë disa gjëra. Në të trija vendet po ndërtohet. Dhe këto ndërtime kanë sjellë përplasje. Në të trija rastet kërkohet ndërhyrje sipas ligjit dhe në të trija rastet ministrat, që janë disa përfaqësues të emëruar, kanë bërë gjyqtarin e faktit, pa patur asnjë tagër dhe në funksion të presionit mediatik e politik.
Për ndërtimin në Këlcyrë, ministri i Brendshëm, juristi Fatmir Xhafaj, foli për krim mjedisor apo ndërtim pa leje. Po të lexosh të akuzuarin publik Hari Lena, aty bëhet fjalë për tjetër gjë. Për një ndërtim që nuk prek mjedisin. Por ministri foli sepse linku mediatik me akuza për policinë, ka qarkulluar si telefon i prishur; zakon i njohur i asaj partie, duke e detyruar atë të vihet në lëvizje. Këtu po flasim për atë që shohim dhe nuk po merremi me spekullimet e z. Lena.
Në Himarë, dinjiteti i kësaj qeverie, i tillë vetëm në cilësinë e përfaqësues së qytetarëve, jo sipas kredencialeve të ministrave të vet, ra përtokë kur nga një mbledhje që miraton vendimet në Kuç, pra në kushte eksodi nga një qendra e Bashkisë, u arrit në negociata me Omonian dhe banorët. U ul në tryezë pas një presioni nga Athina. Ndërkohë kjo lëvizje nuk ka penguar aspak shqetësimin për lojën që luhet pas këtij gjoja negociimi. Po flitet për harta informale që qarkullojnë dhe që e ndajnë të gjithë vijën bregdetare mes biznesmenëve të pushtetit, pas të cilëve patjetër që figurojnë edhe emra ministrash që po presin të investojnë në vilat e reja. Është një lojë vjedhjeje e pastër që kërkon të shmangë ligjin duke u fshehur pas propagandës së “zgjidhjes së çështjes së pronës”.
Në Butrint ne po shohim kulminacionin e absurdit. Një ministre që gënjen në mes të ditës, që nuk flet dhe që i buzëqesh vetes për zgjuarësinë me të cilën po i ecin punët fjollë dhe për lehtësinë me të cilën mund ta injorosh një kërkesë për transparencë. U raportua se me urdhër të kësaj ministreje, gazetarët nuk lejohet të hyjnë në Butrint, ndërkohë që bar kafeja e paketuar si qendër multifunksionale vazhdon me llaç e tulla nën bekimin e firmave të Rilindjes. Ministrja foli në Komsionin Parlamentar të Arsimit dhe të Medias, herë duke tundur letra, herë duke bërë eksperten, herë duke folur për zhavor, e herë për beton. Një herë për rehabilitim, pastaj për rikonstruksion. Vetëm LIGJIN, që flet qartë ministra ka qejf jo ta lexojë, por ta interpretojë një çikë. Pas saj është kushedi se kush dhe përballë vetëm disa. Është edhe Butrinti vetë me emrin e tij që i nxjerr edhe anonimë në dritën e prozhektorit.
Janë tri raste me reagime të kundërta për një problem thuajse të njëjtë: Ndërtohet në zona të lakmuara. Dhe reagimet na sjellin një mesazh e që duhet ta kuptojmë: me këtë qeveri ka vetëm një gjuhë. Një gjuhë e cila duhet t’ia bëjë të qartë vendosmërinë për të mos shkelur në disa kufij, edhe pse mund të ketë në xhep opozitën. Janë standerdet minimale për të ruajtur një të ardhme për veten tonë, që Shqipëria të ketë pronarë dhe biznesmenë që fitojnë dhe punojnë, por jo të ketë feudalët e rinj që bëjnë motin nga mëngjesi në darkë. Përndryshe do të shohim sesi pas ca kohësh do të na detyrojnë që të shkojmë në punë edhe me veshje të caktuara e të tjera urdhëresa që vetëm sa e kthejnë animozitetin ndaj arrogancës në nëj urrejtje që dikur do të shpërthejë./respublica/