Milo: Në Shqipëri s’ka as bullgarë dhe as maqedonas
Një projektligj liberal e quan ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo projektligjin për pakicat kombëtare në Shqipëri, që ishte temë diskutimi sot në Kuvend. “Në një vlersim të përgjithshëm është një ligj mjaft i mirë. Ligji për herë të parë bën të mundur një konceptim ndryshe të gjendjes së minoriteteve në shqipëri. Nga kjo pikëpamje është një ligj liberal sepse e zgjeron gamën e minoriteteve në shqipëri”. Por sipas Paskal Milos projektligji ka një nonsens në emërtimet “pakicë maqedonase apo bullgare”, gjë që mund të përbëjë burim konflikti në marrdhëniet me Maqedoninë. “Listës së minoriteteve në shqipëri i është shtuar përveç 8 minoriteteve edhe një i nëntë që është minoriteti bullgar. Do të jetë ose minoritet maqedonas siç është konsideruar nga 1945 deri tani ose minoritet bullgar siç është konsideruar në kohën para luftës së dytë botërore.Pra nuk mund të ketë edhe minoritet bullgar edhe minoritet maqedonas në të njëjten zonë në të njëjtin fshat, dhe një konflikt të panevojshëm vendet fqinje. Deputetët dhe partitë politike duhet ta gjykojnë me përgjegjësi shumë të lartë”.