Albspirit

Media/News/Publishing

Anta Muçaku: Mall dashnoriak…

Mall dashnoriak

Do shihemi prapë, kushedi!
Në ndonjë rrugicë endacake
Kur malli brenda të të djegë
Do sorollatesh vajtje-ardhje.

Sa herë të duash do të le të vish
Sa herë të duash mund të shkosh
Se ta njoh mallin prej dashnori
Ta njoh dhe shpirtin fare bosh…

Kur të mbushesh mirë e mirë
A kur pa frymë të kesh mbetur
Tregomë ç’djall të sjell te unë
Si ia bën për të më gjetur?!

Ti, në dot s’mu përgjigjsh!
Fare lehtë do e gjej vetë
Është malli yt dashnoriak
Që të bën ty dhe me fletë!

Unë s’mërzitem, e di mirë
Ta njoh qenien bredharake
Nga mbrëmja në të gdhirë,
Ti je rob i asaj flake…

I asaj flake të uruar
Që pishtarin ta mban ndezur
Po unë s’do jem aty për ta shuar
Do jem aty për të qeshur.

Ti mos u trishto atëhere!
Kujtohu për herët kur më thoje
Sa xhan më kishe, sa shumë…
Kur një tjetër dashuroje.

 

Kurth femëror

 

Përqafomë! Fort, më fort nga ç’mund’
Duamë! Më duaj gjer në fund…

Eja! Eja, më ndiq mua!
Ndiqmë! Dhe kur bëj sikur s’dua.

Ky është kurth! Kurth i ëmbël dashurie.
Besomë! Me dëshirë, në të shpejt do bije…

 

S’më ngroh kjo mbrëmje

 

S’më ngroh kjo mbrëmje,
Sa ç’më ngroh e jotja frymë,
As ka dehje më të ëmbël
Se e jotja puthje-drithërimë!

E kotë të të them çfarë…
Sesi… ti botën ma përmbys,
Pastaj prapë ma kthen mbarë
Kur gati bëhem ta gris…

Ta gris botën time?!
Po. Me thonj, ngadalë…
Siç bëj me ty i shtrenjti im,
Mëkatit, lëshuar në ofshamë!

Please follow and like us: