Ilir Levonja: Lushnje ktheu tek tradita
Ajo që më trishton sot është fakti që qyteti im është i tëri një skenë debatesh mbi krimin, vrasjet në rrugë, klanet, zonat e influencës, droga dhe hakmarrjet. Ka qënë një bukuri shçirtërore rrugicash plot barzilok, mëllagash e menekshesh, skelave të hardhive dhe kopshteve me të njoma ku dominonte era e nënexhikut apo e mëndrës. Kush ka jetuar rrethinat, pasi ai qytet aty e ka zanafillën e traditën, nga buzët e kodrave të Darsisë e deri tek lirishtat e fushës nga ana e Plukut dhe Savrës. E ka akoma në hundë aromën e këtyre. E ndjen akoma hijen e hinxave, të kolipseve, vidheve, blirit etj.., që fatkeqësisht sot janë zevendësuar me palmat e Arabisë. Atyre që u është mbushur mendja se me pallatet e larta kanë kapur qiellin, kanë humbur një here e përgjithmnoë Lushnjen e vërtetë…, atë pra të rrugicave dhe avllive. Nga memoria ime është e tëra një bukuri djemsh e vajzash, ku tek-tuk dallonte ndonjë rrugaç lagjeje. Me jakën përpjetë, këpucë me taka të larta e llapë përpara, pantallona kauboj e ca favorite a cullufe të gjata. Por aq ishin, madje edhe sherrin e kishin me namus. Dilnin tek e tek në sy të shoqërisë dhe ndaheshin gjërat. Jetën nuk ja merrnin kërkujt. Jeta ishte e shenjtë. Kjo fal një mendësie a kulture prindërore që shpesh edhe sot e gjen të përmbledhur në pak fjalë, jemi soj me hakikak.
Një qytet që i ka hapur derën skraparliut, vlonjatit, permetarit, korçarit, dibranit, kuksianit, tropojanit etj.
Krimin e vërtetë e bënte shteti. Duke sjellur vit më vit të internuar, apo armiqtë e klasës. Duke mbushur Gjazën, Gradishtën, Bedatin, Savrën, Zhamën, Çermën, Grabianin. Qyteti kishte një paqje brenda një fjale të dhënë darsiane dhe urtësie fusharake. Nje respekti reciprok ku i gjendeshin njëri-tjetrit. Por këto vitet e fundit, duket se tradita e virtytet janë mundur. Herë më herë del tradita, mbaj mend se si në 1997-ën u mblodhën një grup burrash, të shpëtonin qytetin. Kam qënë edhe unë si kronist, vëzhgues, por më gëzonte fakti që fjala po merrte peshë. Megjithëse nga jashtë na gjuanin me kallashnikov. Pastaj erdhi një moment forca e mundi fjalën. Në mes ishin partitë. Kësisoj edhe produktet ishin monstruoze. Nuk dua t’i përmend. Por nëse ka mbetur akoma një intelektual atyre rrugëve duhet të flasi hapur, partitë me taktikat e tyre kanë një haraç të madh në këtë kalvar krimesh.
Dhe ka vetëm një rrugë për rikthimin tek identiteti, biseda mes burrave të fiseve. Janë prindër që kanë jetuar të dy kohët. Djemtë e tyre, gjykojnë shkurt, ndofta nga që aktualisht aty dominon një kulturë e varfër, dukja. Në mes është një botë e tërë rryshfeti. Eshtë e vërtetë, krerë të policisë janë infromatorë, gjykatësit mezi presin të vriten. E thonë shpesh, kokat hëngshin. Eshtë një kulturë e bastarduar emërimesh me vendet e punës, aq sa gjithkujt gjithçka i duket e pamundur dhe e kërkon zgjidhjen tek arma, droga, prostitucioni me dhunë. E kërkon tek ikja. Ndaj duket e varfër fjala për ndihmë e siguri tek shteti. Aty shteti ka vdekur njëherë e përgjithmonë. Ndaj duhet urtësia e burrave.
Demokracia, qytetit tim, ia bëri si dhuratë këtë amulli konfliktesh mes grupeve. Sado kërkesës për ndihmë nga shteti, ta dini është një formalizëm për të kaluar radhën. Edhe pse janë prindër të dhunuar, ruajnë në një qoshe të shpirtit hakmarrjen. Planifikojnë se si e qysh, madje diskutojnë familjarisht. Dhe rrallë mund të qëlloj të gjesh një pjestar ku të mendojë ndryshe. Aty vërtetë ka filluar një luftë e heshtur. Më saktë është rizgjuar. Monstruoziteti eshtë kulturë bisedash e ditës. Si mund të vrasim, si të prostituojmë, ku të mbjellim drogë etj. Kjo është një fatkeqësi sociale, që sot gëlon në lagjen poshtë, e që shumë shpejt do të gëlojë në lagjen sipër.
Një fatkeqësi që po mbush varrezën e qytetit me mermer të kuq e të bardhë deri nga Siçilia. Aq sa një Lushnje tjetër po ngrihet me kangjella e trëndafila në luginën e përroit të Darsisë. Një Lushnje e begatë varrezash.
Nuk shkon dot atje, ka plot fytyra të rinjsh që qeshin. Janë datime të tmerrshme. Pak jetë. Vite të ikura kot. Sot mund të ishin baballarë. Shumë prej tyre gjyshër. Dikush i vrarë në mes të sheshit. Dikush i vdekur nga të rrahurat në hyrjen e pallatit. Dikush në Milano a Torino. Dikush i therur. Dikush në mes së turmës në një tubim politik. Dikush sapo dilte nga puna. E dikush duke shkuar në plazh me familjen. Një keqardhje. Një jetë absurde. Humbje që të këpusin shpirtin kur shikon moshën. Dhe nuk e di se çfarë fuqie mbinatyrore të ulesh e t’i përulesh. T’i bësh bashkëqytetarët e tu të ndalin dorën karshin njëri-tjetrit, t’i kthehen jetës dhe respektit për shoqi-shoqin. Nuk e di. Por një dëshirë ma thotë tek ajo më e thjeshta, arsyeja. I qani jetët bashkë. Dhe mjaft u shuat. Sepse çfarë keni humbur e çfarë do humbni, nuk u kthehet më.