Albspirit

Media/News/Publishing

Suzana Tahiri: Mesazhi i Bill Klinton për Kosovën e pasluftës

 

Ish presidenti amerikan Bill Klinton, në shënimet e tij për Kosovën, ka thënë ndër të tjera edhe shprehjen e famshme: Ne luftën, ju paqen.

Natyrisht se kjo thënie nuk ka të bëjë aspak me mohimin e kontributit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe aq më pak me përpjekjet e mëparshme të LDK së prirë nga Ibrahim Rugova, që e shndërroi çështjen shqiptare në një problem ndërkombëtar.

Çështja ka të bëjë me të vërtetën e madhe që pa kontributin e SHBA, të NATO-s dhe klubit perëndimor, asnjë zgjidhje pozitive nuk do të kishte për shqiptarët e robëruar nën Serbi.

Pikërisht kjo ndërhyrje perëndimore për një aleat të saj gjithashtu properëndimor është deviza e të gjitha devizave që anashkalon besimet fetare, lidhjet vëllazërore apo fisnore me aleatë të tjerë.

Thënë më troç Kosova nuk do të ishte atje ku është sot pa përkrahjen e fuqishme amerikane, ndërsa të gjitha aleancat e tjera, të gjithë zërat kundër, krejt agjentët dhe nëpunësit e financuar nga Beogradi tashmë janë një ishull i vetmuar që asgjë nuk mund të bëjën kundër shtetit më të ri të Europës.

S’ka asnjë dyshim se në një periudhë të caktuar kohore komandantët e UÇK luajtën një rol sipëror në çlirimin e Kosovës, por tashmë, pas zgjedhjeve parlamentare ata janë koalicioni qeverisës, çka kanë përpara disa sfida edhe më të mëdha para tyre.

Pavarësisht arritjeve të deritanishme, Kosova ka probleme me shtetin ligjor, me funksionimin e institucioneve të pavaruara, me lirinë e shtypit dhe luftën kundër korrupsionit, me papunësinë, me nxitjen e investimeve të huaja, çka lypset të jenë edhe përparësitë më madhore për qeverinë e Haradinajt.

Jo pak përgjegjësi ka edhe opozita aktuale me LDK dhe Vetëvendosjen, që duhet të kenë një qasje më konstruktive se kur duhet të jenë bashkë me pozitën për çështje kombëtare dhe kur nuk duhet të rreshtin luftën kundër fenomeneve negative të shoqërisë sonë.

 

Please follow and like us: