Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Sheshet e lirisë…

«Politeknika», Panagulis, Oriana Fallaci, «diktatura e kolonelëve», «Exarcheia», «Z» apo «Ai jeton»… gjithçka pëtrmblidhet në pak fjalë në këtë ndërtesë historike të Athinës, dy hapa larg ;Omonias;, me këtë ndërtesë apo shesh që hyri në historinë e Greqisë dhe të Europës, në vetë historinë e lirisë… pasi ajo hyri me germën «Z» që do të thotë «ai është gjallë»; pasi gjërat e mëdha jetojnë gjithnjë, simbolet dhe fjalët e lirisë jetojnë përtej jetës së një njeriu apo shoqërie, përtej kohës.

Ato hyjnë në memorjen kolektive, siç hyri dhe tek unë në fundin e viteve 70, kur në një sallë të vogël të Kinostudios shikonim filmin e ndaluar «Z», të Costa Gavras-it, të këtij regjisori që do ta takoja vite më vonë në Paris, në studiot e tij. Ishte filmi tronditës sipas romanit të mikut tonë Vasilikos, i cili vrasjen e deputetit Jorgo Llambrakis e ktheu në një himn për lirinë, që do të mishërohej në këtë film me Yves Montand në rolin e Llambrakis dhe Irenë Papas, gruaja e tij, pa harruar aktorin gjenial Jea-Louis Trintignan. Ishin imazhe të jashtëzakonshme, pasi zhurmën e tankeve të atij filmi, të atyre tankeve që rrethonin parlamentin grek, i dëgjoja sikur ti dëgjoja në sheshin e Politeknikas, të universitetit të Athinës…

Ishin tanket që shkelnin mbi fytyrën e lirisë, atje ku do të vritej dhe studenti Petrulas. Ishte ajo zhurmë e tmerrshme që zgjonte Athinën atë ag të 21 marsit të vitit 1967… 50 vjet kanë kaluar nga ai vit në historinë e Greqisë dhe ato imazhe i kam të ngjizura brenda syve. Ato nuk e kanë humbur dritën e tyre, ashpërsinë e tyre, tmerrin dhe poetikën e tyre njëkohêsisht, pasi pas tmerrit dhe gjakut, Greqia do të marshonte drejt një dite tjetër, drejt dritës. Ishin ato imazhe që më shtynë në vitin 1988 të lexoja librin që sapo ishte ribotuar të Oriana Fallacit «Un uomo», «Një burrë», takimi i Alekos Panagulis, atentatorit të mbretit dhe të dënuarit me vdekje, që më së fund u fal dhe që gazetarja italiane Fallaci shkoi ta intervistonte po atë natë në Athinë, në shtëpinë e tij, dhe paradoksi i atij gëzimi lirie ishte se atë natë, Panagulis dhe Fallaci fjetën bashkë : një dorë hyjnore i kishte bashkuar!
Para pak ditësh u riktheva përsëri në sheshin dhe oborrin e Politeknikas. Kalova nga «Exacheia» që është gjithnjë në konvulsione, shpërthime, në luftë me veteveten, si në një çakërdisje epike. U riktheva tek kangjellat që dikur i shembën tanket e kolonelëve. Shkela në oborr dhe dëgjova pastaj heshtjen e madhe që mbizotëronte, ndjeva më pas zëra që vinin thellë nga historia. Ishin zëra studentësh që dinin të dashuronin dhe të luftonin. Ishin klithma revolte të zgjuara nga hapat e një njeriu që vinte nga larg. Ishin si ato klithma që do të dëgjoheshin një çerek shekulli më vonë tek studentët e Tiranës, Budapestit, Bukureshtit, Berlinit. Gjithnjë studentët, të parët, pasi ata nuk e çmojnë jetën e tyre, ata dinë të çmojnë vetëm lirinë dhe dashurinë. Ata janë gjithnjë gati ta japin jetën për të dy këto gjëra të mëdha. Falas, pa shpërblim, siç e kanë dhënë gjithnjë, në dehjen e madhe të lirisë. Në emër të një ideali.

Të rikthehesh në histori nuk është thjeshtë nostalgji. Eshtë të rinisesh përsëri në rrugë, pasi beteja e lirisë nuk ka mbaruar. Eshtë diçka permanente. Eshtë progresi, është fryma, ndryshimi. Një betejë e pambarrimtë. Si zjarri që u ndez në mugëtirat e kohrave dhe u përcoll me dhimbje e shtërzime nga një shekull në tjetrin, deri tek ne. Zjarri që ngroh dashuritë. Zjarri përtëritës i jetës. Zjarri që vë në gjumë fëmijët dhe ngroh të vdekurit.
Ecja mes atyre mermereve dhe kisha dëshirë të këndoja këngët e Janis Ricos. Një emblemë lirie. Ti shikoja vargjet e tij jo të shkruara në letër por mbi cohën e pafund dhe të kaltërt të qiellit që flakërohet diku, në qiellin tim të rinisë dhe të asaj jete boheme që pulson ende tek unë.
Sa do doja të rinisja një tjetër udhë, jo këtu në oborrin e Politeknikas, por atje, në vendin tim, në pragjet e dashurisë së hershme, në këtë botë efemere, ku dashuria bëhet më e bukur kur përqafon një ideal ! Ku vallë jetojnë idealet?… Ku?…

Athinë, 13 tetor, 2017.

Fotografia e Luan Rama

Fotografia e Luan Rama

Fotografia e Luan Rama

Please follow and like us: