Prof. Dr. Xhevat Lloshi, personalitet i rëndësishëm i shkencës shqiptare
Xhevdet Shehu
Në vitin 1972, për herë të parë dy studiues shqiptarë shkuan në Londër, pasi ishin hapur arkivat britanike për kohën e Luftës së Dytë Botërore. Ata ishin Profesor Arben Puto dhe Xhevat Lloshi. E theksoj këtë moment se aty nis fillesa e këtij libri, pra 45 vjet më parë. Ishte pranverë dhe të dy studiuesit nisen drejt Londrës me rroba të holla, me ato kostumet karakteristike të kohës, që sot ngjajnë demode. Xhevat Lloshi ishte 34 vjeç.
Në nisje e porositi gruaja: Me këto lekët që po merr me vete, por edhe nëse tepron ndonjë gjë nga dietat, bli ndonjë kostum për të qenë se vetëm këtë që ke veshur ke që kur u martove…
I zhytur atje në arkivat e Londrës, një ditë papritur zbulon ca dokumente krejtësisht të panjohura të Shoqërisë Biblike të afro 200 vjetëve më parë që lidheshin me fillesat e shqipes dhe librit shqip. U kërkon atyre punonjësve të arkivit se si mund të siguronte një kopje të tyre. Duhet të paguash, i thonë. Dhe studiuesi i ri pagoi të gjitha fotokopjet e dokumenteve që i duheshin me paratë e kostumit që deshi të blinte…
Dhe që nga ajo kohë nisi odiseja marramendëse e këtij studiuesi për të gjetur sa rrënjët e shqipes, por edhe të librit shqip. Ky libër i sapodalë në qarkullim përmbledh as më shumë e as më pak por 40 vjet punë të pandërprerë të tij. Pas vitit 1990, Xhevat Lloshi si rrallëkush tjetër ka botuar libra të kësaj natyre, duke filluar me Ulliam Martrin Likun, misionarin anglez pranë Ali Pashë Tepelenës 200 vjet më parë, i cili ka qenë ndër të parët i interesuar për gjuhën shqipe, për të vazhduar mandej me misionarët e Shoqërisë Biblike, përkthyesi i të cilëve ka qenë Konstatin Kristoforidhi, vetë bababi i shqipes. Dhe ndërkohë që ka botuar këtë korpus veprash madhore, ai ka bërë punën më të vyer midis studiuesve të sektit të vet: Ka nxjerrë në dritë punën dhe ve4prën kolosale të Kristoforidhit . Do të mjaftonte vetëm ky fakt që Xhevat Lloshi të meritonte mirënjohjen e shqiptarëve. Por ai, si askush tjetër, zbuloi thesarin e Shoqërisë Biblike dhe, mbështetur në të, hartoi dhe shkroi gjithë këto libra me vlera unikale. Pajtohem tërësisht me studiuesin anglez që nënvizon se “Profesor Lloshi është ndër të paktët që mund të realizonte punën marramendëse të zbulimit, deshifrimit, traskriptimit dhe përkthimit, por aftësitë e tij nuk do të na vlenin fare nëse nuk do të vendoste ta bënte këtë punë prej dashurisë që ka për gjuhën shqipe dhe për studiuesit e rinj”.
Prof. Dr. Xhevat Lloshi është një nga personalitetet më të rëndësishme të shkencës shqiptare, me kontribute të jashtëzakonshme jo vetëm në gjuhësi, por edhe në filologji, historiografi, studime letrare, është hartues fjalorësh dhe përkthyes i veprave të rëndësishme të kulturës botërore, që e kanë pasuruar kulturën shqiptare, ashtu si me rastin e këtij botimi të fundit.
Xhevat Lloshi e ka ditëlindjen më 28 janar, në të njëjtën ditë me shkrimtarin Ismail Kadare. Në 79 vjetorin e lindjes së Profesor Xhevatit dhe në 81-vjetorin e Kadaresë unë botova një shkrim për të dy këta personalitete. Në atë shkrim theksoja pa droje se puna studimore e Xhevat Lloshit është më vyer se puna e një akademie të tërë. Atë pasdite, bashkë me Profesor Xhevatin, kam pasur një komunikim shumë të ngrohtë me Ismailin në Paris. E kishte lexuar shkrimin dhe i kishte pëlqyer, por ajo që më bëri përshtypje ishte vlerësimi për Xhevatin. Më tha: “Më shumë se për veten më bëhet qejfi që kë vlerësuar punën dhe veprën e Xhevatit. Ai ka bërë një punë të shkëlqyer si gjuhëtar, por puna e gjuhëtarëve nuk është vlerësuar asnjëherë sa duhet. Ata nuk përkthehen dhe ngelen në hije si heronj të heshtur…”.
Botimi i këtij libri për thesaret e Shoqërisë Biblikë të Londrës është padyshim një ngjarje kulturore dhe duhet kremtuar si e tillë.