Sekuestrohet gomonia me vlerë 150 mijë euro në Vlorë
Në vijim të punës për zbatimin e detyrave të përcaktuara në Planin-Operacional “Vjeshtë 2017”, me qëllim sekuestrimin e aseteve të ndryshme të cilat rezultojnë të përfituara në mënyrë të paligjshme, më datë 16.10.2017, prej Specialistëve të Seksionit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në kuadër të veprimeve të para hetimore është bërë i mundur sekuestrimi i një mjeti lundrues tip gomone me vlerë 150.000 Euro. Mjeti lundrues i përket shtetasit A.Ç., 29 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale ”Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprime të mëtejshme procedurale. Ndërkohë Policia Vlorë do të vijojë punën lidhur me zbatimin e ligjit për vënien para përgjegjësisë ligjore duke sekuestruar të gjitha asetet të cilat rezultojnë të përfituara në mënyrë të paligjshme.