Albspirit

Media/News/Publishing

“Si u arratis në Budapest, violinisti Arben Spahiu”. Raporti i diplomatit: Biseda me shokët dhe çfarë i thanë ata para se të niseshin

Dashnor Kaloçi

Raporti i diplomatit: “Gjatë qëndrimit në Budapest, kur kanë dalë për të blerë diçka nëpër dyqane, Arben Spahiu është shkëputur dhe ka hyrë në një dyqan vetëm për të blerë partitura për violinë. Kur shokët i kanë thënë se ‘nuk ka kohë, se do na niset avioni’, ai është përgjigjur: ‘Shkoni ju, se po të vonohem, do të marr taksi për të kapur avionin e për t’u nisur për në Shqipëri’”.
Familja Papavrami (Jolanda dhe Roberti), e cila në vitin 1986 vendosi dhe qëndroi në Francë, ku studionte prej vitesh djali i tyre i vogël, Tedi, nuk do të ishte precedenti i vetëm kur nxënësit e studentët artistë shqiptarë vendosnin të mos ktheheshin më në atdheun e tyre. Gjendje e vështirë ekonomike e familjeve që ata kishin lënë në Shqipëri, situata gjithnjë e në përkeqësim, si dhe perspektiva e zymtë që ata shihnin për të ardhmen e karrierës së tyre artistike e profesionale, u bë shkas apo i detyroi disa artistë të njohur që në vitet ’80 studionin nëpër konservatorë e shkolla arti në vende të ndryshme të Europës, apo që udhëtonin jashtë për aktivitete kulturore e artistike, të mos ktheheshin më në Shqipëri. Pas Papavramëve, diku aty nga viti 1988, një tjetër artiste e njohur shqiptare, Elvira Liçaj Dones, e cila asokohe punonte në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe ndodhej jashtë për arsye shërbimi, vendosi të mos kthehej më në Shqipëri. Një vit më vonë, më 1989-ën, një tjetër violinist shqiptar, Arben Fadil Spahiu (që kishte studiuar prej vitesh në Austri, ku dhe ishte diplomuar në Konservatorin e Vjenës), po ashtu vendosi që të mos kthehej më në atdhe. Arbeni, apo “Voci” (siç e thërrisnin ndonjëherë shokët e tij të klasës gjatë viteve të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë për shkak të dialektit të tij dibran), së bashku me Tedi Papavramin dhe Klodiana Skënderin, konsideroheshin si nxënësit më të talentuar që kishte nxjerrë “shkolla shqiptare e violinës” që nga krijimi i saj. Gjë e cila e detyroi shtetin shqiptar të asaj kohe që t’i dërgonte ata për studime të mëtejshme jashtë shtetit (me bursa shtetërore), ku ata dhe qëndruan për vite me radhë, duke perfeksionuar më tej talentin e tyre. Por, nga këta tre violinistë virtuozë, vetëm Klodiana Skënderi iu përmbajt “kontratës” dhe u kthye në Shqipëri pas studimeve, pasi Tedi Papavrami dhe Arben Spahiu vendosën dhe qëndruan jashtë, për të vazhduar më tej studimet, karrierën dhe jetën e tyre larg atdheut. Duke bërë kështu realitet ëndrrën e tyre për të punuar dhe kontribuar në orkestrat më në zë të metropoleve europiane. Gjë e cila nuk do të kalonte lehtë, për ta personalisht dhe për familjet që ata kishin lënë në Shqipëri, që do të përballeshin me lloj-lloj problemesh me regjimin komunist në fuqi. Ndërsa me historinë e ngjarjes së Tedi Papavramit dhe familjes së tij jemi njohur në një nga shkrimet e para dy muajve (“Gazeta Shqiptare”, 23-24 gusht 2017), me ngjarjen e arratisjes së Arben Spahiut, i cili prej më shumë se 15 vitesh punon si koncert-maestro në Operën e Mynihut, na njohin me detaje dhe hollësira këto dokumente arkivore, që publikohen për herë të parë dhe janë pjesë integrale e librit “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist…”, që pritet të dalë së shpejti.


LETRA E MINISTRIT REIZ MALILE PËR KOMITETIN EKZEKUTIV TË PESHKOPISË
Tiranë, më 4 Dhjetor 1989
KRYETARIT TË KOMITETIT EKZEKUTIV TË K.P.
P E SH K O P I

(Shokut Ali Kaza)

Qytetari Fadil Spahiu më ka drejtuar një letër dhe më kërkon të mësojë për fatin e djalit të tij, Arben Spahiu, sepse nga Ministria e Arsimit dhe Komiteti i Kulturës dhe Arteve nuk i është dhënë përgjigje. Lutem që i mësipërmi të thërritet nga ana juaj ose nga ndonjë shok ose këdo që të caktoni ju, t’i thuhet se letrën M.P.J. e ka marrë dhe se kthimi i djalit të tij në Atdhe dhe pranë familjes është në dorë të vetë djalit të tij.

Reiz Malile
…………………………………
LETRA E BABAIT TË ARBEN SPAHIUT PËR MINISTRIN MALILE

SHOKU MINISTËR
Para së gjithash ju kërkoj ndjesë për shqetësimin që mund t’ju krijojë letra ime. Në pamundësi për t’ju takuar personalisht, jam i detyruar t’ju shkruaj për një problem me shumë rëndësi, që ka krijuar një gjendje të padëshiruar në familjen time. Unë që po ju shkruaj jam Fadil Spahiu, punëtor, anëtar i PPSH-së, me banim në Peshkopi, babai i Arben Spahiut, i cili, nën kujdesin e Partisë e të shtetit, për gjashtë vjet me radhë studioi në Konservatorin e Vjenës për violinë. Siç mund të jeni në dijeni, djali im në fund të muajit gusht, mbasi mbaroi pushimet, u nis për Tiranë me qëllim që të fillonte punë atje ku kishte nevojë atdheu. Më datë 1 shtator 1989 njoftohemi se Arbeni, në bazë të dokumenteve të përpiluara nga Komiteti i Kulturës dhe i Arteve, u nis për në Vjenë me qëllim që të merrte pjesë në një konkurs ndërkombëtar në Itali. Ne si prind, me shumë emocione prisnim të mësonim rezultatin e këtij konkursi dhe në të njëjtën kohë kthimin e Arbenit, i cili gjithnjë mendonte dhe ishte optimist për të dhënë kontributin e tij në orkestrën simfonike të shtetit, mbasi thoshte se në të gjitha mundësitë orkestra jonë të konkurrojë me orkestrat më të mira të Europës. Por pas një muaji e gjysmë, krejt papritmas lindi enigma për Arbenin. Ministria e Arsimit na njofton përse Arbeni nuk paraqitej në detyrë. Ky njoftim na shqetësoi dhe na tronditi pa masë, nuk po kuptonim asgjë. Pyesnim njëri-tjetrin; si ka mundësi që Arbenin e kërkojnë nga ne kur dihej se nuk ishte kthyer akoma nga jashtë? Shoku Ministër: Si prind dhe si shtetas jam shumë i shqetësuar për fatin e jetës së djalit tim. Jam interesuar në Ministrinë e Arsimit dhe në Komitetin e Kulturës dhe të Arteve. Më vjen shumë çudi mbasi të gjithë ngrenë supet dhe më thonë të mos mërzitem, të mos shqetësohem! Si mund të fle i qetë kur asnjeri nuk më shpjegon se ku ndodhet djali, çfarë i ka ndodhur dhe kur do kthehet?! Jam i detyruar t’ju kujtoj se kemi 15 vjet që Arbenin e presim dhe e përcjellim me lot në sy, të malluar për të, mbasi është larguar nga shtëpia qysh në moshën 7 vjeç, është rritur larg nesh nëpër konvikte, duke qenë nën kujdesin atëror të partisë. Për aq kohë sa rrinte me ne, periudhën e pushimeve verore, kemi bërë të gjitha përpjekjet për edukimin dhe me ndjenjën e dashurisë për Atdheun, Partinë e Socializmin. Familjarisht dhe në veçanti Arbeni i jemi borxhli Partisë e shtetit për çfarë ka bërë e bën për ne. Duke mos qenë në gjendje t’i jap përgjigje kësaj enigma, për jetën e djalit tim, mendova t’u drejtohem juve, shoku ministër, duke qenë i bindur se vetëm ju i keni të gjitha mundësitë për ta kërkuar e gjetur atë. Jam i bindur gjithashtu, se kjo çështje nuk është vetëm shqetësim prindëror por edhe shqetësim shtetëror. Mbetem me shpresë dhe optimist se pyetjes sime se çfarë bëhet me fatin e jetën e djalit tim, do t’i ktheni përgjigje sa më shpejt.


Me respekte e konsideratë
Fadil Spahiu
Peshkopi më 11.11.1989
…………………………………
REPUBLIKA POPULLORE
SOCIALISTE E SHQIPËRISË
KOMITETI I KULTURËS DHE
I ARTEVE
ZYRA E MARRËDHËNIEVE ME JASHTË
Kërkesë për pasaportë e viza

MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME
Degës së Vizave
MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME
Degës Konsullore
TIRANË

Komiteti i Kulturës dhe Arteve, në zbatim të shkresës së Këshillit të Ministrave Nr.2343/1, datë 26.08.1989, ka miratuar të shkojë në Itali, për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të violinës “Rodolfo Lipicer”, studenti ynë i violinës në Austri, Arben Spahiu. Shpenzimet e qëndrimit në Goricia të Italisë, ku do të zhvillohet konkursi, si dhe të udhëtimit Vjenë-Goricia e kthim i merr përsipër shkolla ku ka studiuar Arbeni, prandaj ai do të kalojë nëpërmjet Vjenës. Koha e qëndrimit jashtë shtetit të jetë deri 20 ditë. Lutemi të pajiset me pasaportë e vizat përkatëse.
KRYETARI
Alfred Uçi
…………………………………
LETRA E DIPLOMATIT SHQIPTAR HASANMATAJ PËR MINISTRINË E JASHTME

I n f o r m a c i o n
Me vendim të Këshillit të Ministrave Nr 2343/1, datë 26.08.1989, dhe me shkresën e Komitetit të Kulturës dhe të Arteve Nr. 2634, datë 28.8.1989, është miratuar që violinist Arben Spahiu të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të violinës “Rodolfo Lipicer” në Goricia të Italisë. Për t’u përgatitur nga profesori i tij në Vjenë, Arbeni fillimisht do shkonte në Austri dhe prej andej në Itali. Meqë nuk u bë e mundur për të siguruar vizën italiane në Shqipëri për arsye kohe, u ra dakord me ambasadën tonë në Vjenë që të bëheshin përpjekje atje për ta siguruar atë. Kështu, më datë 1 shtator 1989 me avionin hungarez “MALEV” Arben Spahiu u nis për në Vjenë. Më datë 7.9.1989 shoku Ëngjëll Kolaneci njofton se, me gjithë përpjekjet e ndërhyrjet e Ambasadës sonë pranë Konsullatës italiane në Vjenë për të marrë vizë për Arbenin për në Itali, ajo nuk u sigurua. Në këto kushte, po këto ditë, Arben Spahiu së bashku me shokët Dritan Hysi (mjek), Alfred Papuçiu dhe Fatos Reka (që përcillnin fëmijët e tyre në Budapest), u nisën me mikrobusin e ambasadës sonë në Vjenë për në Budapest me shofer Petrit Pashollin. Ky grup, kur erdhi në Budapest në ambasadën tonë, gjeti edhe shokë të tjerë që prisnin të niseshin për Shqipëri me avion, si Pirro Andonin, Stefanaq Pollon, Androkli Kostallarin etj. Mbasi qëndruan rreth një orë në ambasadën tonë në Budapest, të gjithë shokët, me përjashtim të Arben Spahiut, u nisën për në aeroportin e Budapestit, për të ardhur në Shqipëri të shoqëruar nga shokët Çlirim Muzha dhe Adem Haxhi. Po këtë ditë u nis për Shqipëri edhe punonjësi i ambasadës sonë në Budapest, Nasho Gjikopulli. Nga të thënat e shokut Dritan Hysi, del se gjatë udhëtimit me mikrobus nga Vjena në Budapest, është ndaluar disa herë si në Gjerë etj., dhe ka rënë në sy veçimi i Arben Spahiut nga shokët e tjerë bashkudhëtarë, me pretekstin për të blerë disa partitura për violinë. Ndërsa, gjatë qëndrimit në Budapest, kur kanë dalë për të blerë diçka nëpër dyqane, Arben Spahiu është shkëputur dhe ka hyrë në një dyqan vetëm për të blerë partitura për violinë. Kur shokët i kanë thënë se ‘nuk ka kohë, se do na niset avioni’, ai është përgjigjur: ‘Shkoni ju, se po të vonohem, do të marr taksi për të kapur avionin e për t’u nisur për në Shqipëri’.
Pertef Hasanmataj
Tiranë, më 26.10.1989

 

Please follow and like us: