Albspirit

Media/News/Publishing

Arlinda Çausholli: Dinjiteti i një shpine të drejtë

Ka ditë, kur duhet të sakrifikohen ca jetë, që rutina ta zvogëlojë pushtetin dhe dëshira t’i shtrijë krahët. Do të desha që tatimi progresiv që mbahet bollshëm nga rrogat tona të shkonte për artistët. Do t’u ndjeja më mirë dhe nuk do të isha e vetmja, besoj, në këtë lëshim material dhe shpirtëror për kategorinë e bukur dhe të gjallë të shoqërisë sonë. Do isha më e qetë ta dija se puna ime dhe e shumë të tjerëve si unë, krijon një shpresë. Mbase është teknikisht dhe ekonomikisht e pamundur, por ndjeshmëria nganjëherë prodhon ideale.

Ca ikona tërhoqën njëra-tjetrën. Të klarinetës, të zërit, të violinës, të skenës dhe të humorit. Ca jetojnë akoma. I shohim përditë. Të hipur në biçikleta të lashta apo në tulatje pranë autobusësh të ngjeshur. Të mposhtur nga sëmundje të padenja për askënd, nga parkinsoni e deri tek metastazat, por të paharruar në nostalgjinë e fëmijëve dhe familjeve për si i panë nëpër qoshet e shtëpisë apo në qoshet e prapaskenës.

Këto janë ditët kur i forti mendon për më të dobëtin, për t’i dhënë mirënjohjen e përbashkët të gjithë gjeneratës që paketoi kujtimet tona, të qeshurat, dhe krenarinë e një identiteti kaq të padukshëm për njerëzit e thjeshtë, por kaq të fortë në historinë e një vendi.

Mbase duhet një listë e të gjithë artistëve që kanë përparuar në moshë, sa për të kuptuar jetën që kanë bërë dhe atë që po bëjnë. Për të mësuar se cilët nga ata janë pa përkrahje dhe pa shpërblim njerëzor e material. Keqardhja do t’i dënonte. Kujdesi do t’i lumturonte. Një vëmendje më tepër do të hapte derën e qytetarisë ashtu siç duhet të hapet, dhe në janë të fortë dhe në e ndjejnë veten ende të pashëm, do të harlisin vrullshëm një rrëfim me tepër për të gjithë ne.

Këto janë ditët. Sa janë mes nesh. Për kontributin që dhanë në këtë vend të vështirë dhe të molepsur nga çmimi i lirë i jetës dhe çmimi i shtrenjtë i sendeve… apo për dinjitetin e një shpine të drejtë.
– Çizmet e Verdha –

Please follow and like us: