Gabimi i Kryemadhit që do t’i kushtojë LSI
Këtë të martë, Monika Kryemadhi ka patur një takim në selinë e PD, me kreun e saj Lulzim Basha.
Në rrafshin personal ky takim është i rëndësishëm për kreun e PD, Bashën pasi e hedh në tregun e politikës reale, duke anashkaluar kështu kritikët brenda partisë. Aleanca me LSI-në është një lëvizje që del nga kuadri i cic-miceve se çfarë thotë Patozi, Bregu e të tjerë.
I shërben pasi i jep një kauzë reale PD-së siç është ajo e krimit, gjithmonë duke shpresuar se do të dijë ta kthejë në një armë politike .
Kjo i jep gjithashtu idenë e lidershipit të opozitës të cilën ka kohë që shumë njerëz do të mendonte se do ta merrte LSI, meqënëse është më kompakte dhe agresive se blutë.
Sot për Lulzim Bashën ishte një ditë e mirë. Por jo për Monika Kryemadhin.
Pak muaj pasi mori kryesimin e LSI-së nga Ilir Meta, Kryemadhi u përpoq ta zëvëndësonte atë në të gjitha aspektet.
Kryemadhi ka sens organizativ dhe njeh mirë fushatën elektorale, por ka mungesë në autoritetin publik, që i shoqi e kishte për shkak edhe të karrierës shtetërore.
Sot Kryemadhi humbi edhe më shumë nga autoriteti që nuk ka. Me vajtjen në selinë e PD-së ajo krijoi simbolikën e pranimit të lidershipit të Bashës. Ndërkohë Ilir Meta është kujdesur gjithmonë që mos të pranojë as të Berishës dhe as të Ramës.
Prania e saj në selinë e bluve është një gabim që do t’i kushtojë dhe mund t’i sjellë rrjedhje të mëdha. Dihet që elektorati dhe anëtarësia e LSI është pjesërisht e majtë, por në zgjedhjet e vitit 2013 ajo mori edhe shumë të djathtë që kërkonin një varkë shpëtimi. Kjo fashë ishte problem i madh i Bashës i cili u reflektua edhe në zgjedhjet që sapo shkuan. Jo më kot ai e përqëndroi një pjesë të fushatës në goditje ndaj LSI.
Por me vajtjen e shefes së LSI në selinë e PD, shumë prej tyre nuk kanë pse rrinë më në skalionet e partisë së tretë.
Opozitë për opozitë, prakticiteti ju tregon rrugën, duke ju thënë se më shpejt vjen PD në pushtet sesa LSI. Ndaj
Kryemadhi duhet ta riparojë sa më shpejt rrëshqitjen e sotme. LSI ka shpresë të rikthehet në pushtet, vetëm duke u zmadhuar ose fituar aq vende saqë fitimtari t’ia ketë nevojën. Përndryshe bëhesh rimorkio dhe të mëshirojnë me vende në listë si Fatmir Mediu./Dritare.net/