Albspirit

Media/News/Publishing

Respublica: Viktima perfekte

Sajmir Tahiri është vënë në rrethin e kuq të akuzave. Politike, mediatike, por edhe të akuzës që buron nga heshtja me të cilën e rrethuan sot bashkëpunëtorët e vet. Si një njeri pa stof politik, z. Tahiri zgjodhi moralizimin për t’u përballur me përgjimet e disa personave të ndaluar në Itali për trafik droge, të cilin e njohu si çështje që rëndon mbi përgjegjësinë e tij publike.

Por përtej asaj çfarë përfaqëson tashmë një karrierë e goditur rëndë në PS, me më shumë rëndësi është rendtija e disa zhvillimeve që paraprinë ngjarjen e sotme, e cila ka disa të panjohura. Janë ngjarje që i japin aspektit penal një thelb politik që është pjesë e luftës së madhe që po zhvillohet në këtë prag finalizimi të reformës në drejtësi. Por pa u dhënë zhvillimeve një lidhje të detyrueshme me atë që ka ndodhur.

Qysh në fillim duhet të themi se Sajmir Tahiri është në kontekstin e luftës mediatike dhe politike që ka nisur rreth trafikut të drogës, një Viktimë Perfekte. Ai është perceptuar që shpejt si ministri që u fuqizua duke lejuar kanabizimin e vendit, që lejoi, në mos mëkoi inkriminimin e segmenteve të policisë, drejtues të të cilës u kthyen në drejtues trafiqesh. Akumulimi i parasë së pistë në Shqipëri për shkak të asaj që mund të quhet politika e kanabizimit është i këtillë saqë ka vënë në lëvizje edhe aktorë të huaj. Ajo që qytetarët dëshmuan në Elbasan është akuzë direkte për një ministër tek i cili perceptimi për lidhje me bandat po kthehet në bindje. Si i këtillë ish – ministri i Brendshëm, është pika më e ekspozuar për ta vënë në rreth dhe për këtë ka patjetër arsye objektive, por edhe qëllime të ndryshme.

Më tej akoma, ish-ministri i Brendshëm, u përfol për afera përgjimesh ndaj përfaqësuesve të tjerë të politikës. Aq thellë shkoi ky skandal saqë Interforza në Tiranë u përpoq të mbyllte ëështjen e pajisjes përgjuese me marifete diplomatike, ndërkohë që Ilir Meta, sot president, është pyetur në intervistë televizive nëse është në dijeni se është përgjuar nga segmente policore nën kontrollin e Tahirit.

Pesha e akuzave bëhet edhe më e rëndë me skandalin e Kelment Balilit, për të cilin ka patur prononcime edhe ambasadori amerikan, i cili duket se ka operuar në këtë kuadër në koordinim me qeverinë shqiptare. Apo më saktë me kryeministrin. Para disa ditësh, ish-ministri i Drejtësisë, Manjani, apo edhe përfaqësues të PD-së, kanë ngritur pyetjen se për cilat arsye Donald Lu nuk foli përpara zgjedhjeve për të ashtuquajturit peshq të mëdhenj e mes të cilëve përmendi emra.

Kur themi arrestime të munguara, akuza patjetër që shkon për policinë. Duket se Edi Rama, si drejtues i qeverisë dhe njeriu me aksesin kryesor në informacionet sensitive, por edhe në kërkesat e të huajve, dha i pari sinjalin kundër Tahirit kur e ka jashtë qeverisë dhe kur në një takim para disa javësh edhe e talli në publik. Duhet të nënvizojmë se raporti mes të dyve është edhe sot i paqartë, ndonëse një qeveri me kaq shumë probleme ngarkon këdo me detyrime.

Mandati dytë i qeverisë socialiste ka nisur nën presionin e një axhende: zbatimit të reformës në drejtësi dhe arrestimit të të inkriminuarve. Kjo axhendë e imponuar sidomos nga të huajt(ambasadori Lu kërkoi shtyrjen e mandatit duke argumentuar se “kemi akoma disa gjëra për të bërë”) ricikloi përballjen tipike të shantazhit që u vu re gjatë diskutimeve për reformën në drejtësi e cila përballje kulmoi në korrik 2016 kur Ilir Meta kërcënoi me dorëheqje dhe u vu në dispozicion të arrestimit eventual.

Një përballje që ka inskenuar në pak javë disa lëvizje që gjuajnë mesazhe kërcënuese. Opozita ka hapur përveë dosjes Tahiri, që ka qenë përherë mbi tavolinë, edhe mbështetjen e radarëve të menaxhuar nga Ministria e Mbrojtjes. Përveë financimeve me miliona lekë të kompanive të caktuara, akuza kryesore që i shërben dhe i bën jehonë shqetësimit të palës italiane, është se me menaxhimin selektiv të radarëve është lejuar dhe mbështetur trafiku i drogës.

Opozita avancoi edhe më tej, ndoshta nën presionin e dështimit elektoral të 25 qershorit, kur publikoi foto të Edi Ramës me një person të kërkuar dhe duke paralajmëruar zhvillime të mëdha.

Nëse kthehemi në seancën e kaluar plenare, do të kujtojmë se kryeministri i vendit, i irrituar nga ëështja e fotos dha njoftimin se në muajin nëntor në Tiranë mbërrijnë agjentë të huaj për luftën kundër krimit. Më tej akoma, përfaqësuesja socialiste Ermonela Felaj, tha se bëhet fjalë për luftën kundër pastrimit të parave, kur sipas saj nga agjencitë ligjzabtuese në vend kanë bllokuar 60 milionë dollarë, para të cilat u përkasin edhe gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Përpjekja groteske për të viktimizuar me akuzën e korrupsionit dhe inkriminimit qeverinë dhe agjencitë e saj nga njëra,  ose gjyqësorin nga ana tjetër, duket se ka marrë një kthesë me hapjen e çështjes së Tahirit. Ka një hollësi që meriton të sillet si e tillë, thjesht për përkimin në kohë. Përgjimet e Guardia di Finanza si një zhvillim serioz dhe me pasoja në Shqipëri, sot mund të thuhet se u paralajmëruan nga përfaqësues të opozitës. Por ato publikohen pak ditë pasi kryeministri ndodhej në Romë me homologun e tij Gentiloni për të kërkuar mbështetje për integrimin. Z. Rama ka premtuar se zgjedhjet e suksesshme dhe lufta që nis së shpejti kundër krimit do të kurorëzohen me hapjen e negociatave. Është disi e vështirë të mendohet që pala italiane të mos ketë qenë e informuar paraprakisht për atë që kishte në dorë GF. Këtu dyshimi është nëse z. Rama ka hapur krahun për të vepruar pa dallim dhe pa imunitet, pavarësisht kostove politike, nëse kjo që ndodhi është një rutinë policore e agjencisë italiane, ai është vënë para faktit të kryer, apo thjesht ka konsideruar të shpenzueshëm vartësin e tij përkundrejt nevojës për një notë pozitive nga BE-ja.

Duhet të pranojmë se në kushtet e tanishme, kur opozita ka pushuar akuzat për korrupsionin dhe ka përvetësuar si axhendë prioritare krimin, z. Rama e ka më të lehtë që të thjeshtojë objektivin e tij për negociatat kur deklaron se krimi do të luftohet me agjentë të huaj. Nëse Tahiri është këtu një kundërpeshë politike si viktimë përballë spastrimit që paralajmëron z. Rama kjo mbetet për t’u parë. E sigurtë është se në vend se të sqaronte, dosja e Tahirit po e turbullon më shumë perceptimin për llojin dhe nivelin e shantazhit me të cilat palët negociojnë me njëra – tjetrën.

Please follow and like us: