Alitalia do të “flasë” gjermanisht
Lufthansa nuk ndalet, por pas ofertës për Airberlin, synon të blejë edhe një pjesë të Alitalias së përfshirë prej kohësh nga një krizë e thellë.
Të rrënuara dhe me humbje prej vitesh, kjo i bashkon shoqëritë ajrore Alitalia dhe Airberlin, thotë “DW”. Tani, që të dyja këto shoqëri kanë dalë në shitje dhe për të dyja kanë treguar interes të fortë gjigandi gjerman i qiejve dhe britanikja EasyJet. Ofertat e tyre janë për blerjen e linjave kryesore: avionët dhe destinacionet më të preferuara të fluturimeve. Dy shoqëritë e mëdha ajrore kërkojnë përmes kësaj lëvizjeje që të zgjerohen edhe më shumë dhe t’i rezistojnë konkurrencës.
Në Europën Perëndimore ka gjithsej 237 shoqëri ajrore, të ardhurat e të cilave janë të ulëta, sepse nga 100 euro xhiro, vetëm 4,9 euro mbeten fitim. Një fitim i tillë, sipas përllogaritjeve të Federatës Gjermane të Ekonomisë së Qarkullimit Ajror, është shumë i vogël duke pasur parasysh edhe faktin që çmimi i karburantit rritet apo numri i pasagjerëve bie. Lufthansa ka paraqitur konceptin për një Alitalia të ristrukturuar në bazën e një modeli funksional biznesi, megjithatë është vendosur që detajet të mos bëhen publike.
“Corriere della Sera” shkruante në një artikull të saj se numri një i shoqërive ajrore gjermane do të lëvrojë 500 milionë euro për blerjen e avionëve dhe të ekuipazheve si dhe të të drejtave të qarkullimit të Alitalias, pretendim mbi të cilin Luftahnsa nuk ka pranuar të komentojë.