Albspirit

Media/News/Publishing

Ceno CAUSHAJ: Si i ingritëm varrezat e nacionalistëve në Ballsh

Fiqiri Sejdiaj

 

 

 

Ceno Orhan Caushaj nga Hekali i Mallakastrës, është krenar që pas kërkimesh të shumta, më në fund, i grumbulloi eshtrat e 96 nacionalistve të vrarë gjatë regjimit komunist. “Varrezat e dëshmorve të lirisë”, – sic i quan Ceno, – ndodhen në një kodër të bukur, përballë qytetit të Ballshit. Ato janë ngritur me iniciativën e këtij njeriu të përkushtuar, 90 vjec, i cili 20 vjet më parë, sëbashku me familjarët e tyre, mundi të gjejë, hap pas hapi, eshtrat e 96 martirve. Për të, ky mision ka qënë i shënjtë, shumë i rëndësishëm, shumë i vështirë, po që më në fund, u realizua me sukses. Ai është krenarë për këtë mision. “Në se doni të shkruani”, – thotë Ceno, -“shkruani për ta, dhe jo për ne që bëmë thjesht një detyrë fisnike, si detyrim ndaj tyre. Këta njerëz janë vrarë, janë pushkatuar, janë varrur në litar nga regjimi komunist, thjesht se ishin nacionalist. I vetmi “faj”, ishte se gjatë Luftës së II Botërore, u reshtuan në formacionet e “Ballit Kombëtar”.

 

 

 

KUSH ËSHTË CENO ORHAN CAUSHAJ?

 

Pse e mori pikërisht ky njeri këtë iniciativë, kur edhe sot e kësaj dite, pas 73 vitesh, vazhdojnë debatet pro dhe kundër, mbi kontributin që ka dhënë “Balli Kombëtar”, në luftë për clirimin e vëndit? Ceno Orhan Caushaj, ka lindur në Hekal të Mallakastrës në vitin 1927, Prindrit e tij mereshin me bujqësi e blektori. Kur filloi lufta, ai u inkuadrua në cetën “Rapo Hekali” të “Ballit Kombëtar”, që operonte në zonën e Mallakastrës. Kur e pyesim Cenon, se pse u bashkua me nacionalistët, e jo me nacional- clirimtaren, pra, me komunistët?, ai na përgjigjet menjëherë; Sepse në krye të “Ballit Kombëtar” qëndronte Mitat Frashri, i biri i Abdyl Frashrit. Besoj se e ke dëgjuar atë këngën, “Abdyl prishe pasurinë”… E prishi për Shqipërinë. Këta njerëz ishin në krye të ballit. Njerëz intelektual, të shquar, të gjithë shqiptar, me prirje perrndimore. Ndërkoh, komunistët udhëhiqeshin nga dy emisarë jugosllav, Miladin Popovici e Dushan Mugosha. Shqiptarët asnjëherë nuk kanë patur besim tek serbët. Unë nuk mund të mbështetesha tek armiqt tanë shekullor. Do mbështetesha tek lidhjet familjare, tek rrënjët e të parve të mi, të cilat shkojnë deri tek Rapo Hekali. Shkurt, nuk e ndava unë këtë punë, e ndau familja ime, edukata që kisha marrë nga prindrit e mi. Kjo është arsyeja pse u reshtova në cetën e “Ballit Kombëtar”, e jo në cetat nacional- clirimtare, sic i quanin komunistët cetat e tyre. Mirpo, edhe sot e kësaj dite, ka mendime se “Balli Kombëtar”, nuk ka luftuar kundër okupatorit, përkundrazi ka bashkëpunuar me të.

 

– Kjo është propagandë tipike komuniste. Nuk është aspak e vërtet. Fillimisht ne kemi luftuar krah për krah, sëbashku me komunistët. Kini pak durim, dhe unë do u jap plot shembuj, se si kemi luftuar krah për krah me komunistët, në të njëjtin front, kundër okupatorit. Beteja e parë që është bërë në Mallakastër kundër italianve, ka qënë ajo e 5 e 6 shkurtit 1943, në zonën Hekal- Greshicë. Sëbashku me cetat e Vlorës, i premë rrugën kollonës italiane që vinte nga Gjirokastra. Më 13 shkurt kemi betejën e Ruzhdies. Në këtë betejë u vra komandanti i cetës së Cakranit, Jashar Cakrani. Bashkë me të, u vra edhe një partizan nga Myzeqeja, i cetës së “Rahman Rucit” . Më 19 qërshor 1943, kemi luftën e Luarit, kundër italianve dhe kriminelit Isa Toska. Këtë luftë e bën cetat e “Ballit Kombëtar”. Në këtë luftë, u vra komandanti i cetës ”Rapo Hekali”, Selfo Hekali. Janë figura të gjalla këto, e unë kamë qënë atje. Në duart e mija, ka dhën shpirt komandanti i cetës së Hekalit, Selfo Hekali, e ju më thoni se “Balli Kombëtar” nuk ka luftuar kundër okupatorit dhe tradhëtarve të vëndit!? Pas një jave, më 24, 25 e 26, qërshor, kemi betejën tjetër, kundër italianve dhe milicve të Halil Alisë. Sëbashku me komunistët, krah për krah me ta, në një llogore, kemi luftuar heroikisht. Ishim ne të ballit, ishin cetat mike të Vlorës me Hysni Lepenicën, Skënder Mucën e Isuf Luzin. Bashkë me ne, ishte edhe ceta plak e Mallakastrës, me komandant Mehmet Shehun. Luftimet e kësaj beteje, i drejtonte major Rauf Fratari. Po kështu, në shtator të vitit 43, kemi luftuar bashkë, ballist e komunist, kur kemi pritur me pushkë autokollonën gjermane që vinte nga Fieri për të marë divizionin italian të dislokuar në Kuman të Roskovecit. Nga ceta jonë me komandant Besim Belishovën, u plagos Shyqo Xhafa. Edhe në operacionin e korikut 1943, kur Mallakastra u sulmua nga tre drejtime, në të njëjtën kohë, kemi luftuar përsëri bashkë, komunist e ballist. Italianët erdhën nga Selenica e Vlotës, nga Fieri, dhe nga Berati. Nga Ruzhdia deri në Gjerbës, luftonte ceta plak e Mallakastrës me komandant Mehmet Shehun, ceta e Klosit me komandantin trim Baco Xhemal Isufin, e ceta e Hekalit me komandant Dino Zirka. Nga Gjerbsi në Kut, operonte ceta e Rauf Fratarit dhe ceta e Islam Maliq Corushit.. Sëbashku me cetat e Ballshit që drejtoheshin nga Tefik Sfiri e Ali Zenelit, është bërë një luftë heroike. Sic e shikoni, kemi luftuar bashkë, ballist e komunist. Për 45 vjet resht, komunistët që e donin gjithë pushtetin për vete, hodhën në popull dyshime, hamëndje, të vërteta e të pa vërteta, urrejtje, helm. Edhe sot pas 73 vjetësh, vazhdojnë këto debate e hamëndje, sikur të ishim ende në luftë. Një propagandë komuniste, ku të gjithë ata që nuk janë dakord me të, janë armiq të saj, e duhen eleminuar.

 

 

 

A keni bashkëpunuar me gjermanët?

 

 

 

– Po. Një gjë e tillë është e vërtet. Po kur bashkëpunuam me gjermanët? Bashkëpunuam pas prishjes së Mukjes. Kur komunistët filluan të na zinin pusi, e të luftonin masivisht kundër nesh. Nuk ishim ne që provokonim komunistët, po ata, të cilët sa gjenin rast, na sulmonin. Të njëjtën gjë, filluam të bëjmë edhe ne.

 

Po Gjin Marku, a nuk bashkëpunoi me gjermanët në Lushnje?

 

Në vitin 1943, sëbashku me gjermanët, ky partizan, dhe jo partizan i thjesht, po kuadro, komandant i tyre, shkoi në Berat, e vrau patriotin nga Mallakastra, Hysni Toska sëbashku me të birine tij 16 vjecar, Skënder Toska. Ja kështu, një i vrarë këtu, e një i vrarë atje, komunistët filluan vëlla-vrasjen. Kadri Cakrani bashkëpunoi me gjermanët, për të luftuar komunistët, sepse po të vinin në pushtet komunistët, do ndothte ajo që ndodhi. Ju mund të pyesni, pse, cfarë ndodhi ? Unë nuk po ju tregoj se cndodhi në shqipëri, gjë të cilën besoj se tani e di i madh e i vogël. Jo! Unë po ju flas, se c’ndodhi me mua konkretisht.

 

 

 

C’ndodhi me ju konkretisht?

 

 

 

Kur lufta mori fund, unë u ktheva në fshat, në shtëpi. Komunistët më arestuan menjëherë si armik të popullit e kriminel. Pse ? Sepse isha inkuadruar në formacionet e Ballit Kombëtar”. Më dënuan 10 vjet burg, me punë të detyruar. Nga burgu i Vlorës, më shpunë në Vlocisht, në kënetën e Maliqit. Hapnim kanale për tharjen e kënetës, duke u futur deri në mes në ujë. Kur dilnim nga uji, këmbët na mbusheshin me shushunja. Nga trupi na rrithte gjak i zi. Uria bënte kërdinë. Hanim bollgurë me krimba. Ata që nuk bënin normën, nuk u jepnin as këtë palo bollgurë! Gjatë kohes që isha në Maliq, nuk më erdhi dot, asnjë nga shtëpia. Ata vuanin ekonomikisht, dhe ishte shumë larg për të përballuar udhëtimin. Nga fundi i vitit ‘45, e deri në fillim të vitit ‘51, burgjet nuk kishin atë fizionomi që morën më von. Kështu gjatë dimrit na mbanin në burg, kurse në pranver, na conin në kampe pune, në Maliq, Beden, Tërbuf, Karavasta e Thumanë. Sapo u lirova nga burgu, në vitin 1952, shkova në fshat. Sigurimi i shtetit donte të më arestonte përsëri, po unë u shpëtova nga duart dhe ika në mal. Prisja që të vinin miqt e mi, Safet Abazi, Ylli Kamberi, Qemal Greshica dhe Mehmet Peshtani. Ata hynin e dilnin nga shqipëria si diversant. Mirpo në këtë kohë, tradhëtia e oficerit anglez Kim Filbi, i cili u jepte informacion Rusve për diversantët që hynin në Shqipëri, e këta ja jepnin sigurimit shqiptar, bëri që këto grupe të mos vinin më, as nga deti, as nga ajri e as nga toka. Shpresa jonë për liri, u shua. Ku të shkoja! Të dorzohesha? Vendosa të kaloj kufirin në rrethin e Korcës, mirpo rrashë në kurthin e telave me gjëmba. Roja hapi zjar, e ushtarët më kapën. U dënova me 6 vjet burg. Ky është burgu i dytë. Pasi dola nga burgu, nuk më lanë të qet. Më internojnë në Savër të Lushnjës, e në vitin 1980, më arestojnë përsëri. Më dënojnë 10 vjet. Ky është burgu i tretë, të cilin e bëra në Zejmen, Shën Vasil e Ballsh. Tani isha afër shtëpisë e djemt ishin rritur. Ata punonin, e më sillnin ushqime. Në burg, në se nuk kishe ushqim nga shtëpia, merrje fund. Në vitin 1989, pasi bëra 9 vjet e e tre muaj burg, u lirova. U lirova, pasi kisha kaluar gati 20 vjet burg. Kur dola nga burgu i tret, isha 63 vjec. Po se mos isha i vetmi. Si unë e pësuan pothuajse të gjithë ata që ishin inkuadruar në cetat e „Ballit Kombëtar”. Madje ne ishim me fat se dolëm gjallë, po shumë nga shokët tanë nuk e panë më dritën e diellit.

 

 

 

A u angazhuat në proceset demokratike të vitit 1990?

 

 

 

-Po, tërësisht. Në Fier u krijua shoqata e të përndjekurve politik. Xhemil Mece Mavrova u zgjodh Kryetar, kurse mua më zgjedhin nën kryetar. Shpirtin e kisha në Ballsh. Kthehem aty, dhe më zgjedhin kryetar të shoqatës. Detyrat i dija shumë mirë. Të punësonim sa më shumë të përndjekur e të persekutuar në administratën e re shtetërore, të shkollonim fëmit e kësaj shtrese, të zgjidhnim sadopak problemin e strehimit. Këto ishin probleme që mua nuk më shqetsonin shumë, pasi kishim kohë që punonim për to. Ajo që më shqetsonte dhe më linte pa gjumë, ishin burrat e mëncur, trima e patriot të Mallakastrës që ishin vrarë, pushkatuar e varur në litar gjat regjimit komunist. Shumë prej tyre nuk u dihej as vëndi ku ishin pushkatuar, jo më të kishin një varr, ku të afërmit të vinin një tufë me lule. Cdo njeri ka të drejt të ketë një varr, apo jo, pamvarësisht se në c’llogore e zë lufta. Të gjeja eshtrat e tyre, – u bë qëllimi i jetës time. Një mision i vështirë, po jo i pa mundur. Ku nuk kemi vajtur. Ku nuk kemi kërkuar. Jemi munduar shumë, po zoti është i madh, e na nxori faqe bardhë. Tani martirët e zonës së Mallakastrës. mund të prehen të qetë në varezat e tyre, ashtu të gjithë bahkë, sic ishin kur qenë gjallë. Tani pas këti misioni, edhe unë mund të vdes i qetë, se i mbusha të 90-tat.

 

 

 

BASHKË SI DIKUR

 

Njeriu që vjen në këtë jetë, sa është gjallë, duhet të jetë diku në list. Në mos qoftë në zyrat e gjëndjes civile, duhet të jet në amzën e shkollës, në listën e punonjsve, në evidencën ushtarake, në…E në mos qoftë në asnjë list, duhet të jet në librat e funeralit. Kur ikën nga kjo botë, duhet të ketë një varr me një gurë tek koka, ku të shkruhet se cili prehet aty, në mënyrë që të afërmit të kenë mundësi ti vënë një tuf me lule. Në se e ke vrrarë ti që ke marrë pushtetin, gjëja më normale që mund të bëjë ai pushtet, është tu thotë njerzve të tij: Na falni! Ja ku e keni djalin, burrin, vëllain. Mereni të prehet midis shokve, në tokën e të parve të tij! Ky është një kod i lashtë. Mirpo shteti totalitar, nuk i përfill këto kode të lasht. Ai njeh vetëm kodet e tij të frikës e terrorit.

 

-E bëra këtë punë, me një pasion të madh, – thotë Ceno. Pastaj vazhdon; „Zoti më dha fuqi, besim e vullnet”. Ju mund të pyesni, pse në Mallakastër? Sepse këtu më njeh cdo gurë, cdo fije bari, cdo pllajë, pyll e bokërimë. Sepse këtu njoh cdo fshat, cdo lagje e fis. I njoh, e më njohin. Në një vit e gjysëm, gati dy vjet, shkova gërxheve, përenjve, pyjeve e vëndeve të shkreta. Pasi grumbulluam eshtrat e 96 martirve të lirisë, i vendosëm në një kodër të bukur, përballë qytetit të Ballshit. Në qëndër vendosëm memorialin, kushtuar kontributit të tyre, bashkë me flamurin kombëtar, pa yllin e kuq, ashtu sic e donin ata. Gjatë punës kërkimore na kanë shoqëruar dhjetra histori e ngjarje. Po ju tregoj njërën prej tyre. Po kërkonim eshtrat e Shehut të Fratarit, i cili ishte pushkatuar me 12 të tjerë në vitin 1945. Shehu i Fratarit kish qënë i internuar në ishullin Vento Tenes në Itali. Pas luftës këtë njeri të zotit, këtë antifashist të vendosur, e arestojnë dhe e gjykojnë Që në seancën e parë, prokurori i thotë Shahut të Fratarit;

-Ti je fashist!

– Jazëk të qoftë, – ja kyhen Shahu dhe e pështyn. – Unë i internuar në Vento Tene nga italianët si antifashist, e ti më thua mua fashist!?

E pushkatuan bashkë me 12 të tjerë.

Si shpegohet që në mallakastër janë vrarë e pushkatuar kaq shumë njerëz ?

-Ju thoni,”të vrarë e të pushkatuari”! Haroni ata që u varrën në litar.

Vetëm në vitin 1945, në Mallakastër u varrën në litar 3 vetë: Besim Belishova, Hajdar Cakrani dhe Sulo Klosi. Tre ditë e tre netë, e lanë të varurur Besim Belishovën në qëndër të Ballshit. Inxhinjeri Sulo Klosi, mund të kishte ikur jashtë shtetit, mirpo si antar i K.Q. të „Ballit Kombëtar”, qëndroi në shqipëri për të bërë opozit. E varrën në litar. Hajdar Cakranin, e lanë tre ditë e tre netë të varrur para bashkisë së Fierit, vetëm e vetëm për të ngjallur frikë e terror. Komunistët, sa morën pushtetin, filluan menjëherë gjyqet politike. Aq shumë gjyqe u bënë në dy vjet, sa nuk ishin bërë për 500 vjet. As pushtusit otoman nuk bënë kaq shumë gjyqe në zonën e Mallakastrës, sa bënë komunistët. Ata pushkatuan ajkën e patriotizmit në Mallakastër, njerëz me kulturë e dije përndimore. Vitet 45-46 do të mbetën si vite të zeza për Mallakastrën. Megjithatë, ky teror i pa shembullt nuk e mposhti dashurinë që kishin njerzit për njëri tjetrin. Shumë burra të mëncur e patriot, të urt e trima, protestuan publikisht për këto gjyqe. Dua të vecoj këtu fisnikun Hysen Zeqo Binjakun nga Klosi. Ky burrë i urt, i doli në mbrojtje Hajdar Halim Hamitaj dhe Hysen Qazim Hamitaj. Po nuk ishte vetëm Hysen Binjaku, po ishin edhe dy burra të tjerë nga Hekali, si patrioti Sulo Mustafa Lutaj dhe patrioti Jonuz Sheme Goxhaj. Të dy, ishin njerëz të nderuar e të respektuar në Mallakastër. Trima e të mëncur. Të dy u përplasën publikisht me gjyqtarët partiak, mediokët e pa shkollë juridike, të cilët akuzonin padrejtësisht, Hajdar Halim Hamitaj, Zenel Braush Pashain, Dino Zirk Brataj e Hysen Qazim Hamitaj. A e dini se cfarë u thanë këta dy burra, gjyqtarve ? U thanë publikisht, në mes të popullit, se këta që po gjykoni ju padrejtësisht, janë patriot e bir patriotësh. Po le të kthehemi tek zbulimi i eshtrave tëShehut të Fratarit .

Ne dinim vëndin ku mendohej se ishin pushkatuar, datën e ekzekutimit, e disa të dhëna të tjera. Po se ku ishin pushkatuar saktësisht, këtë nuk e dinim. Një ditë, morëm puntorët, eskavatorin dhe shkuam tek vëndi. Fshatarët e zonës, kureshtar, po edhe se mos u prishnim të mbjellat, na rrethuan menjëherë.

– Në se mendoni se mund t’ju prishim arat, bimët, hardhit, pemët, mos u shqetsoni. Për një gjë të tillë kemi fonde, e do ju kompesojmë.

Një grua plak, më thotë:

– Nuk bëhemi merak për arat; po ju si e keni ponën; pasi keni ardhur edhe herë të tjera këtu..

– Kur keni ardhur këtu? – e pyes unë.

– Në maj të vitit 1945.

Ata ishin pushkatuar në shtator të vitit 1945, d.m.th. katër muaj më vonë. Kjo grua, – thash me vete, – dicka duhet të dijë. Më kapi nga dora dhe më shpuri 100 metra më tutje.

-Në se doni t’i gjeni, gërmoni këtu

Kjo grua came, që më mori për dore e më shpuri në një pllajë të vogël rethuar me shegë, mu duk sikur ishte nëna e atyre djemve të pushkatuar 50 vjet më parë. Edhe pse nuk ja mësova emrin, për këtë grua kam një afeksion të vecant. Respekt dhe mirnjohje të thellë, pasi vetëm një grua e tillë came, e vuajtur, mund të bënte atë që kish bërë ajo.

– I shikoni këto shegë këtu? – më tha plaka. – I kam mbjellur vet. Këto shegë, i kan mbrojtur ata. Rëmoni këtu, se këtu i keni njerzit tuaj. Në maj të vitit 1945, ne pamë një grup ushtarësh që erdhën këtu. Ata hapën një varr të madh. Pas mesnatës dëgjuam të shtëna armësh. Kur u ngritëm në mëngjes, erdhëm këtu. C’të shohim! Një cop këmbë njeriu. Pak më tutje, një dorë. I mbuluam, të mos i zbulonin qent”. Ja kështu i zbuluam eshtrat e 13 të pushkatuarve në maj të vitit 1945. Midis tyre, gjetëm edhe eshtrat e Shehut të Fratarit. Kur zbuluam këtë varr masiv, kishim me vete edhe të birin, Abedin Shehun.

Sa u entuziazmua kur pa tespit e babait.

– Ooo, tespitë e babait!- tha i gëzuar.

Të njëjtën gjë bëri edhe Selami Morina. Ai gjeti unazën e të vëllait, Halil Morina, i cili ishte pushkatuar bashkë me Shehun e 11 nacionalist të tjerë.

-Ooo, kjo është unaza e vëllait! – u entuziazmua edhe ai.

Më të gëzuar se ata të dy, isha unë. Kishim zbuluar eshtrat e 13 martirve. Ata së bashku me 83 të tjerë, tani do të preheshin të qetë në varezat e tyre.

Pas këti misioni fisnik, ju nuk mund ta merni me mënd, se sa i qetë jamë unë.

 

 

 

Please follow and like us: