Iniciativa për denoncimin e abuzimit seksual
Një numër i madh i të famshmeve kanë folur haptas për faktin se kanë qenë të abuzuara seksualisht, si pjesë e iniciativës online të aktores Alyssa Milano, e cila u ka kërkuar kolegeve dhe mikeshave të saj ta shfrytëzojnë hashtagun #MeToo (Edhe Unë) në Twitter dhe t’i rrëfejnë të vërtetat e tyre rreth kësaj çështje.
Kësaj iniciative së fundmi i është bashkuar edhe aktorja America Ferrera, e cila e zbuloi se për herë të parë ishte ngacmuar seksualisht kur ishte vetëm 9 vjeçare.
“Edhe unë. Hera e parë që më kujtohet të jem ngacmuar seksualisht ishte kur i kisha vetëm 9 vjet. Nuk i kam treguar askujt për këtë gjë dhe si fëmijë ndihesha përgjegjëse për veprat e një burri të rritur. Më është dashur ta shoh këtë person çdo ditë për vite të tëra. Ai gjithnjë më buzëqeshte dhe unë menjëherë e ulja kokën dhe ndërroja rrugë, e turpëruar për diçka që vetëm unë dhe ai ishim në dijeni. Pra ai priste që unë ta mbyllja gojën dhe të sillesha normal me të. Zonja, le ta thyejmë heshtjen, në mënyrë që gjeneratat e reja të mos duhet të jetojnë me këto budallallëqe”, thuhej në mesazhin e aktores.
Përveç Ferreras, rrëfime të këtilla kanë postuar edhe yjet Hilarie Burton, Lady Gaga, Reese Witherspoon, Sophia Bush, Anna Paquin, Debra Messing etj. Alyssa Milano e inicioi lëvizjen #MeToo më 15 tetor, duke iu kërkuar personave që janë ngacmuar apo sulmuar seksualisht, që t’i rrëfejnë historitë e tyre, në mënyrë që bota ta kuptojë peshën e rëndësisë së kësaj çështje. Në mëngjesin e 16 tetorit, Twitteri raportoi se mesazhet me këtë hashtag ishin ripostuar më shumë se gjysmë milioni herë brenda vetëm 24 orëve. Ky hashtag është shpërndarë disa herë edhe në rrjetet tjera sociale si Instagrami.