Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Parodia e fundit me regji në Kryeministri

Në një postim në rrjetet sociale, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sa i përket takimit të ministrit të financave, Arben Ahmetaj, me një grup biznesmenësh të biznesit të vogël. Ajo e ka quajtur atë një parodi të ministrit Ahmetaj me regji në kryeministri, e drejtuar nga Rama.

“Parodia e fundit e Ministrit të Financave!

Mbasi kanë një muaj që sulmojnë e anatemojnë bizneset e vogla, ministri Ahmetaj gjeti kohën për të takuar më në fund një grup biznesmenësh të vegjël. Parodia e inskenuar nga zyra e kryeministrisë ka disa javë që po përpiqet të argumentojë të pa-argumentueshmen. E nisën me protestën e oligarkëve dhe nëpunësve të shtetit e tani po vazhdojnë me biznesin e vogël i cili jo vetëm është dakord me TVSH-në por madje propozon edhe futjen e disa taksave.

Një tragjikomedi të tillë e kemi parë vetëm gjatë periudhave diktatoriale, në asnjë vend të botës së qytetëruar bizneset nuk janë të prirura të jenë kaq njësoj në mendime me qeverinë. Uniteti i çeliktë Parti-Shtet-Biznes po ia kalon edhe unitetit të dikurshëm Parti-Popull. Sa më shumë kalojnë ditët aq më e dukshme bëhet farsa në të cilën na shtyn të jetojmë me përdhunë qeveria Rama”, ka shkruar Tabaku.

Më tej deputetja ka komentuar ligjin e ri të TVSH-së, që përjashton një pjesë të bizneseve si zejtaria, tregtari ambulant në tregje dhe taksisti.

“Përtej skenarit me regji qendrore në zyrën e kryeministrisë, më tërhoqi artikulimi i ministrit Ahmetaj i cili paralajmëroi përjashtimin nga ligji i ri i TVSH-së disa kategori të bizneseve të vogla, zejtaria, tregtari ambulant në tregje si dhe taksisti. Logjika e këtij përjashtimi nuk e di se ku qëndron, përse një shitës në treg bashkiak është i përjashtuar nga ligji i ri i TVSH ndërsa një tregtar që shet në një dyqan që paguan taksa dhe qira do të duhet të përfshihet? Pra, ku është logjika e këtij përjashtimi dhe përse nuk qëndron po e njëjta logjikë edhe tek bizneset e tjera? A nuk jetojnë me punën e vet edhe pjesa tjetër e biznesit të vogël?Pse duhet bizneset të jenë në mëshirën e shtetit kur punojnë ndershmërisht? Kjo që propozojnë rrit më shumë informalitetin se aktualisht.

Ajo që vëren dhe kupton çdo shqiptar sot për sot është se kjo bandë që na drejton nuk ka interes të krijojë një vend më të mirë. Biznesi i Vogël duhet mbrojtur jo vetëm nga kjo maskaradë por edhe duhet çliruar nga pesha e taksave të rënda. Jo TVSH për biznesin e vogël”, ka deklaruar Jorida Tabaku.

Please follow and like us: