Shkrihet policia e Elbasanit, shkarkohen 12 drejtorë
Shkarkime masive në Policinë e Elbasanit. Në një konferencë shtypi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit , Haki Çako deklaroi se 12 drejtuesit e Policisë së Elbasanit janë shkarkuar nga detyra pasi u cënua rëndë imazhi i Policisë së Shtetit nga mosreagimi i efektivëve të policisë. “Rreth një muaj më parë ka ndodhur një ngjarje e rëndë në Elbasan. Forcat e policisë u përballën me disa të dyshuar. Fatkeqësisht forcat policore nuk ishin në lartësinë e duhur. Fatkeqësisht ngjarja e Elbasanit ishte cënim për imazhin e Policisë së Shtetit. Pas hetimit të kryer u arrit në konkluzionin se drejtuesit në Policinë e Elbasanit janë treguar të paaftë në ngjarjen e datës 18 Shtator. Ngjarja tregon për një punë të dobët të tyre. Kam urdhëruar masa disiplinore për 12 drejtues të policisë së Elbasanit”, tha Haki Çako në një konferencë për mediat. Deri në ristrukturimin e Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit, në krye të saj është vendosur nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato.