Albspirit

Media/News/Publishing

Ikën LSI nga qeverisja, dyfishohen fondet për “rrugët”

Pas tre vitesh politike të shtrënguar, qeveria rikthen fokusin tek rrugët. Në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, fondet për ndërtimin e rrugëve dyfishohen, nga 130 milionë euro sivjet, në 280 milionë euro vitin e ardhshëm.

Në listën e veprave kryesore që financohen janë rruga e Lumit të Vlorës, dy bypasset e Fierit dhe të Vlorës, aksi Qukës-Qafë Plloc dhe Unaza e Madhe e Tiranës në segmentin e pandërtuar nga rrethrrotullimi i teg deri tek ai i shqiponjës në Laprakë.

Por financimet e drejtëpërdrejta nga buxheti nuk janë investimet e vetme që shkojnë për infrastrukturën rrugore. Paralelisht vitin e ardhshëm do të ndërtohen edhe rrugë me konçesion, duke filluar nga ajo e arbrit, ndërkohë që një aks tjetër i cili diskutohet është edhe ai Vorë-Rrogozhinë.

Rikthimi i fokusit tek investimet në rrugë përbën një ndryshim jo të vogël në politikën buxhetore të qeverisë dhe ndonëse arsyeja kryesore është gjendja më e mirë e financave të shtetit, ajo nuk është e vetmja.

Në mandatin e parë të qeverisë një pjesë e investimeve publike u zhvendosën nga Ministria e Transporteve, që drejtohej nga Lëvizja Socialiste për Integrim tek Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, i cili ishte direkt në varësinë e kryeministrit. Në vitin 2015, ky fond arriti deri në 93 milionë euro, një lëvizje që solli pakënaqësira edhe publike brenda koalicionit qeverisës.

Tashmë që Ministria e Transporteve, ashtu si të gjitha dikasteret e tjera do të drejtohen nga Partia Socialiste, situata ka ndryshuar. Ndërsa fondi i rrugëve të ministrisë është më shumë se dyfishuar, ai i fondit te rajoneve eshte thuajse përgjysmuar. Për vitin 2018 ai është reduktuar në 50 milion euro. Gjithsesi të dyja portofolet tani kontrollohen nga socialistet, cka e ben rishpërndarjen politike të këtyre fondeve, të parëndësishme.

Please follow and like us: