Albspirit

Media/News/Publishing

Shpërthen Neranxi, letër të hapur Ramës: Je arkitekti dhe ideatori kryesor i grabitjes së pronave në Himarë

Letër e hapur Kryeministrit Edi Rama nga Nikollaq Neranxi

Ia shite Himarën kriminelëve, tani po nxit luftë! Hiq dorë nga grabitja sa nuk është vonë!

Zoti Rama! Po ju drejtohem edhe këtë herë ju siç ju jam drejtuar gjatë gjithë këtyre viteve, duke ju treguar me gisht si arkitektin dhe ideatorin kryesor të grabitjes së pronave në Himarë. Që kur jeni bërë kryeministër, jeni investuar personalisht që pronat shekullore të banorëve të bregut, të grabiten dhe ata njerëz të dëbohen nga toka e tyre. Urrejtjen e madhe për Himarën dhe dëshirën e ethshme për të zhbërë edhe historinë e saj të lavdishme, e kamuflove bukur me fjalimet e tua nacionaliste, me të cilat thellove akoma edhe më shumë fajin. Himariotëve të ndershem e të urtë, pasi iu more votën dhe i preve në besë, i vure mbi shpinë gjithë opinionin publik, të cilët pa u thelluar mbi arsyet, krijuan një urrejtje për ne. Nga ana tjetër, kazanët e tu mediatikë, nuk lanë gjë pa shpifur sa herë ne protestonim kundër grabitjes. Nuk ka patur aktivitet të komunitetit tonë për pronat, që të mos jetë baltosur, për të fshehur qëllimin për të cilin bëheshin. Shkarravitësit e tu nxitonin që t’i bënin pis ato protesta ku kishte kryesisht njerëz të moshës së tretë, duke i ngatërruar me histori dhune e grupe ekstremiste.

Ne si komunitet dhe unë personalisht si Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive dhe Historisë Himarë, kemi bërë të gjitha përpjekjet tona për t’i bërë të ditur faktorit ndërkombëtar se çfarë po ndodh në Himarë. Edhe në biseda me ta, u përballëm me dizinformimin e turpshëm që iu kishe bërë edhe të huajve, të cilët as e çojnë nëpër mend se si kryeministri i një vendi mund të investohet kaq shumë me gënjeshtra, për të fshehur grabitjen e një komuniteti. Ata tashmë e dinë të vërtetën.

Falë këtij presioni të madh, grabitjet në qendrën e Himarës mbetën pezull. Shumë ambasadorë të akredituar në vendin tonë, të folën ashpër duke të thënë se është makabre ajo që po bën me popullin e Himarës. Për këtë arsye ti, si dredharak i lindur, veshe petkun e qingjit dhe fillove të ashtuquajturat negociata me ministrat Kumbaro Dhe Gjiknuri. Ky i fundit pak ditë më parë në takim me banorët, na premtoi se nuk do bëhet asnjë ndërhyrje në Himarë pa marrë më parë çertifikatat e pronësisë.

Mirëpo premtimi u zhbë brenda një jave. Banorët e Spilesë së Himarës kanë marrë pardje vendimin tënd që i dënon me dëbim. Ata duhet të lënë shtëpitë e tyre brenda 5 ditësh. Ka një VKM shpronësimi, por ata nuk kanë ende çertifikata pronësie. Sipas shtetit tënd rrumpallë, i jepen lekë dikujt që nuk ka asnjë letër prone?!! Po, ti e bën, sepse nuk do të lësh asnjë gjurmë në grabitje, ky është qëllimi.
Që ti nuk do të tërhiqeshe nga grabitja, kjo ishte e qartë, sepse me ardhjen tënde në pushtet, Himarën ia shite kriminelëve. Rreth tre vite më parë unë u kërcënova me jetë tek shtëpia ime në Porto Palermo, nga një shef policie, pa asnjë arsye dhe në prezencë të shumë njerëzve.

Pak muaj më vonë u kërcënova përsëri nga një individ i cili po ndërton një super hotel në Livadh, në pronat e vjedhura të familjes Guma. Të dy i denoncova, por çdo gjë u mbyll shpejt e shpejt nga institucionet e shtetit të drogës. Meqë isha njeriu që të akuzoja në vetë të parë për skenarin e grabitjes në Himarë, një ditë në kompani më “vizituan” ca tipa me maska. Ishin aty vetëm për të më frikësuar, sepse të gjithë e dinë që kompanitë e mëdha nuk mbajnë para cash, sepse punojnë me banka. Unë kam bërë investigimet e mia dhe makina me të cilën erdhën “vizitorët”, pak minuta më vonë u gjend e parkuar para Drejtorisë së Policisë. Me të njëjtin synim, që të mbyllja gojën për skenarin e tmerrshëm të Himarës, më arrestuan brenda në kompani sepse disa klientë kishin parkuar keq!! Histori e papreçedentë, që as në vende diktatoriale nuk mund të ndodhë.

Në fakt Neranxi rebel që s’po i mbyllej goja për Himarën, të kishte dalë jashtë skenarit, sepse sipërmarrësit në përgjithësi janë lehtësisht të atakueshën meqë kanë shumë për të humbur. Por nuk kishe parashikuar një detaj të “vogël”, që unë e dua Himarën më shumë se çdo biznes që kam krijuar, Himara është amaneti i të parëve, prandaj nuk mund të ketë kthim mbrapa në këtë betejë që ti na e bëre “dhuratë”. Ka 4 vite që himariotët shohin se si bëhet trafiku i drogës në Porto Palermo dhe po të njëjtët elementë ushtrojnë terror psikologjik mbi banorët e pafajshëm, sepse ata duhet të ikin që t’i lëshojnë vendin investimit të parave të drogës.

Unë e di mirë zoti Rama, se ti po kërkon me çdo kusht një konflikt në Himarë, madje mundësisht edhe ndonjë luftë. Në këto kushte kur pushteti juaj është në ditët e tij më të zeza, një konflikt në Jug do ju bënte shumë punë. Unë e kisha nuhatur këtë skenar ogurzi, prandaj të kam kërkuar publikisht me qindra herë, mos krijo konflikte, jepu çertifikatat e pronësisë banorëve, pastaj hajde të rregullosh Himarën. Por jo, ti do luftë, ti do ta shohësh të realizuar në praktikë atë që banorët ta kanë thënë me qindra herë, që pronën e tyre do ta mbrojnë edhe me gjak!! Vetëm një budalla mund ta besojë se ti po e bën gjithë këtë çmenduri në Himarë, për të ndërtuar një shëtitore apo një trotuar!!! Jo, ti thjesht do ta shohësh atë vend në flakë. Megjithatë ne himariotët të bëjmë thirrje edhe një herë, mbase për herë të fundit, hiq dorë nga ky skenar, ndalo grabitjen dhe jep çertifikatat e pronësisë atyre njerëzve që i shkatërrove gjithë këto vite me makthin që në çdo moment mund të përfundojnë në rrugë. Nëse nuk do të tërhiqesh, ti do shkruash kështu historinë më të turpshme të një kryeministri shqiptar!Ndalo çmendurinë tënde sa nuk është vonë dhe mblidh mendjen, nuk na i grabit dot pronat! Madje edhe ato prona që tashmë janë grabitur me bekimin tënd, nuk do arrini t’i gëzoni!

Please follow and like us: