Albspirit

Media/News/Publishing

Xhafaj përplaset me kryeprokurorin, mohon akuzat për Tahirin

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj i pyetur lidhur me çështjen e akuzave ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri u shpreh se nga pikëpamja juridike ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda lidhur me këto akuza nuk shpreh vullnetin e ligjit dhe në pikëpamjen juridike provat që kam parë nuk e fajësojnë Sajmir Tahiri.

Xhafaj u shpreh se segmente të caktuara të prokurorisë po përdoren politikisht për këtë rast, duke risjellë në vëmendje rastin e operacionit të madh antidrogë në Babicë, ku disa prokurorë sipas Xhafës në vend të mendonin për të mbledhur provat në vendngjarje mendonin të përdoreshin politikisht.

“Disa ditë më parë iu thashë që kjo çështje është duke u shqyrtuar nga drejtësia italiane dhe ata që flasin sot nuk kanë asnjë kontribut dhe duan thjesht ta përdorin politikisht. Nga pikëpamja ligjore, ajo çfarë është shkruar nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk shpreh vullnetin e ligjit dhe kushtetutës. Segmente të caktuara të prokurorisë po përdoren politikisht, nëse prokuroria ka prova le t’i shohin. Mos të ndodhë ajo që ndodhi në Vlorë, gjatë operacionit antidrogë, kur prokurori në vend që të shihte vendngjarjen, mendonte të përdorej politikisht”, tha Xhafaj.

Pas deklaratës së Xhafajt, ka reaguar kryeprokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili ka thënë se nëse ministri i Brendshëm nuk është i qartë me problematikën ligjore të çështjs “Habilaj-Tahiri”, është problem i tij.

Llalla ka theksuar se problematika e krimit në vend është mjaft shqetësuese dhe se sipas tij organi i akuzës ka për detyrë të hetojë dhe të vendosë ata që shkelin ligjin para drejtësisë.

“Ish-kryetari i reformës në drejtësi në vend dhe ministri aktual i Brendshëm, nëse nuk është i qartë për procedurat ligjore në lidhje me rastin, besoj se është problematikë e tij. Prokuroria shqiptare po ndjek hetimin e të gjithave rasteve në vend, situata është e tensionuar, kriminaliteti është shpërndarë në të gjithë vendin, ndaj dhe ne kemi për detyrë të hetojmë”, – u shpreh Llalla.

Please follow and like us: