Emil Asdurian: Vota, ndrimendja e blerësit dhe ne
Aty rrinë te strukura, të zbrazura dhe sikur të mos mjaftonte dhe kjo, përbuzja për barkun e shkretë, e një dyshim, kjo është më e keqja, që s’lindën nga tërë ajo mori me letra, veç të njëjtin, princ: të gjatë, me mjekër dhe me pak flokë të rënë. Aty, të braktisura presin një luan të ngjizin që veç me ulërimën e tij të shembte botën. Por kushdo që të jetë s’ma ha mendja të bëjë gjë.
Këtë që po shkruaj, e shoh dhe në veten time, këtu ku jetoj, e quajnë “buyers remorse”, q’jo për teke të rastit e përktheva “ndrimendja e blerësit”, një ndjenjë faji, një farë zbrazësie xhepi, humbje se “ta hodhën” maskarenjtë, se të gjithë tregtarët ngjajnë me xhambazët e kuajve, kur u zbardhin dhëmbët e u shkëlqejnë kriftën, por shpesh dhe bishtin, frika e sedrës së vrarë se mos të thonë “ta hodhën o trutharrë, ta hodhën”, nuk e di pse kaq i lidhur me kuajt, vjen një fshikullimë tjetër “kalova lumin, të dhjefsha kalin”, e kokën ul i dorëzuar, pafuqi të ndryshosh këtë fat, q’ë thure vetë.
Muaj kanë kaluar, në dy vende fare larg, dy dete e një oqean larg. Është koha për të treguar se pas zgjedhjeve dhe përzgjedhjeve ç’është bërë e ç’duhet të bëhet, që “t’ia vlejë barra qiranë”, (s’do flas për këtë, se me këtë temë kam një libër gati për botim), për therrjen, për mundin, paratë dhe mallin q’ë paguam me gjak, çadër lirie, e gjumë. Po, po me gjumë. Vetingun dhe drogën, dhe pse ka plasur sheshit e u ngrit si fishekzjarr, nuk ka rëndësi se do bjerë i shuar, por është temë tjetër. Dua të shkruaj për zhbërjen, se ç’mund të bëjë një popull pas votimit. Pyetjet rrjedhin natyrshëm në çdo demokraci, për çdo popull.
A duhet të presë votimin tjetër e të mbyllë gojën, si mushkë e mësuar ta çojnë në kullotë “ata që dinë”, vërtet sa dinë?
A duhet të ndryshojmë sa më shumë në fillim, që të parandalojmë mahisjen e gjatë dhe të dhimbshme deri sa të zërë qelb e të mos ketë burrë nëne ta mjekojë pa e çarë a shtrydhur?
Apo, një rrugë të tretë të ngrihemi në rrugë, të rrëzojmë qeverinë, bile dhe të bëjmë zgjedhje të reja për së pari?
Në ka dhe një të katërt, thuajeni me zë të lartë se s’u zemërohem, këtu në fund të botës e larg jush, mund t’iu them ndryshimet që shoh e t’i krahasoj me ato andej, e anasjelltas, pa ndonjë parapendim a shtirje.
Bindja në vendimin e zgjedhjeve, është apo s’është e popullit, është mendimi i parë që vjen me trokth e turfullon përpara fytyrës. Por edhe nëse u zgjodh ai pasha a princ, e ai zgjodhi vezirët e tij, kjo s’do të thotë që ata “qeverisës” janë më të mirët! Por dhe në ishin, plani që kanë s’do të thotë q’dhe ai është i përkryer dhe çfarë i duhet vendit!
Pra zgjedhjet s’janë garanci për një përfundim të dëshëruar, por veç fillimi i punës, si zgjedhja e ustait! E që ustai të mbahet nën kontroll është parlamenti, por dhe ky i fundit, si mushkë e bleme prapë në e q’nuk u var aq shumë nga paratë tona por çfarë na serviri “partia” në treg.
Ne blerësit e vërtetë, s’mund të bëjmë asgjë, hapim sytë pas aquariumit tonë prej qelqi, blaçisim ca bulëza lajmesh që na i hedhin nga lart “falas”, tundim bishtin të nxehur e shkojmë e futemi nën krevat, (kështu bëjnë peshqit), të flemë në mes të pamundësisë së pamundësisë dhe besimit tek bajraku i gjatë dhe tek ai që e mban lart.
Sa fuqi ka populli mbi qeverisesin e vet, kryeministrin, pas pjelljes së kutive? Shkruan në Twiter apo në FB, e shajmë dhe na shan, e mburrim dhe na mburr, as ai bam e as ne bam! Një nga rrugët normale që çdo qytetar të ketë mundësi të shprehi mendimin e tij në qeverisje, përpos të shkruarit në këto media, është nëpërmjet përfaqësuesve të tij. Sidomos pas votimeve.
A bëhet kjo në mënyrë të rregullt e të planifikuar, në grup a veç e veç? Nëse s’bëhet, pse dhe të bëhet. Është detyra jonë dhe e tyrja, kapistallin e mbajmë ne e jo ata. Ne duhet t’u masim kokën me pe, t’u kontrollojmë duart e këmbët për çdo ligj që mundohen të na sjellin a të na shesin, prapë jemi më shumë se ata, me qindramijra sy dhe gojë, që kur të ulërasim t’u bien brekët dhe dhëmbët e florinjtë. Ne mund t’i pengojmë jo vetëm të zgjidhen, por më shumë të mos zgjedhin e të bëjnë ligje për të mbushur xhepat e tyre. Hedhja e të drejtës sonë në plehra, sjell veç plehra. Ashtu si mbajtja e po kësaj të drejte pa e përdorur, mbyllur në dollap, kalb gjithçka deri dhe vetë shoqërinë. Këtu, në të bekuarin vend SHBA, tre herë ka dashur i madhi flokëverdhë të kaloj një ligj për shëndetësinë, e s’mundi se hungërrima e klithma e atyre që paguanin u bëri t’u dridhen kartrat e tinëzitë në duar. I thirrën përfaqësuesit nëpër bashki qytetesh dhe i bënë për një lek, e ikën e s’guxuan. Ah, do më hidheni e do më thoni është Amerikë dhe ti s’e njeh të vërtetën e tashmë në Shqipëri.
Ç’ka për të njohur? Ju njoh juve siç njoh dhe veten. Shoh atë që s’bëhet. Dhe në e paça gabim, të më falni, se s’është veç një thirrje për të drejtat tuaja! Akoma dalin e flasin për korrupsion më të korruptuarit, njëri i lë partinë gruas, tjetri besnikut e shqytarit të tij, tjetri i lindur Skënderbe. Ç’ndryshoi nga partitë. Qelben! Pse s’përkrahni të pavarur, parti të reja, por akoma me këpucët e vjetra e të rehatshme që iu është fshirë sholla. Gënjeshtra nuk mund të shkulet me gënjeshtër. Shoh plane rrugësh, ndërtime, por ç’prodhojmë për tregun botëror? Ç’bujqësi të mjerë, me fshatra të zbrazur po ndërtojmë, ç’blegtori që dikur na e kishin zili, e ç’tjetër kur të gjithë të rinjtë e të mësuarit ikin a e kanë mendjen për të ikur argatë? Prodhimi më i sukseshëm politik, ideologjik dhe ekonomik: Kanabisi. Organet, fëmijët, gratë, motrat, armët, uzinat fabrikat u shitën dhe u mbaruan. Ç’mbetet të qarkullojë në një vend ku të gjithë presin dhe asnjë s’punon, vetëm kanabisi. E përdornin fare pak shqipëtarët në kohë të Haxhi Qamilit, për tu shuar urinë fëmijve zevzekë, por jo aq sa tani, që na bekoi mendët perëndia dhe e gjetëm. Qarkullon e mban, taksa e spitale, pallate e lagje, rrugë e çdo bylykbash zyre që ngrihet në mëngjes dhe thotë pa pikë turpi: “turp”! Legalizoheni si Hollanda dhe bëjeni Shqipërinë zonjë për qef qeflijsh, që të vinë e të lënë paratë aty, se ndryshe me çfarë do mbaheni, me pallatet me ngjyra dhe plazhet ku s’ngeli njeri pa i fëlliqur? Nëse është i ligjëzuar, do mblidhen taksa nga ata që e shesin, do hapen vende të vërteta pune, e jo për mëshirë, do ngrihet një industri dinjitoze, turizmi do të lulëzojë dhe blegtoria. Imagjinoni të thithni një nga ato deri në fund të frymës në Theth, në atë ajër të pastërt në majë të atij Olimpi të magjishëm e do të kuptoni pse Zeusi lindi në Dodonë e jo gjëkundi tjetër!
Merrni fatet e qeverisjes në duart tuaja. Shkundni ullirin që mbollëm ndryshe do na e marrin nga goja. Vota dhe mëdyshja, si dhe ndrimendja s’janë veç shtojzavalle fillimi e asgjë më shumë e mos flini në tymin ëmbël të tyre. Le t’i biem me vare e ta thyejmë këtë mur plogështie brenda vetes. Jemi ne, (e jo vetëm ne pleqtë), bijtë e shekullit të ri, me mendje të re, që duhet ta shembim këtë fasadë të vjetër po aq të rreme q’s’na lë të shohim përtej.
Ç’mund të jetë më e rëndësishme se qeverisja e vetes dhe vendit tënë?