Eva Idrizllari: Kjo shoqëri e sëmurë ka nevojë për shërim
Jetojmë në një shoqëri ku njerëzit janë të bombarduar nga shqetësimet dhe ankthet politike. Një shoqëri e sëmurë mendërisht, e nënshtruar nga traumat që i shkakton klasa politike. Simptomat janë të dukshme dhe të dhimbshme deri në lëndimet që shkaktojnë ato.
Shqipëria i ngjan një spitali gjigand ku politikanët bëjnë rolin e psikiatrit duke i mbajtur pacientët e tyre militantë nën kontroll. Shoqëria ka arritur në limitin e çmendurisë pa e kuptuar që vetë klasa politike është shkaku i sëmundjes së saj. Shoqëria nuk është në gjendje të kuptojë se si klasa politike e ka transformuar atë në një shoqëri me varësi mendore politike, duke ia denatyralizuar rolin e qytetarit civil. Shoqëria jo vetëm që nuk e pranon që është e sëmurë nga klasa politika, por përkundrazi motivohet prej saj.
Prandaj egziston kjo shoqëri e sëmurë sepse atë e kupton vetëm klasa politike, e cila vetëm nëpërmjet një shoqërie të sëmurë politike mund të kryejë krime dhe të shkaktojë padrejtësi të llojeve të ndryshme në dëm të interesit për një shoqëri të shëndetshme dhe të pavarur.
Kjo shoqëri ka nevojë emergjente të çlirohet nga arresti mendor që i ka bërë politika. Kjo shoqëri e sëmurë ka nevojë për shërim.