Konfliktet e gjithë të larguarve nga “Portokallia”
Shumë shqiptarë brenda dhe jashtë vendit sa herë që vjen e diela, prej shumë vitesh tashmë janë mësuar dhe mezi presin të shohin një nga ‘show’-t humoristik më të famshëm në vend, “Portokalli”.
Një kast aktorësh të shumtë dhe vërtetë të talentuar, kanë bërë që ky ‘show’ të jetë i suksesshëm për shumë vite radhazi. Por, për një arsye apo për një tjetër, shumë prej aktorëve nisën të largoheshin, duke mos qenë më pjesë spektaklit të humorit dhe shumë personazhe që ata përfaqësonin “u harruan” me kalimin e kohës. Nuk është hera e parë që dëgjohet se shkak i largimit të tyre ishte një konflikt i brendshëm me drejtorin e këtij formati, Altin Bashën. Shumë prej tyre nuk kanë dhënë një arsye të qartë për largimin, por ka qenë vetë djali i humoristit të njohur Zef Deda, Juli, i cili para pak kohësh postoi në faqen e tij një status për largimin e tij dhe kolegëve të tij ndër vite duke thënë edhe shkakun kryesor të këtyre largimeve, pas shumë kohësh thashethemesh.
Por, nuk mungoi as reagimi i një tjetër aktori të kësaj trupe, i cili edhe pse më i ri se Juli në këtë ‘show’, nuk harroi të falënderonte drejtorin në një status të postuar në faqen e tij. Pra, kjo na lë të mendojmë se nuk janë të gjithë të një mendimi me Bashën, por kjo s’do të thotë se arsyet e “fshirjes” së këtyre personazheve nga “Portokalli” e bëri atë të zbehet edhe më tepër. Mbase për këtë qëndron arsyeja e të tjerë personazheve që janë ende pjesë e saj prej shumë vitesh tashmë. Edhe pse para se të niste sezoni i ri dëgjuam se do të largohej edhe “Polici” i “Portokallisë”, edhe Gaz Paja nuk u shfaq në serinë e kaluar. Nuk dihet ende se ç’po ndodh me kastin e këtij formati humoristik, por një gjë është e sigurt, largimi i figurave të cilat e kanë “ngritur” “Portokallinë” do të çonte vërtet në uljen e shikueshmërisë të këtij formati, edhe pse duhet ta pranojmë, tashmë nuk është siç ka qenë më parë. Më poshtë po listojmë personazhet që i dhanë jetë “Portokallisë” me rolet e tyre:
- Ervina Kotolloshi – Shqiponja Dhëmbi
Ajo ishte një nga personazhet më të lezetshme dhe më unike të këtij formati. Personazhi i saj u pëlqye shumë që kur u shfaq në fillim. Nën rolin e një gazetareje nga fshatrat e Korçës, ajo ishte kudo e pranishme në daljet e politikanëve, ku batutat më të shumta ishin me personazhin e kryeministrit të tanishëm, Edi Rama; kryetarit të Bashkisë së Tiranës në atë kohë. Gjithnjë pritej me duartrokitje dhe me shumë të qeshura. Arsyeja e largimit të saj thuhet se ishte Anglia, pra një mundësi më e mirë jashtë vendit.
2. Agron Llakaj
Ai është një nga aktorët më të njohur në gjithë vendin dhe jashtë tij. Një ndër humoristët që ka bërë të qeshin breza të tërë shqiptarësh. Ai erdhi me “lindjen” e këtij spektakli humoristik. Kur ishte nën drejtimin e tij, jo vetëm që audienca u rrit më së shumti, por gjithashtu edhe të qeshurat s’kishin fund me personazhet e shumëllojshme që sillte, duke veçuar këtu rolin e papërsëritshëm të ish-kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Arsyeja e largimit të tij thuhet se ishte konflikti me drejtorin Altin Basha. Llakaj sot, prej disa vitesh është drejtuesi dhe ideatori i ‘show’-t “Al-Pazar”, formati konkurrent humoristik, i cili transmetohet në “Vizion Plus”.
3. Julian Deda
Siç thamë edhe më sipër, ky ishte pikërisht aktori i “Portokallisë”, i cili vendosi të flasë pas një heshtjeje të gjatë e largimesh të pashpjeguara. Jul Deda, djali i humoristit të njohur shkodran, Zef Deda, spikati me talentin e tij në këtë ‘show’ me grupin e njohur “The SHBLSH”, të cilët sollën situata humoristike pafund, duke e bërë publikun të qeshë me lot dhe ta dojë së tepërmi. Juli ishte ai që nëpërmjet një statusi tha se arsyeja kryesore e largimit të kolegëve të tij ishte pikërisht konflikti me drejtorin e spektaklit, Altin Basha. Aktualisht ai është pjesë e një formati humoristik në “Vizion Plus”, “Apartamenti 2XL”, i cili sjell situata të stisura humoristike nga aktorët dhe të ftuarit e radhës.
4. Ermal Mamaqi
Ai gjithashtu ishte pjesë e grupit të njohur “The SHBLSH” dhe iku në të njëjtën kohë me Julin dhe Gent Zenelajn. Aktualisht Ermali drejton ‘show’-n e tij, “Xing me Ermalin”, ku sjell nëpërmjet të ftuarit të radhës, situata pafund të qeshurash dhe argëtimi.
5. Gentian Zenelaj
I treti i muskëtierëve të “The SHBLSH”. Genti së bashku me dy shokët e tjerë ishte i pandarë edhe pas largimit nga “Portokalli”. Juli në kohën kur u larguan tha se arsyeja kryesore ishte një konflikt i tij dhe Gentit me Altin Bashën, që i bëri të tre të largohen. “Ka qenë një mosmarrëveshje mes meje, Gentit dhe regjisorit të ‘Portokallisë’, shokut regjisor, i cili pavarësisht se punon në vitin 2008, mendja i ka mbetur në vitin 1973. Është e çuditshme se si këto ndjenja të tij superkomuniste zgjohen këto muajt e fundit”, është shprehur Jul Deda për “Bluetooth” para disa vitesh. Genti iu bashkua së bashku me Julin dhe Ermalin më vonë ‘show’-t “Apartamenti 2XL”, por më pas e “braktisi” edhe atë, ashtu siç thotë Juli, duke e “lënë në baltë” shokun pa i dhënë asnjë shpjegim. Sot ai së bashku me kolegun e tij të ri, Saimir Kodra, drejtojnë emisionin investigativ, “Stop” në TV “Klan”.
6. Ervin Bejleri
Ai ishte një nga aktorët më të vjetër, pjesë e trupës së parë të “Portokallisë”, i cili spikati me rolin e tij të veçantë të Vinit, romit nga Tirana, i cili ishte gjithnjë në duet me Ninin, i cili luhej nga Elvis Pupa. Arsyeja e largimit të tij nuk u bë e ditur. Tanimë ai është pjesë e një emisioni të ri politiko-satirizues në “InTv”, “Kolaudim”. “Qëllimi i emisionit tonë në njëfarë mënyre është të ‘kolaudojë’ hallet dhe problemet që ka sot shoqëria shqiptare. Por, në radhë të parë duke filluar nga lart… po nga lart fare ama”, ka thënë për “Vip Pages”, Ervini.
7. Elvis Pupa
Siç thamë edhe më lartë, Pupa vinte në duet me Bejlerin në rolin e romit nga Tirana. Të dy së bashku kanë krijuar shumë atmosferë argëtuese dhe humoristike me situatat e sjella në skenë të dy romëve, të cilët e shijonin jetën në maksimum në mënyrën e tyre. Elvisi u largua përpara Ervinit nga “Portokalli”, ndonëse arsyeja ishte në dukje jetesa jashtë vendit, në SHBA, por nuk u tha ekzaktësisht arsyeja e vërtetë. Ndërkohë që sot Ervini është rikthyer dhe drejton një ‘show’ të tijin humoristik, “M’fal për shprehjen”.
8. Gent Bejko
Genti është prezantuar për herë të parë me monologët e tij humoristike, për t’u bashkuar më vonë me aktorë të tjerë të “Portokallisë” në grupin e famshëm të “The SHBLSH”, ku batutat dhe të qeshurat ishin të pafundme. Në një intervistë të dhënë para disa vitesh, Genti thoshte se nuk ishte asgjë personale, largimi ishte thjesht biznes. Ky largim pasoi me futjen si regjisor në ‘show’-n e “Vizion Plus”, “Apartamenti 2XL”, ku nuk qëndroi për shumë kohë. Tashmë ai jeton në Amerikë, ku i është bashkuar Hollivudit me role të vogla pranë figurave të njohura botërore.
9. Erand Sojli
Ai qëndroi për një kohë të gjatë në trupën e “Portokalli” duke sjellë personazhe nga më të ndryshmet, ku ndër të spikaturat ishte në rolin e Naqes me Nasi Gjymin, me aktorin që vazhdon të jetë në “Portokalli”, Gaz Paja. Në një intervistë të bërë së fundmi, ai është shprehur se kishte ikur për shkak të parimeve që kishte, që nuk e vlerësonin për aq kohë sa kishte aty. “Kur unë jam dikush që shkruaj, investoj dhe kam 10 vite që jap për këtë gjë, natyrisht që nuk meritoj të njëjtin trajtim me një person që vjen dhe është aty për të bërë një punë, që nuk e ka në perceptimin e tij real sesa e rëndësishme është”, – tha Sojli. Aktualisht ai jeton në SHBA për të qenë pjesë e një filmi dhe ndoshta për të jetuar atje.
10. Romir Zalla
Ai ishte një nga aktorët që nisën “Portokallinë” me rolet e tij të shumtë dhe të pëlqyer nga publiku. Ndër to mund të përmendim rolin e psikologut, së bashku me aktorin Marin Orhanasi në rolin e pacientit, i cili vazhdon të jetë pjesë e spektaklit humoristik. Arsyeja përse ai është larguar nuk është bërë e ditur. Sot ai është pjesë e pandarë e teatrit kombëtar, duke sjellë në skenë role të ndryshme dramatike e humoristike.
11. Besart Kallaku
Dhe largimi i fundit nga “Portokalli” është “Skifteri” i famshëm prej Laçi, i cili jo vetëm me këtë rol fantastik, por edhe me shumë të tjerë, ka kënaqur publikun shqiptar ndër vite. Jo më larg se një muaj më parë ai kurorëzoi dashurinë me bukuroshen Xhensila Myrtezaj. Shumë projekte e presin në të ardhmen Besin, i cili për momentin zotëron restorantin e njohur “Ardit’s fisherman”. Arsyeja e largimit të tij nuk u bë e qartë, ndërkohë që thashetheme të ndryshme qarkullojnë për largimin e tij jashtë vendit. /Gsh/