Albspirit

Media/News/Publishing

Poema e panjohur e Lasgush Poradecit

Në dorëshkrimet e poetit, Lasgush Poradeci ruhet e papublikuar edhe një tekst poetik, i shkruar në gjuhën rumune, që mban titullin “Poemul” (“Poema”). Ky teskt ka ardhur në shqip nga shkrimtari Dionis Bubani.

POEMA

(E pesë ditëve të konkursit për pranimin në vitin e parë dhe të katërt në Shkollën e Arteve të Bukura,në Bukuresht).

Poezia e ditës së parë

Në një kënd të Bukureshtit,
Në shkollën e Arteve të Bukura,
Se ç’u mblodhën si ndër përralla
Djemtë dhe vajzat belkëputura.

Në Sallën e madhe të Pikturës
Për në konkurs po vizatojnë,
Dhe tek krijojnë pëshpërisin
Ato që zemrat u këndojnë.

Disa bëjnë plot shakara,
Ca nga halli vijnë vërdallë, –
Me vështrimin fort të rreptë
Sekretari hyn në Sallë!

Ëmbël duke buzëqeshur,
U avitet, kaq e pat:
Mbetën shtang djemtë dhe vajzat
Heshtin siç hesht një sahat…

Strofat e ditës së dytë

Po hesht Venera, po heshtin
Në mjedisin qelibar…
Oh, se ç’qetësi dhe paqe!
Si statujë përmbi varr!

Dhe tavani i tejdukshëm
Si një Muzë ndër vegime
Për secilin konkurent
Fal nga lart plot frymëzime…

Vargu i ditës së tretë

Ja, pra dhe dita e tretë
Erdhi shpejt si pa kuptuar;
Dhe djelmoshat edhe vajzat
Sikur janë të gëzuar;

Sikur ndjejnëAdami dhe Eva
Një ekstazë si në Edén,
Vizatoi djali dhe vajza…
Dhe atyre u pëlqen…

Një poezi më vete

(Në vend të nënëshkrimit te skica e një konkurenti)

Kur nuk jam fort i trishtuar,
Shkruaj, o bëj një portret –
Dikush thotë se jam artist,
Tjetra thotë se jam poet,
Unë hesht si një profet…

Kënga e ditës së katërt

Kupleti nr. 1

(Nën vizatimin e profilit të një kandidati të rreptë)

E Venerës fort antike,
Je krenari autor!
I ri është dhe na quhet
Radulesku Nikifor.

Kupleti nr. 2

(Nën karikaturën krijuar një ardeleani)

Kush na qënkërka djaloshi?
Ëngjëll a shejtan vërtetë?
S’është as shejtan, as ëngjëll:
Zoti Manu, dora vetë…

Kupleti nr. 3

(Nën skicën e krijuar një artisti mendimtar)

Ky njeri është artisti
Me emrin Barkush:
E krijoi për të piktori
I cili quhet Lasgush.

Zonjushës Maurika

Pasi biseduam,
Lodhja s’të shkoi bosh,
Ta bëra portretin;
Që të më kujtosh.

Por nuk di se kush
I përmëndi mikes
Mua më je lutur?
O unë Maurikes?

Poezia e ditës së pestë

(Teza e të premtes)

Në konkursin e së premtes
Erdhën mjaft të rinj të mbarë:
Vajza fort të ndrojtura,
Djema guximtarë.

Dhe u mblodhën që të gjithë
Për tezën përfundimtare;
Seç vërshuan nëpër salla
Pa e çarë kokën fare.

Por asnjeri nuk arriti
Vizatimin ta mbarojë:
Dhe e mënçura dhe i marri
Mbetën më gishin në gojë…

– “O ti nudo, o ti nudo!
Muzë që nuk turpërohesh!
Kush na thotë të vërtetën,
Pse je zverdhur dhe ankohesh?…”

– “Rri e çmendur mes sallonit,
Shtang kam mbetur, ndjenj një njollë,
Se nuk e mora provimin
Dhe kam mbetur sot pa shkollë…”

O ti shkollë “Belle Arte”,
Që fatin na ke përdhosë:
Mos të jesh kurrë e lumtur
Zjarri ty të të shkrumbosë!…

Lamtumirë

A jeni gjigandë,
Apo shkurtabiqë,
Me mall ju përshëndes
O të dashur miq!

Qofshit porsi dimëra,
O të trishta fare.
Përshëndetje dhe nderime
Artiste krenare!

Nenshkruar: P. LASGUSH

 

Please follow and like us: